Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Firma boshnjake e naftës shet aktivet

Rritja e borxhit dhe operacionet e paqëndrueshme po detyrojnë Optima Group, kompaninë kryesore serbo-boshnjake të naftës, të fillojë shitjen e aktiveve- duke shkaktuar frikë se pronarët rusë të kompanisë dëshirojnë ta shpëtojnë.

Optima Group, kompania kryesore e naftës në entitetin e Republika Srpska me dominim serb të Bosnjës, ka filluar shitjen e aseteve në përpjekje për t’u përballur me borxhin në rritje, duke intensifikuar frikën se investitori rus po përgatitet ta shpëtojë atë ‘nga jashtë’.

Një punonjës referoi për Balkan Insight një situatë të ‘nderë’ në kompani, e cila po pushon nga puna punëtorët dhe po shet apo jep me qira pasuritë e saj të patundshme për të mbledhur para.

“Ne po përballemi me reduktim të fuqisë punëtore dhe nuk mund të përdorim ditët e festave, pushimet, madje edhe lejet për sëmundje. Shitjet kanë rënë ndjeshëm dhe po vuajmë presion të madh për shkak të kësaj”, – tha punonjësi për Balkan Insight.

Në fillim të qershorit, Optima Group publikoi një tender për shitjen e shumicës së pasurive të tij të paluajtshme, një total prej 19 njësish, përfshirë hotele, motele, shtëpi, hapësira të fabrikave, toka, zyra, apartamente dhe kafene në të gjithë Republika Srpska, Serbinë dhe Malin e Zi.

Çmimi fillestar është përcaktuar në 5.4 milionë euro dhe tenderi do të qëndrojë i hapur edhe për një muaj tjetër.

Krijimi i kësaj kompanie tetë vjet më parë u përshëndet si një moment i rëndësishëm i biznesit për Republika Srpsa. pasi kompania Neftegaz In Korcompany e Rusisë – një degë e Zarubezhneft – në vitin 2007 bleu një pjesë të madhe të industrisë së dështuar të naftës, RS Oil Industry.

Blerja përfshiu një pjesë prej 75% të rafinerisë Bosanski Brod Rafinery, 66.75% të rafinerisë Modrica Oil Rafinery dhe 70% të Banjaluka Petrol.

Pavarësisht investimeve ruse, Optima Group vazhdoi të veprojë me humbje dhe vijoi të zhytet në borxhe. Situata prezantohet më e agravuar në rafinerinë Brod, e cika ka grumbulluar humbjet më të mëdha gjatë viteve të fundit.

Sipas një auditi të pavarur në rafinerinë e Brod, kryer në fillim të këtij viti, borxhi afatshkurtër i kompanisë aktualisht tejkalon aktivet e saj me pothuajse 20 milionë euro dhe borxhi i saj neto është tre herë më i lartë se kapitali i saj.

Humbja neto e rafinerisë Brod në fund të vitit 2014 ishte 13 milionë euro, ndërsa borxhi i saj i akumuluar tejkalonte 265 mln euro. “Që të vazhdojë të funksionojë, kapaciteti i rafinerisë varet vetëm në mbështetjen e vazhdueshme financiare të kompanisë mëmë Neftegaz InKor, Rusi, referon auditi nga Deloitte, siguruar nga Balkan Insight.

Auditi gjithashtu paralajmëroi se rafineria ka shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave në transaksione të dyshimta dhe se nuk ka paguar pjesën më të madhe të taksave dhe kontributeve të tjera.

Përveç kësaj, gjatë një periudhe të shkurtër në fund të vitit 2014 dhe fillim të 2015, rafineria mori dy kredi nga Zarubezhneft për gati 23 milionë euro, shumica e të cilave shkuan direkt në buxhetin e Republika Srpska për të mbuluar taksat e papaguara.

Krerët e opozitës dhe ekspertët kanë pohuar për vite se qeveria e njësisë ka përdorur Optima Group, ose të paktën disa prej kompanive të saj, për pastrimin e parave. Ata thonë se ky është një kanal përmes të cilit Rusia ushtron ndikim në udhëheqjen e RS.

Dragan Cavic, lideri i opozitës Lëvizja Demokratike Popullore, PDK, tha në Banjaluka të enjten se shitjet e pasurive të Optima Group nuk ishin në përputhje me kontratën e privatizimit me qeverinë e RS. “Duket se kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur humbjet e rënda”, tha ai.

Situata e përkeqësuar në Optima, dhe sidomos në rafinerinë e Brod, ka nxitur thashethemet se investitori rus së shpejti mund të shpëtojë biznesin me humbje, dhe ose të shesë të gjithë Optima Group, ose shumicën e njësive prodhuese me humbje, duke mbajtur vetëm asetet e nevojshme për biznesin bazë.

Sinisa Pepic, ekonomist me bazë në Banjaluka, tha për Balkan Insight se shitjet e aseteve të Optima Group të mund të jenë një veprim i zgjuar për të grumbulluar me shpejtësi kesh, por gjithashtu mund të jenë një shenjë për diçka më të madhe.

“Kjo mund të jetë një shenjë se Optima Grup po përgatitet për shitje, duke i lënë blerësit vetëm asetet e bizneseve kryesore”, tha Pepic.

Revista Monitor,  13.07.2015