Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bankers nën hetim për shkatërrim të nëntokës

Kompania naftënxjerrëse kanadeze “Bankers Petroleum” do të hetohet edhe për dëmet e shkaktuara në nëntokën e Marinzës në Rrethin e Fierit, konkretisht në atë të pusit P29A, që do të klasifikohet si dëm i shkaktuar shtetit shqiptar. Kjo, pasi nga inspektimi gjeologjik që u krye pas shpërthimit të fontanës së pusit të sipërcituar më datë 1 prill të këtij viti, është konkluduar se nëntoka e Marinzës në këtë zonë është shfrytëzuar jashtë kritereve, duke shkatërruar shtresat në thellësi deri në dy mijë metra. Nga burime të gazetës mësohet se raporti i ekspertëve të gjeologjisë tashmë është depozituar në Prokurorinë e Fierit, e cila po heton për të gjitha dëmet e shkaktuara, shkaqet që kanë çuar në shpërthimin e fontanave dhe të dëmeve të shkaktuara si në banesat e qindra banorëve e në tokat e tyre, ashtu edhe në shtresat nëntokësore. Burimet saktësojnë se në raport thuhet se procesi i nxjerrjes së naftës gjatë viteve të fundit në këtë zonë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në shtresat nëntokësore, duke i bërë ato të paqëndrueshme. Sipas ekspertëve, shpimet horizontale kanë devijuar disa herë nga këndet në të cilat duhej të kryheshin, duke sjellë pasoja të rënda për nëntokën. Ndërkohë, ekspertët mësohet të kenë ngritur dyshimet se dëmet e shkaktuara në shtresat nëntokësore që arrijnë deri në dy mijë metra thellësi mund ta bëjnë edhe terrenin sipërfaqësor të paqëndrueshëm në të ardhmen. Kjo, paqëndrueshmëri mund të sjellë edhe pamundësinë e banimit apo të shfrytëzimit të tokave bujqësore në zonën e Marinzës, duke i kthyer aty në të rrezikshme dhe të pavlera, pohojnë burimet. Ato shtojnë se prokuroria është duke e vlerësuar raportin e gjeologëve dhe pritet që së shpejti të kërkojë kryerjen e një ekspertimi të dëmit të shkaktuar në nëntokën e Marinzës, që është prekur nga pusi P29A ku shpërtheu fontana e gazit. Ndërkohë, mësohet se dëmi do të klasifikohet si dëm i shkaktuar shtetit, pasi nëntoka nuk u përket banorëve të zonës, por vetë shtetit shqiptar. Si dëme shkaktuar shtetit pritet të klasifikohen edhe shkatërrimet e shkaktuara nga shpërthimet e fontanave të gazit në rrugët automobilistike, në kanale apo në sipërfaqe toke e banesa që nuk u përkasin banorëve. Hetimi i Prokurorisë së Fierit është shtrirë edhe në ndotjen e shkaktuar si pasojë e çlirimit të gazit dhe dëmeve shëndetësore të qindra banorëve. Gjithashtu, organi i akuzës ka nisur edhe hetimin për veprimtarinë financiare të kompanisë “Bankers Petroleum”. Kjo e fundit dyshohet se mund t’u jetë shmangur detyrimeve të tatimfitimit për vitet e fundit, duke deklaruar se është duke shlyer ende investimet e kryera. Prokuroria e Fierit ka nisur procedim penal ndaj drejtorit të përgjithshëm të kompanisë “Bankers Petroleum” dhe gjashtë drejtuesve e teknikëve të dy kompanive të tjera nënkontraktuese, që të gjithë me shtetësi të huaj, të cilët kanë kryer e menaxhuar punimet e shpimit të pusit P29A në Marinëz të Fierit, ku më datë 1 prill shpërtheu fontana e gazit, e cila dëmtoi qindra banesa e sipërfaqe të mëdha të terrenit sipërfaqësor e nëntokësor.

Gazeta Shqip,  13.06.2015