Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE fillon investimet edhe në Spitallë

Pas Paskuqanit dhe Babrrusë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka filluar fazën e investimeve në zonat më problematike të Durrësit. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri, drejtori i OSHEE-së Z.Adrian Çela dhe Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako inspektuan fillimin e punës në zonën e Ish-Kënetës.

Drejtori i OSHEE-së sqaroi se projekti parashikon kryerjen e investimeve të ndara në disa segmente. “Sot inaugurojmë fillimin e punimeve për LOT 1 në zonën e ish-Kënetës në Durrësin e ri. LOT 1 ka një vlerë prej 83 milion lekë të reja. Brenda javës tjetër do të fillojnë punimet për LOT 2 që shkon në 360 milion lekë të reja ndërsa janë edhe tre LOT-e të tjera. Totali i investimeve në Durrës shkon në 800 milion lekë të reja. Pra, investime që shkojnë për zonën e ish-Kënetës, Spitallës dhe Sallmones. Parashikohet të investohet për ndërtimin e 60 kabinave të reja, shtyllave, zëvendësim të rreth 50 kilometër kabllo të tensionit të mesëm dhe rreth 30 kilometër kabllo të tensionit të ulët ABC”, u shpreh Z.Çela.

Ministri i Energjisë Z.Gjiknuri tha se investimet po përqëndrohen tek zonat që kanë patur më shumë problem me energjinë elektrike, tek zonat që kanë humbjet më të mëdha dhe që meritojnë furnizim më të mirë me energji elektrike.

“Qeveria shqiptare dhe Operatori i Shpërndarjes kanë ndërmarrë një plan të gjërë investimesh në sektorin energjitik gjë që do të materializohet me shërbim më të mirë për popullatën, ulje drastike të humbjeve, por mbi të gjitha do të bëjë që qytetarët ta ndjejnë se kontributi që ata kanë dhënë me pagesat e energjisë, patjetër do tu kthehet në një shërbim më të mirë. Sektori energjitik, rimëkëmbjen po e fillon jo vetëm me arkëtime dhe situatë financiare më të mirë por mbi të gjitha po kryen investimet aq shumë të munguara prej vitesh në shpërndarje”, sqaroi Z.Gjiknuri.

Kryebashkiaku në detyrë i Durrësit Z.Vangjush Dako falënderoi kompaninë për përfshirjen e këtyre zonave problematike në planet e investimeve.

“Pas shumë investimeve në infrastrukturë dhe furnizim me ujë, ky investim është tej mase i rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve të kësaj zone. Dua të falenderoj sërish kompaninë OSHEE për rreth 8 milion dollar investime që do të realizojë në Bashkinë e re të Durrësit, investime nga të cilat janë përfitues të drejtpërdrejtë qytetarët por janë të vlefshme edhe për sektorin e turizmit”, u shpreh Z. Dako.

Sipas të dhënave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në zonën e ish-Kënetës, Spitallës dhe Sallmones niveli i humbjeve në rrjet shkon në rreth 45%. Kryerja e investimeve parashikon zbritjen e nivelit të humbjes për këto zona deri në masën 12%. Projekti do të zgjasë 3-6 muaj dhe do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji për mbi 10 mijë familjarë e biznese.

energjia.al  12.06.2015