Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tregu i naftës, evazioni 90 mln USD

Të ardhurat në buxhetin e shtetit llogaritet të rriten deri në 90 milionë dollarë, si efekt i operacionit për kontrollin e tregut të karburanteve. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, i cili ishte dje në terren për inspektimi e aksionit, deklaroi se, “nga të dhënat e fundit është shtuar shumë më tepër deklarimi dhe prerja e kuponëve tatimorë. Pikërisht për shkak të këtij operacioni, janë shtuar në një masë të madhe deklarimet e xhiros reale, që do të thotë më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit”. I pyetur se sa janë shtuar këto të ardhura, Gjiknuri njoftoi se, “nga të dhënat e fundit janë 10% më shumë kuponë tatimorë në këtë periudhë. Do të thotë që po luftohet një pjesë e errët që ka pasur të bëjë me shmangiet fiskale dhe që është shumë e rëndësishme, mbi të gjitha për vetë qytetarin shqiptar. Pse ka rëndësi kjo? Së pari, garantohet mbrojtja e qytetarit nga standardi i hidrokarbureve dhe së dyti, qytetarët shohin të mbrohet paraja e tyre, pra buxheti i shtetit”. Evazioni ka qenë i madh, sipas ministrit, edhe për shkak të manovrimeve që kanë bërë shumë pika të ndryshme karburanti në lidhje me përdorimin e pompave manuale, me pretendimin se gjoja nuk funksiononte pompa automatike. Tregu me pakicë i hidrokarbureve në Shqipëri është tregu më i madh në vend me një xhiro vjetore 1.3-1.4 miliardë dollarë, me ndikim të fuqishëm në qëndrueshmërinë dhe rritjen ekonomike. Nga kjo shumë, afro 60% shkon në buxhet në formën e TVSH-së, akcizës dhe taksave të tjera. Gjatë vitit 2014, janë importuar 481777 tonë karburante, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Duke dhënë detaje për kontrollin, ministri Gjiknuri deklaroi se “në këtë operacion janë së bashku disa institucione. Në krahun tim ndodhet edhe drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror, Teknik dhe Industrial, pra ai që deri dje njihej si IQT. Ky inspektorat përgjegjës po ushtron të gjitha kompetencat brenda kapaciteteve ligjore, për të mbrojtur konsumatorin shqiptar dhe për të mbrojtur tregun përmes standardeve të kërkuara”. Operacioni, tha ministri, ka një intensitet të lartë, deri më tani kanë kaluar në filtër mbi 16% e subjekteve që tregtojnë karburante. Sipas Gjiknurit, konstatimet kryesore deri më tani kanë të bëjnë kryesisht me problematikën e evazionit fiskal, gjithashtu në disa raste edhe shmangia nga standardet. Përveç revokimeve të licencave, përmes ndryshimeve ligjore të bëra në vitin e fundit, i është dhënë fund edhe procesit të përpunimit të naftës bruto në mënyrë të pakontrolluar. “Ato impiante tanimë nuk marrin më naftë bruto dhe nuk janë të gjendje më të kontaminojnë produktet, pasi duhet të respektojnë standardet. Impiantet nuk kanë më të drejtë të përpunojnë naftë bruto dhe me udhëzimet që kam nxjerrë si ministër, me aktet që ka nxjerrë qeveria, kompanitë që prodhojnë naftë bruto janë të detyruara të furnizojnë vetëm rafineritë në Shqipëri. Ju e dini se sa rafineri ka, janë dy të tilla dhe ato janë të vetmet që e bëjnë përpunimin dhe eksportojnë përmes pikave të miratuara”, sqaroi Gjiknuri. Më parë impiantet lejoheshin të bënin përpunimin e naftës bruto. Për kontrollin e standardeve të karburanteve, ministri deklaroi se qeveria, vitin e kaluar, ka kryer investime dhe do të vazhdojë të kryejë, në mënyrë që laboratori për kontrollin e cilësisë të jetë brenda të gjitha parametrave. “Duhet ta themi se disa produkte shqiptare, të cilat prodhohen këtu, kanë pasur mundësi të eksportohen dhe në vendet fqinje. Certifikimet e laboratorit kanë qenë të njohura nga këto vende dhe kanë kaluar testin e cilësisë”, deklaroi Gjiknuri për produktet e rafinerive vendase, pa specifikuar se cilat ishin ato. Duke folur për firmat që manipulojnë cilësinë, Gjiknuri deklaroi se, së fundi, publiku e ka mundësinë të marrë informacione në ëebsit-et e institucioneve, si të Inspektoratit, si të Ministrisë në lidhje me ato subjekte që bëjnë shmangien. Kjo, vazhdoi Gjiknuri, është shumë e rëndësishme pasi dikur ka qenë problem publikimi. Me ndryshimet ligjore, të ndodhura vitin e kaluar, nuk është më sekret emri i shoqërive, emri i stacioneve të karburantit, të cilat shesin produkte jashtë standardit apo kanë probleme të tjera. “Ato subjekte të cilave ju është hequr licenca, nuk mund të operojnë më në treg. Ne po bëjmë edhe disa ndryshime ligjore, që kanë të bëjmë me sekuestrimin e mallit. Në të ardhmen, shteti do t’i ketë të gjitha instrumentet për të ndëshkuar çdo lloj abuzimi në këtë sektor”, paralajmëroi Gjiknuri. Drejtuesja e Inspektoratit Shtetëror, Teknik dhe Industrial, Ejana Xhixha, deklaroi se laboratori i Inspektoratit është i akredituar që në vitin 2012 dhe kryen një gamë e gjerë ekzaminimesh. 84 prova janë të akredituara nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, duke garantuar një ekzaminim të sigurt në lidhje me rezultatet dhe certifikimet e cilësisë që kryhen për produktet që tregtohen brenda territorit të Shqipërisë. “Në total, me mostrat e marra për kontrollin e cilësisë, kemi vetëm 6% të produkteve që kanë tejkalim të standardit”, deklaroi Xhixha.

Gazeta Shqip,  22.05.2015