Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hidrokarburet, aksioni në favor të qytetarëve

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj ka qenë sot në terren së bashku me grupin ndërinstitucional të punës, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Doganave, Metrologjisë, Inspektoriati Qendror Teknik, Policia e Shtetit dhe koncesionari i markimit të karburanteve, të cilët po zhvillojnë inspektime në pikat e tregtimit të karburanteve, në kuadër të aksionit për rimëkëmbjen e sektorit.

Duke u ndalur në një nga pikat e tregtimit me pakicë në zonën e Saukut në Tiranë, Ministri Ahmetaj vëzhgoi nga afër procesin e kontrollit sa i përket fiskalizimit si dhe verifikimit për respektimin e standardeve të sasisë dhe cilësisë.

Në një prononcim për mediat Ministri u shpreh se “aksioni po ecën jashtëzakonisht shumë mirë. Nga drejtoria e Tatimeve ka raportime të rritjes së konsiderueshme të kuponëve tatimorë dhe në fund të muajit do të shohim dhe rritjen e vlerave.  Me këto ritme, në krye të besoj tre- katër muajve do të jetë kontrolluar në detaje, për të gjithë komponentët, i gjithë numri i pikave të shitjes me pakicë në të gjithë Republikën. Dhe nuk i referohem vetëm rrugëve nacionale, por i referohem çdo cepi të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, theksoj se ka një reagim të shpejtë edhe nga kompanitë. Unë dua të ndaj me ju se i gjithë aksioni është në favor të qytetarëve, për të rritur cilësinë e atij karburanti që harxhohet nga makinat e qytetarëve, për të qenë korrekt me sasinë, për të ulur informalitetin, për të mbrojtur ambientin dhe për të disiplinuar një herë e mirë të gjithë këtë sektor”.

Përsa i takon kontrolleve të ushtruara deri më tani Ahmetaj tha se “janë kontrolluar deri më sot 160 subjekte. Grupet e punës janë në raportim ditor dhe besoj  kjo ka qenë një pjesë shumë e mirë e organizimit të aksionit. Besoj patë edhe të gjithë testet që u bënë për fiskalizimin e qendrave. Sot mund të themi që nuk ka më pompa manuale nëpërmjet të cilave ushtrojnë edhe evazion dhe shitja me pakicë është mbyllja e rrethit të parë të informalitetit dhe jam i bindur që në krye të gjashtë muajve, kur aksioni do të nxjerrë rezultatet përfundimtare, situata në sistemin hidrokarbur, qoftë në import, qoftë në shitjen me pakicë, qoftë në prodhimin vendas, qoftë në lëvrimin të naftës bruto apo të naftës së importit, do të jetë nën kontroll të plotë nga administrata fiskale dhe nga administrata të tjera që janë të përfshira në aksion”.

Sa i përket zonave më problematike për abuzimet me cilësinë, Ministri tha se “problemet e cilësisë, kur evidentohen të tilla, janë në zona të ndryshme të vendit. E njëjta gjë ndodh edhe me informalitetin. E njëjta gjë ndodh edhe me saktësinë e aparaturave. Pra,  nuk është se kemi një lokalizim të problematikës vetëm në një apo disa zona. Krimi ekonomik, ka qenë prezent gjatë gjithë kohës dhe ka vepruar në harmoni të plotë me grupin e punës dhe është duke dhënë rezultate shumë të mira. Nuk është thelbi se sa janë arrestuar apo sa janë në ndjekje penale. Patjetër që ka të arrestuar në flagrancë. Patjetër që ka në ndjekje penale. Janë 23 licenca të revokuara. Ka pika të mbyllura, të bllokuara. Ka mall të sekuestruar. Depozita të bllokuara. Thelbi është tek reagimi pozitiv që po vjen në treg, qoftë përsa i përket fiskalizimit, qoftë përsa i përket cilësisë, qoftë përsa i përket sasisë. Janë masa që shkojnë në favor të drejtpërdrejtë të qytetarit”.

Për efektet që ky aksion do të ketë në luftën që qeveria i ka shpallur informalitetit, Ahmetaj tha se “çdo rritje ekonomike e ka bazën te shteti ligjor. Nuk ka rritje ekonomike pa shtet ligjor. Janë binom që jetojnë bashkë dhe të gjithë këto masa shkojnë drejt shtetit ligjor edhe në ekonomi. Ulja e informalitetit, sigurisht që injekton në zinxhir më shumë xhiro ekonomike, fut në buxhet më shumë të ardhura dhe garanton qytetarët që marrin atë që paguajnë. Kjo është shumë e rëndësishme. Beteja me informalitetin është një betejë e vazhdueshme. Sinjale janë pozitive. Janë sinjale pozitive në energjinë elektrike, sinjale shumë të mirë në gjithë zinxhirin e vlerës përsa i përket fiskalitetit. Ka sinjale shumë pozitive në hidrokarbure”

Në mbyllje, Ministri gjeti rastin të falënderonte grupet e punës për ecurinë e deritanishme të aksionit dhe shtoi se në vijim kontrollet do të rriten nga 11 në 15 kontrolle në ditë.

***

Ndërkohë nga të dhënat e përpunuara nga grupet e punës për rezultatet e kontrollit në terren nga data 4 – 16 maj, rezulton si më poshtë:

  • Janë ushtruar kontrolle në 160 subjekte
  • Janë   gjobitur 5 operatorë  për shkelje në lidhje me aparatet dhe instrumentet matëse
  • Në subjektet e kontrolluara, janë marrë për analiza të cilësisë së karburantit 240 mostra gazoili dhe benzinë.  Në 14 raste janë konstatuar  shmangie nga standardi dhe janë ndërmarrë masat përkatëse administrative. Janë bllokuar pikat e karburantit në 19 raste. Janë vendosur penalitete në 11 raste dhe është sekuestruar 1 pikë për shkelje në fushën e tatimeve dhe taksave.
  • Strukturat e Krimit Ekonomik dhe Financiar,  kanë  konstatuar 42 raste me shkelje të cilat janë  proceduar  penalisht për fshehje  të ardhurash. Nga këto:
  • 5 janë denoncuar njëkohësisht edhe për ruajtje magazinim dhe tregtim të mallrave të kontrabandës, si dhe
  • 2  edhe  për mashtrim me cilësinë
  • 6  persona  janë arrestuar në flagrancë,
  • 2  persona  janë shpallur në kërkim,
  • 28  persona janë në ndjekje të lirë
  • 6 pika tregtimi janë bllokuar

Aksioni vazhdon!

energjia.al  20.05.2015