Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bizneset e rrjetit 35kv dhe 10kv, me çmim importi

Ligji i ri për liberalizimin e tregut të energjisë i detyron klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV të dalin në tregun e liberalizuar jo më vonë se data 31 dhjetor 2015. Por Ministria e Energjetikës në planin e veprimit për zhvillimin e sektorit të energjisë në tre vitet në vijim pohon se njësitë tregtare dhe industriale do të përballem me rritje të çmimeve.

“Plani supozon që konsumatorët e rrjetit 35kV dhe 10 kV të lënë tarifat e rregulluara dhe të paguajnë çmimet bazuar në çmimet e importit. Kjo do të rezultojë në një rritje për disa konsumatorë duke i ekspozuar ata ndaj rreziqeve që do të paraqesin çmimet rajonale të energjisë në të ardhmen”, referon dokumenti i dikasterit të Gjiknurit.

Gjithashtu në dokument lajmërohet se grupet e interesit bizneset e mëdha që preken nga ky fakt do të ushtrojnë presion politik për të mbetur si konsumator normal dhe kjo duket se, mund të cenojë thelbësisht zbatimin e ligjit.

Klientët e lidhur në tension 20 kV, do të shkëputen nga rrjeti i OSHEE jo më vonë se data 31 dhjetor 2016, ndërsa klientët e lidhur në nivelin e tensionit 10 kV dhe 0,6 kV, jo më vonë se data 31 dhjetor 2017.

Deri në vitin 2018, 40% e tregut synohet të liberalizohet në këtë mënyrë

Afatet nuk japin shumë kohë, ndërkohë ligji që është miratuar nuk jep modelin e tregut që do të ndiqet. Këtë kompetencë e ka qeveria, e cila, një vit pasi të ketë hyrë ligji në fuqi, do të përcaktojë edhe specifikat. Metodologjitë dhe rregulloret që e bëjnë ligjin funksionues do të miratohen një vit pasi ligji të ketë hyrë në fuqi, por ndërkohë kanë mbetur vetëm 7 muaj nga fillimi i liberalizimit të tregut .

Revista Monitor, 20.05.2015