Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qymyri zbeh perspektivat e Ballkanit për në BE

Pranimi në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ecë paralelisht me aksionet e mjedisit dhe klimës, shkruan Dragana Mileusnic për “EurActiv”.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, që kërkojnë të bashkohen me BE-në, nuk kanë bërë pothuajse asnjë përparim në përafrimin e politikave të tyre mjedisore dhe klimatike me parimet e BE-së. Në fakt, ata po reduktojnë shanset e anëtarësimit të tyre në BE, me mbështetjen e investimeve të dëmshme mjedisore dhe sociale të qymyrit.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë pengesa për të kapërcyer në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ato duhet t’i drejtojnë ekonomitë e tyre në rrugën e duhur, të përballen me korrupsionin si dhe të zgjidhin çështje të shumta dypalëshe. Me reformat që do të udhëhiqnin pranimin e tyre drejt BE-së, ata po transformohen ngadalë për t’u kthyer në shtete më të mirë funksionale.

Një nga gjërat që qeveritë e këtyre vendeve shpesh neglizhojnë përballë ‘kaosit’ të mosmarrëveshjeve politike është miratimi i politikave mjedisore dhe klimatike të BE-së. Ky është një nga kapitujt më të kërkuar të negociatave për anëtarësim, që përbën rreth një të tretën e legjislacionit të përgjithshëm që ka nevojë për riorganizim. Deri më tani, përfaqëson edhe kapitullin më të kushtueshëm për t’u zbatuar: një vlerësim konservator thotë se vetëm Serbia do të shpenzojë 10.5 miliardë për të. Kjo është afërsisht një e katërta e PBB-së së Serbisë.

eu flag flamur be bashkimi europianPlotësimi i standardeve mjedisore të BE-së nuk përbën vetëm një sfidë, por edhe një mundësi. Të dhënat tregojnë se çdo euro e investuar në arritjen e standardeve mjedisore të BE-së gjeneron 17 euro përfitime mjedisore dhe shëndetësore. Reduktimi i ndotjes jo vetëm që shpërblen dhe është një parakusht për anëtarësim, por më e rëndësishmja është se ai gjithashtu shpëton jetë.

Megjithatë, qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor vazhdimisht i vonojnë reformat e sektorëve të tyre të mjedisit dhe të energjisë. OJQ-të paralajmërojnë se situata po përkeqësohet realisht, veçanërisht kur është fjala për ndotjen nga industritë intensive, sikundër janë uzinat e qymyrit.

Vetëm muajin e kaluar, Serbia zgjeroi të drejtën e industrisë në ndotjen e rëndë të ajrit, tokës dhe ujit deri në fund të 2020-s, në vend të 2015-s. Në fillim të këtij viti, vendi vendosi gjithashtu të avanconte me kredinë prej rreth 600 milionë eurosh nga Kina, në ndërtimin e një njësie të re të termocentralit të qymyrit të quajtur Kostolac B3. Ky përfaqëson aktualisht një nga projektet më të avancuara përballë valës së termocentraleve të reja të qymyrit të planifikuara në Ballkan. Nëse realizohen, ata të gjithë do të kenë ndikime shkatërruese klimatike, mjedisore dhe sociale.

Qymyri nuk ka vend në të ardhmen e energjisë. Në BE qymyri është tashmë në rënie për shkak të standardeve të rrepta të ndotjes dhe zhvillimit të shpejtë të energjisë së rinovueshme. Si rezultat, kompanitë e mëdha të energjisë të tilla si E.ON e Gjermanisë, kanë vendosur të përqendrohen në zgjidhje të energjisë së pastër që bëjnë më shumë sens për të ardhmen. A nuk duhet që vendet e Ballkanit të nxjerrin mësime nga gabimet e investimeve në qymyr prej vendeve të tjera sesa t’i bëjnë vetë këto gabime dhe më pas të nxjerrin mësime?

Lajm i mirë është se institucionet e BE-së nuk po qëndrojnë më në heshtje lidhur me këtë çështje. Parlamenti Europian u ka dërguar një mesazh të qartë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Hyrja në BE duhet të jetë në linjë me përmirësimet mjedisore dhe aksionet klimatike, sikundër referohet në rezolutat parlamentare të miratuara në muajin mars. Eurodeputetët u kanë bërë thirrje vendeve të rishikojnë planet e tyre në sektorin e energjisë dhe Serbisë të parandalojë ndihmën shtetërore për qymyrin.

Kryetarët e delegacioneve të Ballkanit Perëndimor në Parlamentin Europian shkuan edhe më tej. Ata i drejtuan një letër zëvendëspresidentit Šefčovič dhe komisionerit Arias Canete, duke i kërkuar standarde të barabarta mjedisore për Ballkanin në mënyrë që rajoni të mos kthehet në terren hedhurinash për projektet e pista të energjisë. Kjo pritet të sigurohet nëpërmjet një reforme të duhur të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, e cila e sjell Ballkanin me BE-në një kuadër të përbashkët ligjor që trajton energjinë dhe çështjet e lidhura me të. Është e qartë se trajtimi i problemeve mjedisore në Ballkan duhet të fillojë tani. Përndryshe, do të duhen vite derisa vendet të plotësojnë kushtet për anëtarësim në BE.

Revista Monitor, 10.05.2015