Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Si po i kompesohet energjia pensionistëve

Zbardhen pagesat për kompensimin e energjisë, pas heqjes së fashës mbrojtëse, 300 kilovat orë. Nëpërmjet një tabele, ku specifikohen rrethet dhe shifrat përkatëse, Ministria e Financave bën të ditur se janë shpërndarë kompensimet për periudhën shkurt –maj, dhe vlera e paguar kap shumën e 214 milionë lekë. Ndërkohë janë në proces shqyrtimi me të drejtë tërheqje nga 1 shkurti, 7449 raste dhe vlera e kompensimit për këtë kategori është 14.482.000 lekë.

Sipas Ministrisë së Financave, çelja vjetore për kompensimin e energjisë elektrike për të gjitha kategoritë përfituese, që ka kaluar në fondin e sigurimeve shoqërore, është 636 milionë lekë. Ndërkohë që janë dërguar dokumentet për tërheqjen nga thesari të fondeve për pagesat e majit si dhe shtesat në numër për shkak të kërkesave të reja në vlerën 57 818 mijë lekë. Deri tani numri mesatar i përfituesve po arrin rreth 88 mijë persona.

Kërkesat

Kërkesat e reja shqyrtohen me të drejte pagese nga 1 shkurti 2015 që i përgjigjet energjisë së konsumuar dhe paguar nga fillimi i muajit janar. Procedurat për mbrojtjen e shtresave në nevojë, për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 kilovat/orë në muaj. Shuma që secili prej këtyre kategorive që do të marrë si shtesë automatike në pagesën e familjes së vet është 648 lekë në muaj.

Pensionistët, ja dokumentet për të fituar shtesën

Për të gjithë pensionistët, të cilët nuk e kanë marrë shumën e kompensimit të energjisë elektrike, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka shtyrë afatin për plotësimin e formularit deri në muajin qershor. Institucioni njofton se, kush dorëzon dokumentet, i merr edhe paratë e prapambetura që nga muaji janar. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, të zyrtarizuar një javë më parë, kategoria e pensionistëve e merr kompensimin, vetëm në rast se nuk ka asnjë të punësuar në certifikatën familjare.

Pra, në rast se kryefamiljari është pensionist dhe ka një djalë apo vajzë në punë, atëherë nuk përfiton shtesën 648 lekë. Nga ana tjetër, në rast se familja ka dy pensionistë, atëherë përfitimi merret vetëm nga njëri prej tyre, kryefamiljari. Të 81 mijë pensionistët që aktualisht marrin kompensime të vjetra, duhet të plotësojnë formularin në degët e ISSH-së. “Deklarata plotësohet nga pensionisti dhe, së bashku me dokumentet shoqëruese, do të dorëzohet në agjencinë e qytetit, ku banon pensionisti”, thekson ISSH-ja.

Pensionistët, së bashku me deklaratën, duhet të paraqesin pranë agjencive lokale të sigurimeve shoqërore të vendbanimit fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit; certifikatën familjare për invalidët; për anëtarët madhorë të familjes vërtetimin nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë; fotokopje të kontratës së furnizimit me energji elektrike, e cila është në emër të kryefamiljarit, e vërtetuar me firmën e pensionistit; fotokopje të librezës së energjisë elektrike, që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara. ISSH sqaron se, “nga kompensimi nuk përjashtohen pensionistët dhe invalidët që kanë pension fshati, por banojnë në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose vetëpunësuar”.

Gazeta Shekulli, 05.05.2015