Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Protesta për HEC-et mbi Vjosë

Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës, me bukuri të rralla natyrore. E megjithatë edhe në këtë lum me degët e tij (Lengarica, Bënça etj.), si në të gjithë lumenjtë e tjerë të Shqipërisë, janë parashikuar për t’u ndërtuar hidrocentrale. Përgjatë lumit të Bënçës janë parashikuar 5 HEC-e. Dy prej tyre janë në ndërtim e sipër, të cilat do të shkatërrojnë monumentet e natyrës si Kanionet e Nivicës dhe Tarracën erozive të Bënçës. Gjithashtu nga ndërtimi i HEC-eve rrezikohen monumentet kulturore si Akuadukti i famshëm dhe Teqeja e Bënçës.

Pikërisht për të protestuar kundër HEC-eve në lumin Bënçë dhe në të gjithë Vjosën, në dt. 29 prill, rreth 130 njerëz shkuan pranë zonës ku do të ndërtohet një HEC në lumin Bënçë, për të kundërshtuar fuqimisht HEC-et. Protestuesit ishin banorë nga fshati Bëncë, Selenicë etj., kryetari i fshatit Bënçë, specialistë mjedisi, përfaqësues të organizatave mjedisore, studentë, gjimnazistë etj.

Përfaqësues nga Qendra “Grupimi Ekolevizja” dhe Milieukontakt International Albania ishin të pranishëm në protestë duke e mbështetur nismën e organizatës EcoAlbania për të mbrojtur lumin e Vjosës me degët e saj nga HEC-et dhe shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

Kryetari fshatit Bënçë, z. Felek Mucaj në fjalën e mbajtur përpara protestuesve tha: “ Këto HEC-e duhen ndaluar pasi do të shkaterrojnë mjedisin, ekosistemin dhe do t’a kthejnë luginën në një shkretëtirë. Kemi kërkuar takim me ministrin Gjiknuri po deri më sot kemi marrë heshtje. Për këtë kemi nevojë për ndihmën tuaj”.

Këtë nismë e mbështet edhe Valentina Leskaj, e cila i ka bërë një letër Ministrit të Energjisë z. Damian Gjiknuri, ku i shpreh shqetësimin për ndikimin mjedisor të HEC-eve në lumin Bënçë.

Ulrich Eichelmann, nga RiverWatch u shpreh: “Lumi i Vjosës është i jashtëzakonshëm, i cili ka një ekosistem që nuk gjendet në të gjithë Europën. Vjosa nuk është vetëm lumi por edhe degët e tij Lengarica, Bënça. Ne duam të mos ndërtohet asnjë digë jo vetëm në Vjosë por edhe në degët e saj pasi duam ta shpallim park kombëtar, jo vetëm për ekosistemin por edhe për të ardhmen ekonomike. Nëse ndalohen ndërtimet në Bënçë do ndalohen ndërtimet edhe në degët e tjera. Unë dhe të gjthë do të ndihmojmë për të ndaluar ndërtimin e HEC-it në Bënçë” –e mbylli fjalën e tij z. Eichelmann.

Një përfaqësuese e komunitetit të Selenicës u shpreh në protestë: “Kemi nevojë për ujë, ajër, jetë na lini të jetojmë”.

Ndërsa ambjentalisti Lavdosh Ferruni u shpreh se: “HEC-et e Bënçës nuk do të bëhen, këtë e shoh në sytë tuaj, në entuziazmin tuaj”.

Grupi Bënçës këndoi një këngë nga zona, për të evidentuar vlerat e zonës edhe në muzikë.

Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, ku bënte përshtypje pjesëmarja masive e të rinjve me pankarta në duar, me slogane nga më të ndryshmet kundër HEC-eve në lumin Vjosa dhe degët e tij.

Ekolëvizja, 02.05.2015