Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konfiskimi i miliona eurove dhe borxhi i CEZ

Prokuroria e Tiranës ka rifilluar hetimet për kompaninë private që ka mbledhur borxhet e CEZ-it, gjatë kohës që administrohej nga pala çeke. Njësia Task-Forcë thotë se kjo çështje ishte verifikuar pak kohë më parë, ndërsa kishte edhe një vendim për pushimin e hetimeve, çka solli që çështja të mbetej pezull për muaj me radhë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm vendosi të shfuqizojë vendimin e pushimit të hetimeve dhe të rihetojë kompaninë, me administrator Kastriot Ismailajn. Mësohet se objekti i hetuesve do të jetë mbledhja nga kjo kompani e mbi 6 milionë USD në periudhën korrik-dhjetor 2012.

Ndërkohë, akuza thotë se verifikime do të bëhen edhe për tetë kompani të tjera, që bashkë me firmën e zotit Ismailaj, kanë marrë mbi 12 milionë USD. Akuza ka dyshime se ky aksion është bërë fiktiv, pasi këto subjekte nuk kanë bërë ndonjë aksion në terren. Sipas një kontrate me CEZ, këto subjekte merrnin gjysmën e borxhit të prapambetur. Kështu, nëse një abonent kishte 100 milionë lekë detyrime dhe e kishte paguar në periudhën korrik-dhjetor 2012, atëherë gjysma e kësaj shume, pra 50 milionë lekë, kalonte direkt në arkat e firmës në fjalë dhe gjysma tjetër në arkat e CEZ-it. Kontrata në fjalë është prishur menjëherë sapo CEZ-i, që më vonë mori emrin OSHEE, u rishtetëzua.

Ndërkohë, pak javë më parë, akuza i kërkon gjykatës konfiskimin e llogarive bankare në shumat 3.2 milionë USD dhe 450.000 euro në emër të Kastriot Ismailajt. Burime nga akuza qendrore pohojnë se Prokuroria e Tiranës po e heton Ismailajn për mashtrim. “Në shtator 2014, nga ana e Prokurorisë së Tiranës është regjistruar procedimi penal i vitit 2014 për veprën penale të Pastrimit të Produkteve të Veprës Penale. Në këto kushte, rezulton se Kastriot Ismailaj, është subjekt i hetimit pasuror edhe sipas ligjit ‘Antimafie’. Në interes të këtij procedimi, Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestrimin e llogarisë së shoqërisë ‘Adriatic Develoment Corporation LTD’, në një bankë të nivelit të dytë, si dhe sekuestrimin e llogarive. Këto llogari dyshohen se janë produkte të veprës penale për të cilën hetohet edhe shtetasi Kastriot Ismailaj”, thotë akuza qendrore.

Nga aktet e dosjes rezulton se Ismailaj ka rënë në dijeni të faktit se llogaritë e tij bankare janë të bllokuara me vendim gjykate, vendime ndaj të cilave ka ushtruar edhe ankim në gjykatën më të lartë. Nga koha që llogaritë bankare janë bllokuar subjekti i interesuar nuk ka sjellë akte ose memo për të kërkuar dokumentacion të cilat të tregojnë burimin e ligjshëm të të ardhurave për të justifikuar llogaritë e sekuestruara. Provohet se këto pasuri janë krijuar pas muajit janar të vitit 2010, që është koha e hyrjes në fuqi të ligjit ‘Antimafie’”, thotë akuza, e cila shton se nga verifikimet pasurore të kryera nga ana e prokurorisë rezulton se shtetasi Kastriot Ismailaj nuk justifikon dot zotërimin e këtyre llogarive, si dhe burimin e ligjshëm të këtyre llogarive.

Gazeta Shqip, 03.05.2015