Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Do priten 600 ha pyje për 5 HEC-e

Nga Rita Strakosha

600 ha pyll do të priten në Shkodër e Lezhë për ndërtimin e 5 HEC-eve: HEC-Gojan, HEC-Gjegjan, HEC-Peshqesh, HEC-Ura e Fanit, HEC-Fang nga kompania “Ayen As Energy”. Marrëveshja e konçesionit për hidrocentralet është lidhur në vitin 2011, 1 ndër HEC-et është ndërtuar dhe fillon operimin në prill, kurse HEC-et e tjerë janë në ndërtim e sipër. Bëhet fjalë për një investim prej 20 milion eurosh.

Deputeti relator në parlament për aprovimin e heqjes nga fondi pyjor të këtyre pyjeve, Z. Besnik Baraj, u shpreh në parlament se “personalisht jam skeptik dhe nuk e mbështes këtë lloj procesi ku në territorin e Shqipërisë të bëhen 400-500 hidrocentrale, të cilët kanë një impakt të padiskutueshëm mjedisor dhe, për mendimin tim, në dhënien e koncesioneve nuk është bërë një vlerësim real i impaktit mjedisor.”

Sipas tij “Nuk mund të pranohen të bëhen pesë hidrocentrale pa bërë një vlerësim strategjik mjedisor, gjë që nuk thuhet në material. Duhet patjetër në rrethanat kur ka efekte kumulative, veçanërisht gjatë një rrjedhje të mos bëhet vlerësimi strategjik mjedisor.”

Projekt-ligji i debatuar në parlament parashikon mbjelljen e 400 ha pyll në vend tjetër për të zëvendësuar pyjet e prera. Sipas Z. Bare “Përveç dyshimeve që kam përgjithësisht në përvojat e deritanishme, ku kontratat nuk monitorohen dhe nuk zbatohen detyrimet e palëve, veçanërisht të investitorëve, që shpeshherë i kanë fiktive edhe ndërhyrjet e përmirësimeve në mjedis, nga kjo pikëpamje do të kërkoja nga ana e institucioneve përkatëse, por ndoshta edhe ne si komision, që me rigorozitet të monitorojmë plotësimin e kushteve të kontratës, të detyrimeve që kanë, pasi gradualisht ne po e copëtojmë këtë vend dhe po shkatërrojmë burimet natyrore të saj.”

Sipas Zj. Alba Thoma, drejtoreshë juridike në Ministrinë e Mjedisit, Ministria e Mjedisit ka ngritur një grup pune për të monitoruar ripyllëzimet që bëjnë subjektet.

Në lidhje me mungesën e vlerësimit strategjik mjedisor për 5 HEC-et, Zj. Thoma deklaroi në komisionin parlamentar se është detyra e Ministrisë së Energjisë ta ketë pjesë të dosjes së konçesionit këtë vlerësim. Deputeti Gjergji Papa replikoi se “Ju e dini shumë mirë që Ministria e Mjedisit është përgjegjëse për vlerësimin strategjik të ndikimit në mjedis dhe ju nuk mund t’ia kaloni këtë përgjegjësi kontratës së koncesionit apo Ministrisë së Energjetikës.” Deputetja Mira Shehu njësoj vërejti se “duhet ta kishit bërë këtë vlerësim strategjik dhe duhej të ishit ju përballë institucionit tjetër, Ministrisë së Energjisë, në lidhje me koordinimin.”

Z. Bare kritikoi faktin që 600 ha pyje të prera do të zëvendësohen me më pak sipërfaqe, me 400 ha ripëllëzime. Sipas tij mundësisht të zëvendësohen me 2-3 fishin e sipërfaqes.

Ekolëvizja, 30.04.2015