Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

HEC-et nuk kanë më nevojë për leje mjedisore

Nga Rita Strakosha

Me ndryshimet e miratuara me ligjin nr.12/2015 në ligjin nr. 10440 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, të publikuara në fletoren zyrtare nr. 38/2015, , Qendra Kombëtare e Liçencimit nuk përfshihet më në proçedurën e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Aplikimi bëhet tek Ministria e Mjedisit, ankesat po ashtu. VNM-ja dhe Deklarata Mjedisore publikohen në faqen elektronike të Agjensisë Kombëtare të Mjedisit.

QKL-ja është hequr si hallkë ndërmjetësimi, sepse sipas drejtorit juridik të saj, Z. Flogers Broqi, deklaratat mjedisore dhe vendimet e AKM-së për VNM-të paraprake nuk janë leje apo liçenca, por shkresa (administrative). Ai theksoi se vendimi I AKM-së për VNM-në paraprake, deklarata mjedisore “nuk është akt administrativ që të lejon, por është thjesht vlerësim”. Sipas Znj. Ornela Shoshi, përgjegjëse e sektorit të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe vlerësimit strategjik mjedisor në Ministrinë e Mjedisit, vendimi I AKM-së për VNM-në paraprake si dhe deklarata mjedisore nuk janë as miratues as refuzues. Janë lejet mjedisore që refuzojnë ose miratojnë nga ana mjedisore projektet.

Nuk ka qenë ky mendimi I ministrisë së mjedisit në vitin 2013, kur në udhëzimin nr.4, datë 15.04.2013 “Për dokumentacionin e aplikimit për leje mjedisi të tipit A, B dhe C në Qendrën Kombëtare të Liçencimit” thotë se “Deklarata Mjedisore, e parashikuar në ligjin nr. 10 440, datë 7.7.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” dhe e procedurës së vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 13, datë 4.1.2013, do të trajtohet në nënkategorinë “Leje e integruar mjedisore” me kodin III.1.C, e parashikuar në aneksin I të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 538/2009, por do të quhet “Deklarata mjedisore”. Trajtimi i deklaratës mjedisore do të kryhet në përputhje me ligjin e sipërcituar dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.”

Pra sipas ministrisë së mjedisit të asaj kohe, deklarata mjedisore është leje mjedisore, jo shkresë administrative. Në fakt, ligji për VNM-në i jep dhe të drejtën e ankimit subjekteve kundër këtyre “shkresave administrative”. Nëse nuk do të ishin akte administrative, por thjesht vlerësim, shkresa as miratuese as refuzuese, përse ligji jep të drejtën e ankimit ndaj tyre? Në praktikën administrative vetëm aktet administrative mund të ankimohen, pra aktet me pasoja juridike për subjektet, jo shkresat e brendshme mes ministrive apo këshillat e tyre për subjektet.

Sipas deputetit Besnik Bare, relator I ndryshimeve të ligjit në komisionin parlamentar, deklarata mjedisore është pjesë e dokumenteve të nevojshëm për leje mjedisore. Sipas tij, vetë QKL-ja nuk ka qenë e sigurtë nëse deklarata mjedisore dhe vendimi I AKM-së për VNM-në paraprake janë leje apo liçenca.

Znj. Shoshi shpjegoi me shembuj për deputetët në debatin parlamentar mbi ndryshimet e ligjit si funksionon tashmë deklarata mjedisore:

“Marrim KKT-në. Në momentin që një subjekt duhet të aplikojë te KKT-ja për të marrë lejen zhvillimore, duhet të ketë në dosje vendimin për VNM paraprake apo deklaratën mjedisore që i jep një nga këto sugjerime autoritetit planifikues. Dhe autoriteti planifikues duhet të sigurohet që projekti i është nënshtruar këtyre procedurave. Autoriteti planifikues, marrim rastin se deklarata mjedisore shprehet për refuzimin e lejes zhvillimore, ministria e linjës që e ka propozuar këtë projekt, jep argumentet, përkatëse që me të vërtetë ndikimi në mjedis është i madh, por ky projekt ka përparësi në zhvillimin ekonomik të vendit. Ndërsa leja mjedisore, marrim rastin e një fabrike çimentoje, miratohet në KKT dhe në fund fare zbardhet leja mjedisore duke specifikuar të gjitha kushtet që duhet të përmbushë në lidhje me shkarkimet në ajër, ujë, apo tokë.”

Pra një fabrikë çimentoje mund të ndërtohet dhe nëse ngritja e saj kundërshtohet nga deklarata mjedisore, por aprovohet nga KKT-ja. Pasi KKT-ja e aprovon, Ministria e Mjedisit,”zbardh” lejen mjedisore. Është e detyruar ministria ta japë lejen mjedisore në këtë rast? Nuk është e qartë nga ligji.

Pasoja tjetër e këtij interpretimi të ri të ligjit është që hidrocentralet nuk kanë më nevojë për leje mjedisore. Hidrocentralet nuk janë në listën e aktiviteteve që duhet të marrin leje mjedisore sipas ligjit nr. 10448 “Për lejet mjedisore”. Në aneksin e këtij ligji përfshihen aktivitetet e industrisë energjitike që duhet të kenë leje mjedisore, ku HEC-et mungojnë. HEC-et janë në listën e aktiviteteve që duhet të kenë VNM, në ligjin “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” por me interpretimin e ri të ligjit Deklarata Mjedisore dhe vendimi I AKM-së për VNM-në paraprake janë shkresa përshkruese për tu marrë ose jo parasysh nga ministritë e tjera. Përjashtim bëjnë HEC-et në zonat e mbrojtura, të cilat duhet të pajisen me leje mjedisore. Bëhet fjalë për qindra HEC-e që po ndërtohen dhe pritet të ndërtohen në të ardhmen.

Sipas deputetit Genc Ruli nuk duhet hequr QKL-ja si hallkë ndërmjetëse në dhënien e deklaratës mjedisore, sepse ajo shërben për të kontrolluar respektimin e afateve nga ministritë. Duke mbetur brenda ministrisë së mjedisit “mbyten dhe mbyllen këto probleme”, sipas tij.

Ai shtoi se “Në proçedurën e VNM-ve mungon cilësia…në qoftë se do të merrej një leje minerali ose një leje koncensionare, gjëja që merret më lehtë është leja mjedisore. Gjëja që merret më lehtë nga komuna, nga këshilli, nga ministria dhe nga agjencia e mjedisit, e merr brenda 2 ditësh, se nga baseni mezi e merr.”-tha zoti Ruli.

Ndryshimi tjetër I ligjit është se tashmë vlerësimet e ndikimit në mjedis duhen kryer nga një grup ekspertësh nëse VNM-ja mbulon disa fusha ekspertize. Ka ndodhur shpesh që VNM-të përgatiten nga një ekspert I vetëm, I cili mund të jetë ekspert pyjesh, ose ujërash, ose gjeolog, kur në mjedis nga projekti ndikohen flora dhe fauna, uëjrat, pyjet etj.

Ekolëvizja, 30.04.2015