Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mashtrim me mbledhjen e borxhit të CEZ

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon sekuestrimin e një pasurie prej afro 3.4 milionë euro të pajustifikuar të Kastriot Ismailajt, i cili prej vitit 2014 është në hetim për veprën penale të mashtrimit. Ismailaj është kallëzuar një vit më parë nga sektori i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit për mashtrim me kontratën e mbledhjes së borxhit publik të ish-kompanisë CEZ Shpërndarje, borxh i cili do mblidhej nëpërmjet kompanisë ‘Debt International Managemen’.

Sipas kërkesës së prokurorisë depozituar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Ismailaj nuk justifikon burimin e të ardhurave në llogarinë bankare në shumën e 3.2 milionë USD dhe 450.000 Euro, llogari të cilat ai i dispononin në bankat e nivelit të dytë në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Adriatic Develoment Corporation LTD”.

Por çfarë shërbimesh ofronte kompania e Kastriot Ismailajt e cila kërkohet të sekuestrohet për llogari të shtetit?

Referuar ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, rezulton se “Adriatic Develoment Corporation LTD” është krijuar në 7 dhjetor 2006, është ende aktive dhe operon në fushën e këshillimit dhe financimit për promovimin e zbulimit, zhvillimit, përpunimit dhe prodhimeve minerale, si dhe infrastrukturën e projekteve energjitike.

Pas hetimeve të nisura në shtator të vitit të shkuar në Prokurorinë e Tiranës në ngarkim të Kastriot Ismailajt për mashtrim, një tjetër procedim në ngarkim të tij është transferuar tek Krimet e Rënda pasi akuzohet për pastrim produktesh të veprës penale, ndaj të cilës zbatohet Ligji Antimafia.

Në kërkesën për sekuestrim të llogarive bankare, prokuroria sqaron se fillimisht ndaj 2 llogarive bankare të këtij shtetasi, me kërkesë të Prokurorisë, gjykata ka vendosur masën e sekuestros preventive (paraprake) por Ismailaj, i ardhur në dijeni të vendosjes së sekuestros, nuk ka paraqitur asnjë dokument për provuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive.

Aktualisht hetimet për mashtrim ndaj Ismailjat janë të hapura dhe ai hetohet në gjendje të lirë pasi sipas kallëzimit nga Krimi Ekonomik i Policisë së Shtetit Ismailaj nëpërmjet mashtrimit në mbledhjen e borxhit publik që kishte kompania CEZ, ka përfituar 6.5 milionë dollarë duke mbledhur boxhin dhe duke mos e arkëtuar atë pranë kompanisë nga e cila ishte kontraktuar.

Shqiptarja.com 29.04.2015