Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Marinzë, protesta dhe peticion ndaj Bankers

Tashmë të dorëzuar dhe pa asnjë shpresë për të jetuar në banesat e dëmtuara, pas shpërthimeve të gazit mëngjesin e datës 1 prill, banorët e fshatit Marinëz kanë firmosur një peticion për kompaninë e naftës “Bankers Petroleum”. Kjo e fundit, vetëm pak ditë pas incidentit, u zotua se banorët do të marrin dëmshpërblimin real për pasojat në pronat e tyre.

Ndërkohë që specialistët pohojnë se, zona mbetet ende e rrezikshme, në peticionin e tyre banorët kanë shtruar disa pika, ku së pari ata kërkojnë që firma t’i kompensojë në masën 100 për qind, për dëmet e shkaktuara në zonën e banuar, si pasojë e shpërthimit të naftës dhe gazit pranë fshatit.

Gjithashtu, ata kanë kërkuar nga qeveria që të marrin shërbimin mjekësor falas dhe kjo e fundit të ndalë shpërthimet nën tokë e paralel të nisë urbanizimi i zonës. Peticioni është nënshkruar nga 750 banorë dhe presin nga kompania të marrë parasysh kërkesat e tyre, ose në të kundërt do të kërkojnë shpërngulje nga fshati.

Protesta 

Dhjetra banorë të lagjes “Naftëtari” në Marinëz janë grumbulluar fillimisht mbrëmjen e së enjtes dhe kanë vijuar protestën e tyre edhe mëngjesin e djeshëm. Ata kanë bllokuar rrugën hyrëse, në të cilën kalojnë automjetet e kompanisë, me ankesën se edhe në lagjen e tyre ende nuk janë vlerësuar dëmet në bujqësi dhe blegtori.

Ata kërkojnë gjithashtu, të trajtohen me ndihmë financiare njësoj si banorët e tjerë, shtëpitë e të cilëve ndodhen shumë pranë puseve të naftës, ku “Bankers” ushtron aktivitetin. Lagjja “Naftëtari” ndodhet disa kilometra larg zonës së shpërthimit. Rreth 150 banorë, mes tyre gra dhe fëmijë, kërcënojnë se protesta e tyre nuk do të ndalet. Ata shprehen se, shpërthimi në puset e naftës, që çliroi gaz e thuajse përmbyti shtëpitë e banorëve pranë tyre, ka prekur edhe tokat e tyre, ndërsa shtojnë se, veç ajrit është ndotur edhe uji i pijshëm.

Dëmtimet

Grupi i punës, i ngritur për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në Marinëz, pohon se deri tani kanë përfunduar verifikimet paraprake për 67 objekte. Sipas tyre, ende nuk ka një shifër përfundimtare të dëmeve të shkaktuara. Kjo, për shkak se në 42 prej këtyre objekteve janë konstatuar dëme mjaft të mëdha, jo vetëm në ndërtesa, por edhe në terrenin përreth. Për këtë arsye mësohet se është kërkuar kryerja e një studimi gjeologjik, para se të konkludohet në shifrën përfundimtare të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i fontanës së pusit P29A.

Grupi i punës citon se, nëse përfundimisht këto objekte do të rezultojnë të pabanueshme për shkak të rrezikut që mund të kanosin për jetën e njerëzve, atëherë në dëm do të përfshihet gjithë kostoja e ndërtesës. Gjithashtu, nëse terrenet e dëmtuara do të vlerësohen si të pariparueshme, atëherë si dëm do të caktohet vlera e tyre. Në fshatin Marinëz rezulton të jenë dëmtuar rëndë 67 shtëpi e objekte. Në disa prej tyre, specialistët kanë konstatuar çarje dhe fundosje në terren. Ndërkohë, janë zhdukur me dhjetëra puse të ujit të pijshëm, prej nga shpërthyen fontana të shumta gazi e argjile, të cilat depërtuan në ujërat nëntokësorë. 

Kronologji

1 prill: Tri shatërvanë gazi që shpërthyen në orët e para të mëngjesit, duke bërë që 60 familje të evakuohen menjëherë.

4 Prill: Kompania kanadeze “Bankers Petrolium” deklaron se do të kompensojë të gjithë banorët e prekur nga shpërthimet e gazit. Raporti paraprak i AKBN-së në datën 6 prill citon se kompania “Bankers” shkeli rregullat, çka krijoi dhe incidentin dhe një ditë më pas del me të dhënat se kjo kompani nuk ka paguar tatim-fitimin.

6 prill: Ministria e Energjisë dhe Industrisë del me një raport të hollësishëm për shpërthimin e gazit, duke dhënë urdhër për pezullimin e punës në zonë.

7 prill: Zona vizitohet nga ministri Beqaj dhe deputeti Vasili, të cilët dalin në mbrojtje të banorëve. Erion Braçe ngre akuza për kompaninë.

8 prill: Kryeministri Edi Rama tha se do të kërkohet një audit ndërkombëtar për të kontrolluar situatën e krijuar nga kompania “Bankers Petroleum”.

15 prill: Analizat laboratorike të ujit në zonë konkuldojnë se ka përbërje të lëndëve toksike dhe këshillohet që banorët të mos ta përdorin për nevojat e përditshme.

24 prill: Banorët e dëmtuar firmosin peticion për dëmshpërblimin, të cilin nuk e kanë marrë.

Gazeta Shekulli,  24.04.2015