Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sektori energjitik, rritje pagash

Shpenzimet për paga në sektorin shtetëror të elektroenergjetikës rriten nga 5% deri në 28% për vitin 2015. Operatorët kanë miratuar tashmë rritje pagash dhe shtesa në organikat e tyre, sidomos në OSHEE dhe KESH. Më tepër përfitime në paga marrin punonjësit e administratave, të sigurisë, të faturimit dhe të strukturave që ndërpresin energjinë në terren.

KESH

Fondi për pagat për vitin 2015 nga ana e KESH-it është kërkuar në shumën 973 milionë lekë dhe është miratuar në të njëjtën vlerë në fillim të vitit nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Kjo kërkesë është rreth 13% më e madhe nga realizimi i vitit 2014 dhe, ndërkohë është rreth 7% më pak nga mesatarja vjetore e aprovuar nga ERE për periudhën 2012-2014. Kjo rritje argumentohet me faktin që shoqëria po kalon në një proces transformimi, i cili bën të nevojshëm rikonceptimin e menaxhimit të burimeve njerëzore, me synimin rritjen e nivelit profesional të punonjësve. Si rezultat i këtij procesi, numri i punonjësve të KESH-it së bashku me shoqëritë e kontrolluara prej saj u reduktua nga 1054, në 996 punonjës. Ndërkohë, në parashikimin e shpenzimeve për paga është marrë parasysh edhe indeksimi vjetor për efekt të inflacionit. Në përgjigje të kërkesës së ERE-s për paraqitjen e studimit në lidhje me burimet njerëzore, KESH-i shprehet se po shqyrton mundësinë e kontraktimit të një shoqërie ndërkombëtare të specializuar për këtë qëllim.

OST

Fondi për personelin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) përbën pjesën më të konsiderueshme të totalit të shpenzimeve operative. Ky zë i buxhetit është afërsisht 48% të totalit të shpenzimeve operative për vitin 2015. Sipas ERE-s, realizimi i shpenzimeve të personelit për vitin 2014 ishte +35% më shumë krahasuar me faktin e vitit 2013 dhe kjo justifikohet me dy vendime të këshillit mbikëqyrës, të cilat kanë sjellë një rritje të tillë. “Meqenëse fondet e OST-së nuk sigurohen nga buxheti i shtetit dhe duke pasur parasysh që në llogaritjet e këtij treguesi krahasuar me vitin 2014 është parashikuar një rritje e shpenzimeve për paga vetëm 5%, mendojmë se për miratimin e zërit “shpenzime për personelin” për vitin 2015, duhen marrë në konsideratë 1045 milionë lekë”, theksohet në relacionin e ERE-s, në fillim të vitit 2015. Kjo rritje, sipas ERE-s, synon të mbulojë inflacionin vjetor dhe ndryshimet në kategori të punonjësve si rezultat i plotësimit të kushteve për të kaluar në një kategori më lartë me pagë më të madhe.

OSHEE

Kërkesa prej 4,284 milionë lekësh për shpenzimet e personelit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sipas relacionit të ERE-s, ka një rritje vjetore prej 28% për vitin 2015, krahasuar me vitin 2014. Kompania e argumenton rritjen me nevojën për shtimin e menjëhershëm të numrit të punonjësve. Kjo, edhe për shkak të forcimit të kontrollit dhe të komunikimit të vazhdueshëm e të shpejtë me klientët, por edhe të ruajtjes e kontrollit më të mirë të aseteve të kompanisë nga ndërhyrjet e paligjshme. Sipas kompanisë, kjo rritje do të jetë e përkohshme, vetëm për vitin 2015, gjë që lidhet edhe me rritjen e kulturës së pagesës së detyrimit nga konsumatorët dhe në vitet në vazhdim do të ketë ulje të numrit të punonjësve. Rritje të domosdoshme, sipas OSHEE-së, do të pësojnë gjithashtu pagat e ulëta të punonjësve dhe sidomos ato të punonjësve që merren me shërbimet e matjes dhe të ndërprerjes së energjisë në terren. Një pjesë e rritjes të këtij fondi argumentohet me përfshirjen në këtë shumë edhe të pagës së punonjësve të shoqërisë CEZ Albania (rreth 280 punonjës) që kishin kryer shërbime për llogari të kompanisë CEZ Shpërndarje gjatë viteve kur kjo e fundit ishte joshtetërore. Këta punonjës, në vitin 2014, u përfshinë brenda strukturës së punonjësve të kompanisë. Nga viti 2010 e deri në 2014-n, paga e tyre ka qenë parashikuar në përbërje të zërit “shpenzime korporate”. Ndërkaq, OSHEE-ja ka shtuar në mënyrë të konsiderueshme edhe zërin “kosto të tjera”, që lidhet sërish me personelin. Kompania në këtë grup shpenzimesh përfshin edhe kostot e sigurisë, që kanë të bëjnë me ruajtjen e objekteve të tilla si nënstacione, magazinat, si dhe të gjitha ndërtesave që i shërbejnë aktivitetit të shpërndarjes. Shuma prej 242 milionë lekësh e kërkuar për vitin 2015 është parashikuar me një rritje ndaj vitit 2014 prej 50%. Nga shpjegimet e kompanisë, kjo nuk vjen për shkak të shtimit të nevojës për këtë lloj shërbimi, por për arsye të rritjes së pagës mesatare të punonjësve të shoqërive të kontraktuara për ruajtjen e objekteve, e cila deri më sot ka qenë nën nivelin e pagës minimale të lejuar. Po ashtu, një tjetër zë me peshë në këtë kategori është edhe ai që lidhet me strukturën e re të krijuar për uljen e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes në shumën prej 350 milionë lekësh.

Numri i punonjësve dhe pagat në KESH

Viti 2014      Viti 2015

Personeli / Paga / Personeli / Paga / Ndryshimi

HEC Fierza 153 46,159 155 48,735 6%

HEC Koman 146 49,221 148 53,187 8%

HEC Vau i Dejës 144 47,340 150 51,136 8%

Aparati KESH 227 77,187 232 87,653 14%

Total KESH 670 57,593 685 63,404 10%

Gazeta Shqip,  20.04.2015