Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Skema e re për të paguar borxhet e dritave

Katër opsionet që ofrohen për familjarët debitorë deri më 31 dhjetor të vitit 2014

Një skemë e re për të paguar borxhet e faturave të energjisë elektrike është vënë në funksion nga OSHEE. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka ofruar aktmarrëveshje të reja për të gjithë abonentët familjarë, të cilët mund të paguajnë me këste detyrimet që mbartin deri më 31 dhjetor 2014, duke përfituar edhe ulje të kamatëvonesave deri në masën 50 për qind. Kjo ofertë për debitorët e energjisë elektrike është bërë publike mbrëmë nga vetë administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, i cili ishte i ftuar në emisionin Top Show, të drejtuar nga Alban Dudushi. Gjatë diskutimit në këtë program, Çela ka deklaruar se që dje është vënë në funksion një skemë e re për të paguar detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike, e cila do të funksionojë sipas katër modeleve, të mbështetura në vlerën e borxhit që kanë abonentët.

Skema e pagesës

Sa i përket skemës së re, mësohet se në të përfshihen të gjithë konsumatorët familjarë, të cilët rezultojnë debitorë ndaj OSHEE deri më 31 dhjetor të vitit 2014. Atyre u janë ofruar aktmarrëveshje të reja, të cilat kanë kushte më të forta se kontratat e nënshkruara deri më 31 mars të këtij viti, i cili ishte afati i fundit për të përfituar uljen në masën 80 për qind të kamatëvonesave. Tashmë, OSHEE ka propozuar katër modele të reja për aktmarrëveshje që ndihmojnë familjarët debitorë.

Modeli I

Modeli i parë i kësaj skeme lehtësuese u ofrohet familjarëve, të cilët kanë detyrime ndaj OSHEE-së deri në vlerën 100 mijë lekë të reja. Të gjithë këta abonentë mund të lidhin aktmarrëveshje me OSHEE për pagesë të borxheve me gjashtë këste mujore. Në rast se abonentët zgjedhin që të paguajnë detyrimin me afat deri në një të tretën e afatit të sipërpërmendur, sipas shumave të ekspozimit ofrohet reduktim për 50 për qind të kamatëvonesave. Pra, abonentët që kanë borxhe deri në 100 mijë lekë, nëse i paguajnë ato brenda dy muajsh (një e treta e gjashtë muajve), atëherë atyre u falet gjysma e kamatëvonesave. Por, ky përfitim, ndryshe nga sa është vepruar me skemën e parë lehtësuese, e cila ishte në fuqi deri më 31 mars, realizohet vetëm kur të paguhet kësti i fundit mujor.

Modeli II

rradhe ne sportelet e osheeSkema sipas modelit të dytë përfshin abonentët, të cilët kanë detyrime që arrijnë në shumën 300 mijë lekë të reja. Këtyre abonentëve u ofrohet aktmarrëveshje për pagesën e borxhit nëpërmjet 12 kësteve mujore, pra brenda një viti. Sa u përket lehtësirave dhe përfitimeve, në udhëzimin e OSHEE-së shpjegohet se në rast se abonentët zgjedhin që të paguajnë detyrimin me afat deri në një të katërtën e afatit të sipërpërmendur, pra për tre muaj, atyre u ofrohet reduktim në vlerën e kamatës në masën 50 për qind. Edhe në këtë model, falja e kamatëvonesës do të realizohet me këstin e fundit mujor.

Modeli III

Modeli i katërt lidhet me konsumatorët, të cilët kanë detyrime deri në 600 mijë lekë të reja dhe u ofrohet aktmarrëveshje për të paguar borxhet e faturave me 24 këste mujore, pra brenda dy viteve. Sa u përket lehtësimeve për këtë lloj marrëveshjeje, OSHEE ofron uljen e gjysmës së kamatëvonesës, nëse pagesa e plotë e borxhit realizohet brenda katër muajve.

Modeli IV

E njëjta procedurë me tre rastet e lartpërmendura përdoret edhe për modelin e katërt, por për abonentët, të cilët kanë borxhe ndaj OSHEE shuma që i tejkalojnë 600 mijë lekë. Atyre u ofrohen kontrata për pagesë të borxheve me 36 këste mujore dhe ulje me 50 për qind të kamatëvonesës realizohet nëse borxhi i tyre shlyhet brenda pesë muajve.

Trajnimi

Kjo skemë është menduar që në ditët e para të prillit, pas përfundimit të afatit për skemën e parë lehtësuese, e cila u ofrua nga qeveria dhe nëpërmjet saj përfitoje të mos paguaje deri në 80 për qind të kamatëvonesës. Pasi janë realizuar aktmarrëveshjet tip, gjatë fundjavës mësohet se OSHEE ka realizuar disa trajnime me drejtorët e saj në të gjitha rajonet e vendit dhe që sot çdokush mund të shkojë për të aplikuar një kontratë të tillë.

Bizneset

OSHEE ka nisur në muajin mars procesin për lidhje të aktmarrëveshjeve edhe me bizneset debitore për shlyerjen e detyrimeve me këste. Këstet dhe afatet ndryshojnë në varësi të linjës së tensionit që biznesi është lidhur, duke nisur nga tensioni i mesëm, 35 kv, deri te tensioni i ulët, 04 kv. Deri në fillim të marsit nuk ka pasur një skemë të tillë lehtësuese për biznesin. Në total janë rreth 90 mijë kontrata debitore ndaj OSHEE nga subjekte private, me vlerë rreth 14 miliardë lekë, ku afro 85 mijë kontrata janë të subjekteve që furnizohen në linjën tension i ulët.

Gazeta Shqip, 15.04.2015