Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Diskutohet në Komision ligji për sektorin e energjisë

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve ku u diskutua Projektligji i ri për Sektorin e Energjisë Elektrike

I nderuar Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Si drejtues politik i këtij institucioni besoj se ky bashkëbisedim është i nevojshëm për të bërë edhe një sqarim në lidhje me disa nene mbi të cilat është spekuluar politikisht, me të drejtë apo pa të drejtë. Është një ligj i cili natyrisht ngjall interes pasi ndikon direkt në jetën e qytetarëve, ndikon në stabilitetin financiar të vendit.

Pjesa që ka ngjallur edhe këto shqetësime ka të bëjë me mjetet e ekzekutimit të detyrimit të debitorëve të energjisë elektrike karshi Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, thënë thjesht karshi sektorit elektroenergjetik. Çfarë është racionalja e përforcimit të disa masave përfshirë edhe instrumentin dhe ekzekutimin e detyrimeve nëpërmjet bazës hipotekore që i vendoset pasurisë, e cila lidhet me konsumin e energjisë elektrike. Konsumi i energjisë elektrike lidhet gjithmonë me banesat, nuk lidhet me individin se nuk merr energji individi por merr aseti, pra qoftë aseti tregtar, qoftë aseti fizik ku banon. Njerëzit që jetojnë apo punojnë atje bëjnë konsumin e energjisë elektrike, por rryma i shkon asetit fiks që në këtë rast është pasuri e patundshme.

Ky instrument ekzekutimi që është parashikuar, nuk është për herë të parë dhe bazuar në Kodin e Procedurës civile thuhet se ‘barra hipotekore përcaktohet me marrëveshje mes palëve, pra me kontratë edhe me ligj të veçantë’. Legjislatori shqiptar, edhe në rastet e mëparshme, për interesa jetike të vendit ka përdorur këtë si instrument ekzekutimi siç është rasti i procedurave tatimore.

Pra, për debitorët tatimorë, organet tatimore kanë të drejtë të vendosin barrë hipotekore, si një nga mënyrat e ekzekutimit të detyrimit. Ngjashmëria këtu është ndjekur, por ka edhe një ngjashmëri nga pikëpamja e interesit publik. Pse? Dua ta bëj lidhjen edhe me sektorin elektroenergjetik, sepse janë interesat jetike të shtetit përsa i përket të ardhurave që ka Buxheti i Shtetit për të mbajtur në funksionim shtetin. Pse sektori elektroenergjetik? Sepse sektori elektroenergjetik, në stadin aktual ku është Shqipëria, ka po atë interes publik që kërcënon po njësoj Buxhetin e Shtetit, mbarëvajtjen financiare njësoj si mosmbledhja e të ardhurave në tatime. Ky është realiteti.

Pse?! Sepse ju e dini dhe keni qenë dëshmitarë në ngjarjet e mëparshme në Shqipëri ku për shkak të furnizimit me energjie elektrike, Buxheti i Shtetit është ekspozuar, madje FMN-ja e ka ekspozuar para masave shumë të forta qeverinë shqiptare, për shkak të ekspozimit që ka pasur Buxheti ndaj sektorit elektroenergjetik. Kur sektori nuk performon, njerëzit nuk paguajnë, të ardhurat nuk mblidhen për sektorin, automatikisht paratë e publikut, taksapaguesve shqiptarë do të shkojnë vetëm për blerjen e energjisë elektrike dhe mbajtjen e dritave ndezur.

Kemi zgjedhur një instrument, për mendimin tonë të ligjshëm dhe kjo jo lehtësisht e përdorshme nga Operatori i Shpërndarjes. Pse e them këtë? Sepse po ta shikoni, në ligj është bërë për vlera mbi një nivel të caktuar dhe parashikimi ynë ka qenë për familjarin 150 mijë lekë. Nuk do të thotë automatikisht marrje prone, sepse është luajtur shumë keq politikisht, do të thotë ngarkohet me barrë. Se çfarë ka ndodhur? Kemi shumë objekte ku njerëzit kanë detyrime të mëdha, ja kanë transferuar këto të tjerëve, ja ka dhënë vëllai, ja ka dhënë nipit dhe thotë ‘kontratën nuk e kam unë tashti, por e ka nipi’. Objekti është i njëjtë, njerëzit janë të njëjtë dhe nuk ka asnjë mënyrë për të ekzekutuar detyrimin.

Kjo ndodh shpesh me njësitë tregtare, por për tregtarët kemi vënë një vlerë më të madhe sepse dhe konsumi tyre është shumë më i lartë. Flas për njësi, objekte të ndryshme, asete fikse, qofshin këto njësi tregtare apo magazina apo elementë të tjerë që mund të përdoren për qëllime tregtare. Pikërisht kjo masë e vënë këtu është një masë ekstra që operatori mund ta vendosë dhe ti nuk e shet dot këtë pronë. Kanë ndodhur raste kur njerëzit kanë blerë apartamentin dhe e kanë gjetur me detyrime të mëdha faturash të energjisë elektrike. Një pyetje krejt normale, çfarë do të bëhet me qiraxhiun? Patjetër, kur jepet kontrata e qerasë, në të gjithë botën dhe po marr raste të veçanta, në rastin e detyrimeve për utilitetin e përbashkët të banesës në perëndim, qoftë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse nuk paguan kontributin për shkallën po them, ose për ambientet e përbashkëta, shtëpia të ngarkohet me barrë dhe ti nuk ke të drejtë ta shesësh këtë shtëpi pa shlyer këto detyrime.

Kjo është një masë që e përdorin edhe shumë vende të tjera, në mënyrë që detyrimet të lidhen direkt me pronën, sepse prona këto elementë bazikë ka, ujin edhe energjinë. Duke e vendosur këtë barrë, sigurohet më lehtë ekzekutimi i detyrimeve. Ky ka qenë qëllimi jonë, ky është racionali i qeverisë për këtë projektligj, pasi dhe nevoja është shumë e lartë, debitë kanë qenë shumë të mëdha dhe ka patur siç ju e dini shumë mire, për shkak të arsyeve politike, një qasje shumë tolerante të shtetit ndaj debitorëve të energjisë elektrike gjë që ka çuar në falimentimin financiar të këtij sektorit.

Thashë edhe në këtë rast janë pronarët me qiraxhiun. Po ju them që vet pronari mund të marrë masa nëpërmjet garancive financiare, ashtu siç çdo njeri kur jep një objekt me qera tek një tjetër përdor një vlerë garancie paradhënie, sepse kështu funksionon, mund të sigurosh edhe për pagesat e energjisë elektrike. Në qoftë se ai nuk i paguan, nuk është një qiraxhi i mirë dhe ti duhet të gjesh një tjetër, sepse ndryshe të lë detyrime mbi pronën tënde. Edhe kjo mund të jetë për parantezë, sepse mund të jetë edhe një nga pyetjet çkam dëgjuar edhe nga kolegë me të drejtë këto shqetësime. Unë jam i gatshëm për diskutime.

***      ***      ***      ***      ***

Disa nga procedurat do të sqarohen edhe me akte nënligjore. Kur flitet për persona të autorizuar, meqenëse u ngrit këtu, mund të jenë persona e kompani të autorizuara nga operatori, të mund të mbledhin detyrimet që kanë debitorët. Këto do të rregullohen, ose me autorizim të ERE-s ose do të përcaktohen me akte nënligjore dhe nuk besoj se duhet të jenë problem.

***      ***      ***      ***      ***

Ky shqetësim ka dalë edhe tek Komisioni i Veprimtarive Prodhuese. E kemi diskutuar dhe po e ndaj edhe me ju se ka nevojë për një riformulim dhe për disa saktësime në lidhje me njoftimet. Madje duke futur edhe një element që ne e menduam, më duket është parashikuar edhe këtu, por do e parashikojmë edhe me akt nënligjor, një periudhë ankimi brenda kompanisë, përpara sesa të shkohet tek fazat e tjera. Kjo zgjidh edhe problemin e pronarit të objektit dhe dua të jap edhe një sqarim. Ne do të lehtësojmë edhe mënyrën që të njoftohen në këtë rast. Është shumë i interesuar edhe pronari i objektit në lidhjet me detyrimet që ka qiramarrësi, sepse në fund të fundit lidhet me pronën e tij. Siç ai merr masa për parapagimin e qerasë, ose për marrjen e një garancie edhe për dëmet e objektit apo për qiratë që të mund të mos paguhen, mund të marrë masa edhe për një pjesë të detyrimeve të energjisë elektrike. Në qoftë se e sheh që dikush nuk paguan një muaj, dy muaj, tre muaj ti e kupton se çfarë lloj qiraxhiu ke. Patjetër do të marrësh masa sepse të rrezikon objektin. Ky është një realitet që është problem, aq më tepër siç e tha edhe z. Bylykbashi për ambiente industriale. Kjo është hileja e madhe që ka ndodhur në Shqipëri kur marrin objekte, konsumojnë energjinë dhe ikin. Thonë jo se nuk e kisha unë, por vëllai im e nuk kam lidhje unë me vëllain. Në realitetin shqiptar këto ndodhin. Vëllai ja kalon vëllait, motra ia kalon nipit dhe thotë pastaj nuk e kam unë por e ka ai tjetri. Bëhet fjalë për të njëjtit njerëz, të cilët konsumojnë energji dhe faturën e mban shteti.

***      ***      ***      ***      ***

Kontrata energjisë nuk ndryshon, ti çdo muaj mund të kesh një qiraxhi. Ajo është e lidhur direkt me objektin. Si mund të jenë masat parandaluese? Kuptohet, prandaj kemi vënë një vlerë të lartë, unë jam i gatshëm edhe mund të shikojmë të rritet edhe pak. Nuk ka mundësi që pronari që jep objektin me qera, të mos tregojë kujdes për pronën e tij dhe mos shikojë sjelljen e qiraxhiut. Unë morra për analogji dhe detyrimet tatimore si instrument që njihet, dhe për të bërë lidhjen pse shërbimi i energjisë elektrike është i karakterit universal, hyn tek ato që njeriu i quan të drejtë bazë dhe shteti ka një detyrim për ta bërë të mundur. Ndaj, janë dhe sektorë të rregulluar dhe ky është ligj që e rregullon këtë sektor. Pikërisht, për të gjetur një balancë të duhur që dhe sistemi të mos pësojë vazhdimisht goditje, jepen këto instrumente ekstra. Për mendimin tim, ekziston mundësia që nëpërmjet kontratës që do të lidhë qiramarrësi me qiradhënësin. të marrë garancitë e nevojshme ai që e jep që të mbrojë edhe objektin e tij.

***      ***      ***      ***      ***

Është për gjendjen e debitorëve siç janë. Borxhi është i krijuar dhe ligji fillon dhe zbatohet dhe mbi borxhet e krijuara. Një sqarim në terma më konkretë. Vlera, në qoftë se do të shkojmë tek 300 mijë lekshi, unë them edhe mund ta shikojmë. Në pikëpamjen praktike, ky rast do të nënkuptonte që në një banesë normale të mos paguash 2-3 vjet energji elektrike. Unë them që masat janë për çfarëdolloj qiradhënësi apo qiramarrësi, përveçse unë po e them, dhe mund tua tregoj edhe me fakte konkrete, ne synojmë të targetojmë njerëzit që bëjnë hile brenda llojit.

***      ***      ***      ***      ***

Meqenëse bëtë një propozim, po e them edhe për konfirmim, unë jam dakord që vlera të shkojë në 300 mijë lekë pra siç u propozua. Po e them edhe njëherë, familjet që harxhokan nga 200 dhe 300 mijë lekë energji në muaj nuk e di pse nuk e paguajnë. Këta nuk duhet të krijojnë borxhe, në asnjë mënyrë. Por, për një familje që është në nevojë dhe është pronare e një objekti në këtë rast, i bie që kjo është një energji e konsumuar gati në 2 vjet. Është në atë konsumin minimal të energjisë. Me atë vlerë, unë them se realizohet edhe meraku dhe nga pikëpamja e njoftimit jam dakord të shikojmë edhe të zgjatet afati, mund të bëhet 30 ditë, mund të lihet edhe një shkallë brenda operatorit përpara se të shkohet në ekzekutiv.

Faleminderit!

energjia.al  11.04.2015