Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kroaci, referendum për naftën dhe gazin në det

Shpimi i naftës dhe i gazit në Adriatik duket i pashmangshëm, por a po ndryshon situata, teksa kryeministri kroat, Zoran Milanoviç, po shpall synimin e tij për të mbajtur një referendum mbi këtë çështje?

Historia e diskutueshme e shpimit të naftës dhe gazit në Adriatik mori një tjetër kthesë, teksa Kryeministri Zoran Milanoviç njoftoi se ai do të organizojë një referendum mbi këtë temë, kur u pyet nga gazetarët në një vizitë në ishullin Rab, sipas “Croatia Week”.

Turizmi kroat, i cili bazohet kryesisht me fuqinë e ujërave të pacenuara, plazhet e saj të praruara dhe diellit që shkëlqen pa fund në Adriatik, është një kontribuues i madh për arkat e vendit. Megjithatë, Kroacia po përballet me një krizë ekonomike, plus kriza e Rusisë nënkupton se Europa po kërkon për zgjidhje alternative të naftës dhe gazit, kështu që pritet që presioni për shpim do të vazhdojë.

Edhe pse çështjet janë shumë më komplekse, siç është referuar më parë në Digital Journal, për disa shpime në Adriatik do të ishte vetëvrasje e turizmit, ndërsa për të tjerët përfitimet ekonomike tejkalojnë konsideratat e tjera.

Në një tjetër zhvillim potencialisht të rëndësishëm kohët e fundit, fqinji verior Adriatik i Kroacisë, Sllovenia, shprehu dëshirën për t’u përfshirë në vlerësimin e planifikuar të ndikimit në mjedis për shfrytëzimin e hidrokarbureve në detin Adriatik.

Duke folur për gazetarët në Rab, Kryeministri Milanovic deklaroi se kjo ishte diçka që ai nuk mund ta vendosë i vetëm:

‘Deri tani në Kroaci, ne kemi përdorur referendumet në lidhje me çështje të cilat nuk janë kritike për kombin, dhe tani unë sugjeroj le t’i drejtohemi sërish referendumit për të parë nëse ne duam të shfrytëzohen mineralet dhe materialet e papërpunuara, për të cilat është luftuar nëpër botë, dhe ne mund t’i kemi ato nëntokë, ose do t’i injorojmë për shkak të zërit të pakicës që është më i lartë, dhe që ka të drejtë të jetë i lartë’.

“Ne kemi oferta nga hulumtuesit më të njohur në botë, të cilët mund të gjejnë diçka me vlerë prej miliardash. A do ta humbasim atë shans? Ky është një vendim të cilin unë nuk mund ta marr i vetëm”.

Digital Journal kontaktoi lojtarët kryesorë në të dy anët e argumentit për shpimin e naftës dhe gazit në Adriatik. Një kërkesë me email, për koment mbi referendumin e propozuar, ndaj Barbara Dorik, president i Agjencisë Kroate të Hidrokarbureve, mori këtë përgjigje:

“Unë nuk jam në pozitë për të vendosur nëse duhet apo nuk duhet të mbajmë një referendum për këtë çështje. Kjo është një çështje e qeverisë dhe Parlamentit, dhe në rastin e një referendumi, i të gjithë qytetarëve kroatë.

Si president i Agjencisë për Hidrokarburet, ndaj një pikëpamje të qartë mbi përfitimet e projektit. Agjencia e Hidrokarbureve është institucion i pavarur profesional, i cili, në mënyrë transparente, menaxhon procesin e eksplorimit dhe shfrytëzimit të naftës dhe gazit në interesin më të mirë të qytetarëve dhe të ekonomisë kroate. Ne jemi të angazhuar për një diskutim të arsyetuar dhe profesional, por ne jetojmë në një shoqëri demokratike, dhe ku është e mundur të merren vendime strategjike edhe nën ndikimin e emocioneve”.

Znj. Doric ka rënë dakord edhe për një intervistë më të plotë me Digital Journal mbi çështje të ndryshme dhe shqetësimet për këtë projekt, që pritet të publikohet së shpejti.

Ekzistojnë nisma të ndryshme që kundërshtojnë shpimin në xhevahirin e turizmit të Kroacisë, Adriatikun e pacenuar, më e organizuara e të cilave është Clean Adriatic Sea Alliance, që iu përgjigj edhe kërkesës për koment nga Digital Journal:

“Shumica e kroatëve po përballen me realitete ekonomike që pengojnë të fokusohesh përtej sigurimit të mbijetesës, nëse ata janë të vetëdijshëm për debatin mbi shpimin në Adriatik, ata ka më shumë të ngjarë të besojnë se problemet e Kroacisë me shlyerjen e pagesave do të përmbushen si rezultat i kësaj. Të gjitha dëshmitë (mbi një bazë globale) dëshmojnë për të kundërtën – të vetmet palë që do të fitojnë financiarisht nga këtë përpjekje janë kompanitë e naftës, burokratët, si ata në Agjencinë kroate të Hidrokarbureve, dhe firmat e punësuara nga qeveria sikundër janë ekspertët servilë veçanërisht për të siguruar keqinformim të publikut.

“Nëse do të mbahet një referendum i vërtetë, atëherë kroatët duhet të shkëputen nga futbolli, telenovelat dhe argëtimet e tjera të tyre dhe të kuptojnë në mënyrë universale rreziqet për ‘Mesdheun siç ishte dikur’- dhe çfarë do të thotë e gjithë kjo për turizmin, të ardhurat nga peshkimi dhe trashëgimia jonë natyrore. Referendumi mbi shpimin e propozuar në Adriatik siç sugjerohet nga kryeministri Zoran Milanoviç, duket i pasinqertë duke pasur parasysh kohën se kur ai e propozoi.

I gjithë qëllimi i demokracisë është që të kemi pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në prag të aktiviteteve të qeverisë që do të ndryshojnë në mënyrë dramatike cilësinë e tyre të jetës dhe atë të gjeneratave që do të vijnë”.

Çfarë do ndodhë tani mbetet ende për t’u parë. Ky është vit i zgjedhjeve në Kroaci, dhe licencat tashmë janë dhënë, por zhvillimet e fundit do të ofrojnë shpresë për aktivistët e prirë të mbrojnë jo vetëm një thesar natyror, por burimin kryesor të të ardhurave të turizmit, i cili është përgjegjës për më shumë se 20% të PBB-së së Kroacisë.

Revista Monitor,  28.03.2015