Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BB, mbështetje reformave në energji

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri priti në takim Z.Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv pranë Bankës Botërore në Washington. Pagano shoqërohej në këtë takim edhe nga Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë zonja Tahseen Sayed.

Z.Gjiknuri njohu drejtuesit e Bankës Botërore me hapat dhe masat e ndërmarra nga qeveria në kuadër të reformës në sektorin e energjisë elektrike. Ai deklaroi se janë kryer një sërë veprimesh që çojnë në rritjen e likuiditetit në sektor, përmirësimin e aspektit financiar dhe nxjerrjen e tij sa më shpejt nga kriza.

Ministri Gjiknuri nënvizoi se reformat në energji kërkojnë kohën e tyre për tu ndërmarrë dhe për të patur rezultate të konsoliduara ndërsa qeveria shqiptare është e angazhuar seriozisht në këtë drejtim.

Z. Pagano i konsideroi mjaft të rëndësishme masat e marra nga qeveria në drejtim të stabilitetit financiar të sektorit, rritjes së nivelit të arkëtimeve dhe reduktimit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes.

Z.Gjiknuri u shpreh se qeveria e ka një plan të gjerë tanimë për të adresuar të gjitha sfidat e sektorit me seriozitetin maksimal. Ai falenderoi edhe Bankën Botërore për mbështetjen që po i jep qeverisë në drejtim të kryerjes së këtyre reformave.

“Shoh se ka një interes në rritje për investime në të gjithë portofolin e energjisë në Shqipëri por është me shumë rëndësi që sektorit së pari ti konsolidohet disiplina financiare”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ai nënvizoi se përmes projektit të Bankës Botërore për Rimëkëmbjen Energjetike por edhe me fondet e vet kompanive KESH, OST dhe OSHEE do të mund të kryhen investime konkrete në terren të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji për qytetarët.

Drejtuesit e Bankës Botërore deklaruan se sfida e qeverisë shqiptare në sektorin energjetik është e rëndësishme dhe deri më tani po ecet  në rrugën e duhur.

energjia.al  30.03.2015