Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosta Rika nuk djeg asnjë pikë karburant

Një nga shtetet më të zhvilluara të Amerikës Latine, Kosta Rika, ka lënë pa mend të gjitha vendet e tjera, duke funksionuar prej disa muajsh me energji të rinovueshme, pa djegur asnjë pikë karburant fosil.

Kosta Rika po furnizohet me energji pa iu dashur të djegë asnjë karburant fosil të vetin, kështu ka vazhduar për rreth 85 ditë. Falë disa shirave të dendura të këtij viti, impiantet hidroenergjetike të Kosta Rikës po gjenerojnë mjaftueshëm elektricitet për të furnizuar të gjithë shtetin. Me një nxitje të burimeve energjetike gjeotermale, diellore dhe të erës, vendi nuk ka pasur nevojë për asnjë gram qymyr apo karburant për t’i mbajtur dritat ndezur.

Por sigurisht që vendi ka shumë gjëra në krahun e tij. Kosta Rika është një shtet i vogël, ka më pak se 5 milionë njerëz, nuk ka shumë industri të rëndë që t’i kërkojë energji të madhe dhe është e mbushur me vullkane dhe tipare të tjera topografike që vetëgjenerojnë energji të rinovueshme.

Megjithatë, është një frymëzim i mirë për çdo shtet, pavarësisht përmasave, që të largojë plotësisht përdorimin e karburanteve fosile.

Kosta Rika nuk është i njëjti vend në zonë që i është përkushtuar funksionimit me energji të gjelbër. Bonaire, një ishull holandez jashtë gjirit të Venezuelës, operon pothuajse 100 për qind me energji të rinovueshme, dhe me shumë gjasa do të arrijë momentin historik me një burim të çuditshëm energjie: algat.

E drejtuar nga Kina, shpenzimi global për energjinë e rinovueshme është në rrugën e duhur për përfitimin e tij të parë vjetor në tre vjet. Islanda tashmë e merr të gjithë elektricitetin e vet nga burime të rinovueshme energjie dhe rreth 85 për qind e të gjithë energjisë së saj prodhohet nga burimet gjeotermike dhe hidroenergjetike. Dhe tre shtete të tjera europiane (Suedia, Bullgaria dhe Estonia) kanë arritur tashmë synimet e tyre për energjinë e rinovueshme që duhet t’i kishin arritur deri në 2020.

Danimarka, që e merr 40 për qind të energjisë së vet nga era, do të lërë mënjanë karburantin fosil deri në vitin 2050. Problemi me funksionimin plotësisht mbi energjinë e rinovueshme, siç disa danezë vërejtën, është se karburantet fosile nevojiten ende si një plan rezervë, për shembull, kur ka një hapësirë kohore kur vendi nuk përjeton mjaftueshëm erëra apo rreze dielli.

Por zhvillimi i energjisë së rinovueshme ka nxjerrë jashtë loje shumë impiante energjie konvencionale dhe pronarët e tyre po përpiqen të mbyllin biznesin.

Në Kosta Rika, një thatësirë do të ndërpriste seriozisht aftësinë e vendit për të gjeneruar energji me ujë. Kjo është ndoshta arsyeja përse qeveria e saj ka miratuar një projekt gjeotermik prej 958 milionë dollarësh. Ndërsa është financuar shumë nga Japonia dhe Banka Europiane e Investimit, Kosta Rika ka qenë tashmë në gjendje të shpenzojë kaq shumë për energjinë e rinovueshme, sepse nuk ka nevojë të shpenzojë asnjë qindarkë në mbrojtje. Vendi nuk ka një ushtri që prej vitit 1948.

“Ka qenë një 2015 krejtësisht miqësor për natyrën për sa i përket elektricitetit”, tha në një deklaratë Instituti i Elektricitetit në Kosta Rikë, furnizuesi kombëtar.

Bulgarin energy holding solarKosta Rika është një nga shtetet më të zhvilluara në Amerikën Latine, duke u renditur poshtë Italisë dhe disa shteteve të tjera të Bashkimit Europian në kategorizimin vjetor të mirëqenies.

Historia e saj mjedisore nuk ka qenë e lehtë për t’u kopjuar prej shteteve të tjera – klima e saj tipike me shira të rënda, brendësi malore dhe popullsi relativisht të pakët i ka dhënë përparësinë e përdorimit të energjisë së rinovueshme.

Më shumë se dhjetë për qind e elektricitetit të saj në disa vite është gjeneruar nga projekte gjeotermike nga numri i vullkaneve aktive. Gjithashtu ka erë, biomasë dhe impiante të energjisë diellore.

Përveç kësaj, mungesa e industrisë së rëndë, mbështetja e ekonomisë në turizëm, bujqësi dhe veçanërisht te bananet dhe kafeja, i kanë krijuar kushtet e duhura për të bërë këtë lëvizje të madhe ekologjike.

Por pa ia hequr meritat, Kosta Rika vlerësohet shumë për politikat e saj të gjera mjedisore, e renditur shpesh në pesë vendet më eko-miqësore në planet. Synimi i Kosta Rikës është të jetë neutrale nga karboni deri në vitin 2021.

Pozitiviteti i këtij shteti në fushën e energjisë mjedisore ka joshur edhe shumë shtete të tjera, të cilat synojnë po ashtu të heqin qafe karburantin fosil dhe të përdorin burime alternative të energjisë së rinovueshme. Për të pakësuar ndotjen nga karburanti dhe efektin serrë, që cilësohen si shkaktarët e ngrohjes globale, shumë organizata dhe grupe ndërkombëtare po investojnë për të nxitur zhvillimin e botës mbi baza ekologjike.

Gazeta Shqip, 27.03.2015