Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sa naftë mund të nxirret në Shqipëri?

Në botë, nga shkencëtarët diskutohet kur dhe sa do të jetë pika kulminante e nxjerrjes së naftës. Për këtë pikë kulmante (peak oil) ka mendime të ndryshme kontradiktore, jo sepse nafta do mbarojë, por për shkak se asnjëri nuk di sa janë rezervat që akoma mbeten në nëntokë…

Shqipëria është një nga shtetet më të pasura të Evropës në rezerva hidrokarbure. Shfrytëzimi i naftës këtu ka filluar që në fillimet e shekullit të 20 dhe pika kulminante e shfrytëzimit arriti në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, ku prodhimi i naftës bruto arriti nivelin e 2.5 milionë ton naftë në vit (vetëm vendburimi i Gorisht- Koculit prodhoi mbi 1 milion ton naftë në vit).

Në botë, nga shkencëtarët diskutohet kur dhe sa do të jetë pika kulminante e nxjerrjes së naftës. Për këtë pikë kulmante (peak oil) ka mendime të ndryshme kontradiktore, jo sepse nafta do mbarojë, por për shkak se asnjëri nuk di sa janë rezervat që akoma mbeten në nëntokë. Disa shkencëtarë duke bërë krahasimin midis tempit të nxjerrjes së naftës për disa vjet dhe sasisë së rezervave të zbuluara brenda disa viteve (brenda 15vjetëve) arritën në konkluzionin se në vitin 2004 do të arrihej kulmi i prodhimit (peak oil) dhe mbas asaj do vijonte rënia e tij. Në fakt, një gjë e tillë nuk u vërtetua. Gjatë këtyre viteve janë zbuluar rezerva nafte dhe rritja e prodhimit të naftës ka vazhduar. Megjithatë nga studime të ndryshme jepen kulme prodhimi (peak oil) për vite të ndryshme në vazhdim. Më optimistët kulmin e prodhimit e japin në vitin 2030, me mundësinë edhe për disa vite akoma. Sipas kësaj, në vitin 2030 prodhimi ditor do të jetë rreth 120 milionë barela në ditë. Këtë e bazojnë si në rezervat akoma të pazbuluara, por ashtu dhe në rezervat që deri tani janë pak ose të “pashfrytëzueshme”, siç janë ranoret bituminoze në Kanada.

Shqipëria ka rezerva

Shqipëria ka pasur rezerva të konsiderushme nafte dhe gazi, dhe mund të konsiderohet një nga shtetet me rezerva më të mëdha nafte për frymë të popullsisë në Evropë. Pra, një pasuri e jashtëzakonshme për një shtet të vogël siç është Shqipëria. Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, në kohën e regjimit socialist, në Shqipëri prodhimi i naftës megjithëse arriti kulmin e prodhimit për të gjithë kohën e deritanishme, por nuk do të thotë që me zbulimin e rezervave të reja të mos arrihet ky nivel prodhimi, megjithëse rezervat ek­zistuese janë duke u pakësuar.

Mbas vitit 1991, me rënien e komunizmit, pothuajse pjesa më e madhe e territorit u dha me koncesion kompanive të huaja për kërkimet e naftës. Koncesionet u morën nga kompanitë më të mëdha në botë, si SHELLI, OMË, OXY etj. Megjithëse këto kompani kishin potencial të madh dhe metoda më të përparuara nuk arritën të zbulonin ndonjë vendburim të ri nafte ose gazi, kjo edhe si rezultat i mosmarrjes në konsideratë të mendimit të specialistëve vendas, që me punën e tyre deri në vitin 1990 kanë zbuluar dhe kanë vënë në shfrytëzim disa vendburime nafte dhe gazi. Gjithashtu këto kompani kishin mendimin për zbulimin e vendburimeve shumë potenciale në Depresionin e Detit Adriatik, gjë që nuk u vërtetua. Prishja më vonë e Institutit të Naftës e Gazit pa ndonjë arsye dhe shumë e gabuar, aktiviteti i kërkimit si dhe i shfrytëzimit racional të vendburimeve ekzistuese u ndërpre plotësisht. Pra, mendimit shkencor vendas që gjatë viteve ka dhënë rezultate të shkëlqyshme iu dha fund (?!) Shumë specialistë të talentuar pas kësaj u larguan jashtë shtetit. Tërheqja e kompanive të huaja nga kërkimet krijoi një periudhë amullie në këtë fushë.

Pas një periudhe ndërprerjeje, aktivitetin e kërkimit e filluan disa kompani me potencial dhe aktivitet më të vogël në këtë fushë, aq më tepër duke marrë për kërkim njëherësh disa blloqe së bashku. Kjo bëri që shumë blloqe të mos shikohen dhe trajtohen në mënyrë të hollësishme. Kështu, kompania PETRMANAS fillimisht mori në koncesion pothuajse gjithë territorin në tokë të Shqipërisë Veriore, duke kaluar më vonë në Shqipërinë Qendrore dhe më pas në zonën e Beratit, në bllokun që kishte zhvilluar aktivitet kompania amerikane OXY. Rezultatet inkurajuese këtu si me shpimin e pusit të parë nga OXY dhe atë të shpuar nga kjo kompani me pjesëmarrjen e kompanisë SHELL, hapin perspektivën për një vendburim të ri, që me një punë më intensive pas disa vitesh mund të vihet në shfrytëzim. Por okupimi i blloqeve të tjera pa kryer aktualisht punime plotësuese për kërkimet, është jo normale dhe as toleruese. E njëjta gjë ndodh dhe me blloqet e okupuara në det ku ka shumë kohë që as kompania irlandeze Oil&Gaz Pic (San LEON) dhe as nga kompania “Med Oil” në detin Jon (Blloku Joni-5) nuk kryhet asnjë punim, megjithëse afati i planifikimit të punimeve sipas kontratave ka mbarur para shumë kohësh dhe kompanitë duhet të paguajnë sanksionet. Këtu negativisht influencon dhe aktiviteti i AKBN-së (Agjencia Kombëtare e Burimeve Minerare) dhe veçanërisht, degës së saj AKH. Angazhimi i pamjaftueshëm i kësaj Agjencie për ndjekjen e këtyre problemeve dhe emërimet e kuadrit, këtu jo sipas specialitetit ka sjellë mangësi në ndjekjen e këtyre problemeve, kur kjo është një degë me shumë peshë për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Po kështu e pamjaftueshme është dhe puna për tërheqjen e kompanive të tjera për blloqe të lëna bosh veçanërisht në jug të Shqipërisë dhe në Detet Jon dhe Adriatik, që lë të dyshosh për indiferencë dhe të aftësive të pamjaftueshme të atyreve që janë caktuar për këtë problem, që mesa duket janë emërime jashtë profilit. Nuk mundet një mësuese letërsie, agronom ose kushdo, qoftë dhe inxhinier jashtë specialitetit, të mbulojë problemet gjeologjike e të teknologjisë së naftës.

Konçesionet

Në Sektorin e Prodhimit të Naftës e Gazit të gjithë vendburimet si ato në ranore po ashtu dhe ato në gëlqeroret janë dhënë me koncesion. Këtu problemet janë më të ndërlikuara, sepse kanë të bëjnë direkt me prekjen e pasurisë kombëtare. Në këtë aspekt rëndësi të veçantë ka zbatimi i marrëveshjeve hidrokarbure, që për vendin tonë janë përpiluar nga specialistë të rangut ndërkombëtar të afirmuar për këto probleme shumë delikate.

Vendburimi në ranoret e monoklinalit të Patos-Marinzës është i vetmi si i tillë në Evropë. Për disa vite ky vendburim shfrytëzohet nga kompania “Bankers Petroleum”. Mbas marrjes së naftës me densitet të ulët, tani është kaluar në shtresa me naftë viskoze dhe pesha specifike të mëdha. Me teknologjinë e tanishme nga këto shtresa nuk mund të nxirret më shumë se 15% të rezervave. Rezervat kufizohen në çdo vit prandaj shteti duhet të marrë pjesën që i takon. Duhet të evitohet çdo neglizhencë në llogaritjen e prodhimit, duke filluar që nga prodhimi i puseve në momentin e dorëzimit, matjet e prodhimit të nxjerrë nga kompanitë dhe shpenzimet reale që kompanitë harxhojnë gjatë punës, duke evituar raportimin e çmimeve fiktive të rritura artificialisht për interesa fitimi. Pra, duhet një monitorim rigoroz i efektivitetit të punimeve hidrokarbure me qëllim që shteti të përfitojë detyrimet reale që rrjedhin nga marrëveshjet.

Tre vendburime në gëlqeroret i ka marrë me koncesion kompania “Stream Oil”. Edhe këtu ritmet e nxerrjes së naftës janë të konsiderueshme, gjë që influencon që çdo ditë të ulen rezervat, aq më tepër që këto vendburime janë të përmbytur nga ujërat shtresore. Rëndësi të veçantë për këto vendburime ka bërja, zbatimi dhe kontrollimi i programeve për fazën e vlerësimit, po ashtu edhe i planeve të zhvillimit për fazën e zhvillimit deri 25 -30 vjet, duke zbatuar rigorozisht parametrat e shfrytëzimit për rritjen e koeficientëve të naftënxjerrjes, gjë që kërkon një kontroll të kualifikuar si nga ana e Alpetrolit ashtu dhe nga AKBN (AKH – Angjencia e Hidrokarbureve) duke  përsëritur që monitorimi duhet filluar që nga dorëzimi i puseve me matje të sakta të debiteve të puseve në momentin e dorëzimit dhe kontrollin e vazhdueshëm të sasisë së prodhimit. Fryrja e shpenzimeve shkakton humbje të mëdha për shtetin, prandaj monitorimi i tyre duhet të jetë rigoroz duke krijuar bile ekipe të posaçme në kuadrin e AKBN-së, ku të merren direkt me këto probleme të një rëndësie të veçantë për zhvillimin e vendit.

Të dy kompanitë, si “Bankers” ashtu dhe “Stream Oil”, aktivitetin e tyre në sferën e hidrokarbureve e ushtrojnë për herë të parë në Shqipëri!! Po kështu dhe dy kompani të tjera të licensuara, njëra për vendburimin e naftës të Visokës (IEC Visoka Inc – Transoil grup sh.a) dhe tjetra për vendburimet e mbetura të naftës e gazit (Phoenix Petroleum) ushtrojnë aktivitetin e tyre për herë të parë, duke mos pasur eksperiencën e nevojshme, aq më tepër që këto vendburime kanë vështirësi më të mëdha për zhvillimin e tyre, për shkak të natyrës së tyre. Vendburimi i Visokës ka naftë shumë viskoze dhe tepër specifik, ai i Amonices ka porozitet të ulët dhe sektorë të pakontrolluar, ndërsa vendburimi i Finiqit i abandonuar prej vitesh, prandaj për këto arsye kërkohet një punë shumë më e kualifikuar dhe me eksperiencë.

Akoma më i vështirë paraqitet zhvillimi i vendburimeve të gazit, që aktualisht kanë një prodhim minimal, pothuajse të pallogaritshëm. Këto vendburime janë në 4 fusha dhe pas vitit 1990 pothuajse nuk është kryer asnjë punim serioz, por dhënia e këtyre së bashku vetëm një kompanie e bën të pamundur ri-zhvillimin e tyre. Aq më tepër që ky zhvillim duhet të mbështetet në zbulim-vlerësimin e rezervave të reja të gazit, gjë që mund ta realizojë vetëm një kompani me shumë përvojë e potencial financiar në këtë fushë. Pavarësisht që në këto vendburime nuk është ndërhyrë nga Alpetroli, me sa duket për arsye financiare, por nga studimet e kryera në vazhdimësi nga specialistë të ndryshëm deri kohët e fundit, ka rezultuar në mënyrë bindëse se në hapësirën e tyre vertikale dhe horizontale, kanë rezerva të konsiderueshme prej disa miliardë m3 gaz, kryesisht metan.

Nga sa paraqitëm më lart, del i qartë serioziteti i problemit që shtruam qysh në fillim. Nga studimet e deritanishme si brenda territorit të Shqipërisë, po ashtu dhe nga studimet regjionale, tregojnë se trualli shqiptar ka perspektivë për naftë. Kjo është vërtetuar dhe me rezultatet e marra nga shpimi i puseve në Shpiragun e zonës së Beratit, ku kontributi i specialistëve shqiptarë është i pamohueshëm. Rezultate pozitive duhet të priten dhe në rajone të tjera me ndërtin gjeologo-struktural të ngjashëm, veçanërisht në blloqet jugore të Shqipërisë. Këto të dhëna tregojnë se nëntoka shqiptare ka rezerva akoma të konsiderueshme nafte dhe gazi, kështu që mund të pranohet se kulmi i prodhimit të naftës në Shqipëri nuk është arritur dhe duhet të arrihet në të ardhmen.

Edhe shteti duhet të përfitojë prej tyre

Për të arritur këto objektiva, para së gjithash duhet të shfrytëzohen sa më racionalisht vendburimet ekzistuese dhe shteti të përfitojë pjesën kryesore të prodhimit. Mendojmë se është e domosdoshme që pranë Ministrisë së Energjetikës të ngrihet një grup pune për të riparë marrëveshjet me ndarje prodhimit, në aspektet teknike dhe financiaro-juridike. Gjithashtu menaxhimi i marrëveshjeve kërkon përvojë menaxhuese, nivel të lartë profesional dhe kontroll financiar profesionalist të nivelit më të lartë deri në detaje të kompanive që operojnë. Detyrë të padiskutueshme ka institucioni i AKBN-së dega e AKH-së, jo vetëm për monitorim të vazhdushëm të operacioneve, të prodhimit dhe të anës ekonomike, por edhe të paraqitjes në nivelet të pranueshme të gjeologjisë dhe të perspektivës së blloqeve për të tërhequr kompani dinjitoze me background të njohur në fushën e hidrokarbureve, për marrjen e koncesioneve dhe të ushtrimit të aktivitetit. Për këtë qëllim në këtë institucion duhen kuadro shumë të kualifikuar, që nuk mungojnë në vendin tonë. Inxhinierët, gjeologët dhe gjeofizikët tanë kanë qenë ata që kanë zbuluar rezervat e naftës, që tani shfrytëzohen dhe kanë shpuar puse të thellë në mbi 6000 m thellësi, por që duhen të trajtohen dhe vlerësohen siç e meritojnë. Madje një pjesë e specialistëve tanë kryejnë sot punime e studime gjeologo-inxhinierike të fushës së hidrokarbureve jashtë vendit, madje i drejtojnë ato.

“Bankers Petroleum” ekziston vetëm se është vendburimi i naftës i Patos-Marinzës, ashtu sikurse “Stream Oil” ekziston vetëm se janë 4 vendburimet tona të naftës në gëlqerorë etj., ndryshe nuk do të dëgjoheshin emrat e tyre as në Shqipëri dhe as në botë. Të tjerat as që mund të përmenden.

Sa më të dobta të jenë kompanitë që marrin në koncesion vendburimet e naftës e gazit, aq më të zbehta janë rezultatet e tyre dhe aq më të mëdha janë manipulimet e tyre për të përfituar atë që i takon shtetit shqiptar.

Si përfundim, shfrytëzimi sa më racional i rezervave ekzistuese të naftës, menaxhimi dhe kontrolli profesional si dhe zbulimi i rezervave të reja, do të çonte në ri-arritjen e atyre niveleve të larta të prodhimit të naftës e gazit që u bënë realitet në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Shteti duhet të di sa vlerë të madhe kanë rezervat e naftës e të gazit, prona e tij, që iu ka dhënë kompanive dhe sa duhet të përfitojë prej saj. Duke menaxhuar më mirë dhe me kompetencë profesionale nëpërmjet marrëveshjeve hidrokarbure, shteti duhet të përfitojë shumë më tepër të ardhura se sa nga ato që i japin sot kompanitë, që kanë marrë me koncesion vendburimet e naftës. Prandaj profesionalizmi i strukturave dhe institicioneve në sektorin e hidrokarbureve është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Mungesa e profesionalizmit dhe menaxhimit rigoroz dëmton këtë sektor dhe direkt shtetin. Në këtë kuadër problemi është dhe vendosjen e specialistëve të aftë në Alpetrol, si për rritjen e treguesve të prodhimit të naftës në sipërfaqet produktive, duke azhornuar dhe kontrolluar prodhimin, por edhe në shfrytëzimin sa më racional të puseve që disponon akoma dhe gjithashtu të  krijojë bazën e plotë të të dhënave.

Me një shfrytëzim rigoroz dhe racional të rezervave të njohura të naftës, me vënien në shfrytëzim të vendburimeve që mund të rezultojë nga të dhëna inkurajuese të shpimit në zonën e Beratit, si të punimeve që duhet të bëhen në zonat analoge perspektive, prodhimi i naftës do arrijë prodhimin e arritur në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar dhe ta tejkalojë, pra maksimumi i prodhimit të naftës në Shqipëri (peak oil) pritet të arrihet në të ardhmen.

Revista Java,  25.03.2015