Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hidrokarburet, deputetët kundër inspektoriatit

Propozimi për ngritjen e një inspektorati tjetër për kontrollin e tregut të hidrokarbureve ka ndeshur në kundërshtimin e deputetëve të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese.

Kërkesa për heqjen e disa kompetencave Inspektoriatit Qendror Teknik dhe kalimi i tyre tek Inspektoriati i Mbikqyrjes së Tregut i cili do të krijohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk është mirëpritur nga deputetët.

Kreu i komisionit, Eduard Shalsi kërkoi që të realizohet një kompozim më i mirë i kontrollit të strukturës së tregut.

“Ky projektligj synon garantimin e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve fundorë, nëpërmjet strukturës së posaçme që do të krijohet pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë, dhe do të ketë kompetenca vetëm sa i përket shërbimeve që u ofrohen konsumatorëve. Kompozoni mirë strukturën e mbikëqyrjes së tregut. Mbrojtjen e konsumatorëve, dhe pastaj jemi të predispozuar maksimalisht që do të ndryshojmë dhe do të bëjmë mendimet ligjore përkatëse për të gjitha produktet. Por paketa do të duhej të vinte e plotë”, – tha Shalsi.

Nga ana tjetër, deputeti demokrat, Genc Ruli theksoi se në Shqipëri ka probleme më të mëdha në tregun e medikamenteve dhe të ushqimeve. “Në vend që të sjellë atë që synojmë, për qëndrimin e inspektorateve, sjell fragmentimin e kompetencave dhe mbivendosjen e kompetencave ndërmjet inspektoriateve të ndryshme. Pse u nis pikërisht me karburantet? A nuk është më shqetësuese siguria, përsa u përket medikamenteve? A nuk është më shqetësuese për ne siguria ushqimore?”, ishte replika e Rulit.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Koli Bele, sqaroi se këtij inspektoriati do t’i kalohet e drejta e kontrollit në pikën fundore. “Është menduar që inspektorati i ri që po krijohet pranë ministrit të ekonomisë për mbikëqyrjen e tregut të ketë gjithashtu edhe rol kontrollues në pikat e karburantit me pakicë për të garantuar mbrojtjen e konsumatorit fundor. Ky ndryshim është bërë për shkak të ndjeshmërisë që ka ky lloj produkti, për shkak të sensivitetit që ka për popullatën”,- tha Bele.

Gazeta Shekulli,  24.03.2015