Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: S’ka privatizim të OSHEE këtë mandat

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nuk do të privatizohet në këtë mandat, por brenda vitit ai do të menaxhohet sëbashku me një kompani të huaj. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ka deklaruar në emisionin “Ekopolitikë” të gazetares Aurora Sulçe se aksioni i energjisë do të vazhdojë dhe se opozita jashtë kamerave e ka uruar. Ministri paralajmëroi ndëshkimin e bizneseve dhe zyrave, kryesisht në katet e dyta dhe të treta të pallateve në kryeqytet, të cilat sipas tij janë regjistruar si konsumator familjar dhe jo biznese.

Nuk do të ketë privatizim të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për këtë mandat qeverisës të së majtës.

I ftuar në emisionin “Ekopolitikë” të gazetares Aurora Sulçe, Ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri, tha se po shikohet mundësia e bashkëmenaxhimit me një kompani të huaj, proces ky që pritet të konkretizohet brenda këtij viti.

Aksioni për energjinë elektrike ka dhënë rezultatet e veta në rimëkëmbjen e sektorit, tha Gjiknuri, duke siguruar jo vetëm vazhdimësinë e tij por dhe mbështjen policore të OSHEE sa herë paraqitet nevoja.

Sukseset në këtë sektor tha se ja ka njohur dhe opozita jashtë kamerave dhe pse në daljet publike të kësaj të fundit akuzat kanë qenë të pakursyera.

Ministri paralajmëroi ndëshkimin e bizneseve dhe zyrave, kryesisht në katet e dyta dhe të treta në kryeqytet, të cilat sipas tij janë regjistruar si konsumator familjar dhe jo biznese.

Gjiknuri përjashtoi mundësinë e një skenari me FMN për rritje të çmimit të energjisë në rast të mos realizimit të objektivit për humbjet e energjisë.Ndersa shtoi se ka interes nga kompani serioze boterore per blerjen e Albpetrolit.

Persa i perket gazsjellesit TAP, Gjiknuri deklaroi se punimet per rruget e ketij gazsjellesi nisin ne maj dhe se nga qeveria eshte kerkuar qe 20% e punimeve t’iu jepen firmave shqiptare.

Pjese nga intervista

Gjiknuri:“ Reformat në sektorin energjitik po ecin në rrugën e duhur dhe sipas planit. Shumica e qytetarëve edhe nga sondazhet që bën në mënyrë të vazhdueshme qeveria për të testuar politkikat e saj tregojnë një mbështetje masive për këtë aksion në sektorin energjitik, pasi kanë kuptuar se sektori energjitik shqiptar do të ketë të ardhme kur të ketë disiplinë pagesash, barazi në trajtimin qytetar dhe që sektori energjitik të ketë siguri në të ardhmen. Vetëm pagesa e rregullt e energjisë elektrike e mban të sigurtë këtë vend sa i përket furnizimit me energji.

Do vazhdojë aksioni?

Gjiknuri: Nuk është më aksion, është qasje, raport i ri i shtetit me një nga shërbimet më strategjike. Fajtori më i madh në këtë mes ka qenë politika, për shkak të zgjedhjeve, amnistive, tregëtimit të drejtave që lidhen me energjinë për arsye politike bënë që shumë njerëz në zona të Shqipërisë ose ta vidhnin haptazi dhe nuk pyesnin fare ose nuk paguanin. Kjo do të çonte në një dështim total të sektorit. Shqipëria rrezikonte dhe vetë buxhetin e shtetit. Qytetarët e kanë kuptuar. Vetëm në katër muaj janë rreth 270 mijë kontrata të lidhura sa i përket borxheve të vjetra si dhe me mijëra qytetarë që kanë kërkuar lidhjen për herë të parë të kontratave.

Do vijoni shoqërimin me polici të punonjësve të OSHEE?

Gjiknuri: Aty ku është e nevojshme. Policia mbështeti një aksion për të luftuar paligjshmërinë. Derisa ne e kriminalizuam energjinë, policia do të përdoret atëherë kur është e nevojshme. Pjesa më e madhe e popullatës e kërkojnë shtetin. Nën zë edhe opozita të shtrëngon dorën se e dinë që është një gjë e nevojshme. Jashtë kamerave e thonë se edhe ne e kemi dashur dhe nuk e kemi bërë dot. Qëlloi ta bënte kjo qeveri.

Furnizimi me energji, kemi një model të çuditshëm tregu sot. Nga njëra anë kemi operatorin e shpërndarjes së energjisë që është i detyruar të blejë shtrenjtë energjinë për të mbuluara humbjet dhe nga ana tjetër KESH-in që është dhe ai i detyruar të shesë lirë energjinë e tepërt që ka, nga llogaritë tona rezulton se ka një shpërdorim prej dy million euro në muaj. Pse nuk ndryshohet ligji?

Gjiknuri: “ Nuk është shkelur ligji. Modeli i tregut shqiptar që kemi dhe që do ndryshohet për shkak të ligjit të ri që po diskutohet në parlament.. Mos kujtoni që modeli i ri i tregut që do hyjë në fuqi do bëjë që KESH të jetë një aset në funskion të korporatës tjetër publike. Njësitë ekonomike duhet të jenë të pavarura që të mbijetojnë. KESH bëri një marrëveshje me opreatorin e shpërndarjes që tepricën e energjisë t’ia shesë me çmimin e bursës. KESH nuk ka prodhim të tepërt gjithmonë, ështe drejt të spekulosh. Energjia nuk është një mall që mund të mbahet në magazinë, atë duhet ta kesh kur e do. KESH vetëm kur ka prurje të mëdha është në gjendje. Nuk mund të shtiesh fall se do bjerë shi dhe të mos blesh energji. Kjo është të vësh në rrezik sigurinë e furnizimit. KESH siguron për klientët e rregulluar çmimin 1 vjeçar. Unë nuk jam dakord që të kthehet shteti në një ekonomi socialiste në energji. Kompanitë duhet të operojnë si kompani tregtare. Nuk blen dot OSHEE direkt se ka mbyllur kontratën, do anullojë kontratat ai se prodhove ti? Penalitetet e kontratës janë shumë më keq. KESH tepricën që ka pasur e ka shitur natën dhe çmimi është më i lirë.

Si do e ndryshoni këtë situatë?

Gjiknuri: Korporatat do të funksionojnë të pavarura dhe shteti nuk ka pse të fusë duart në rregullimin e këtij sektori në mënyrë shtetërore.

Pse nuk parashikon përpara, ti ke bursën e hapur?

Gjiknuri: Energji do blesh aq sa ke nevojë. Përpara se ta blej këtë pyet KESH, ke mundësi ta parashikosh këtë? Këtë muaj parashikuan ata 10 ditë dhe furnizuan me çmim burse. Jo thotë, ai nuk kam mundësi, se aq janë prurjet. Unë s’do zbraz kaskadën. Më përpara kjo punë është bërë. Jepte urdhër Kryeministri, hapni portat se nuk kemi pse blejmë. Hapeshin portat dhe shkonte kaskada në fund. Dhe kur duhet të blenin energji nuk kishte më. Menaxhimi politik i hapjes së portave apo prodhimit të energjisë është gjëja më e gabuar. Me rregullore KESH shet kur ka mbi 291 kuotën, rregullorja ka 20 e ca vjet.

Do vazhdojë OSHEE të blejë humbjet me çmim tregu?

Gjiknuri: Kur ka humbje në energji i blen me çmimin e bursës nga KESH. Teprica mund të parashikohet disa ditë, ose një javë para kur kupton që ka prurje siç ishin tani shirat apo borë dhe kur kuota është mbi 291. Ka një rregullore , mblidhet komisioni dhe vendos që tepricat të shiten. Nëse teprica është e tillë që të mbulojë të gjithë nevojën e OSHEE mujore për energji kontrata ekziston që ai ta furnizojë me çmimin e tregut. Në këtë rast kompania shqiptare ja shet një kompanie tjetër shqiptare, kur se ka këtë mundësi duhet ta gjesh në import. KESH prodhon 1 muaj e gjysëm tepër. Me këtë logjikë është që më mirë derdhe. Patëm derdhje kur ishin prurjet dhe u menaxhua aq mirë sa nuk pati përmbytje.

Kur është afati për shlyerjen e gjithë detyrimit të prapambetur të HEC-eve private?

Gjiknuri: Unë kam bërë një marrëveshje me to dhe themi që brenda gjashtëmujorit të parë duhet ti ezaurojmë edhe këto borxhe. Çmimi është caktuar, bursa e Hungarisë, çmimi mesatar europian duke i dhënë dhe një incantivë prej 24%. Bankat i kanë llogaritur kreditë e tyre me gati 7 lekë.Çmimi që ata kanë marrë është 7.6 lekë. Nuk falimenton njeri. A janë të gatshëm qytetarët shqiptarë të paguajnë një tarifë më të shtrenjtë për shkak të HEC-eve private? Po apo jo? Nuk ka asnjë lloj problemi. Qeveria duke marrë të gjithë këto ekuacione që mund të sjellin përfundime të pakontrolluara, për ti pasë të kontrolluara. Ky është mirëmenaxhimi. Humbjen e ka marrë përsipër qeveria për herë të parë.

5 muaj aksion, kush kanë qenë abuzuesit më të mëdhenj të energjisë?

Gjiknuri: Të gjitha kategoritë në mënyrë masive, sidomos bizneset. Dyqanet, zyrat, katet e dyta dhe të treta në Tiranë janë të regjistruar si familjarë dhe jo biznese. Po fillon procesi i identifikimit dhe shumë shpejt dhe ata do të ndëshkohen. Në Shqipëri ka një kaos aq të madh sa vërtet është i vështirë identifikimi. Se paskemi bërë mirë këtë punë, na lini pak kohë ta bëjmë dhe këtë.

Në rast se nuk realizohet objektivi për humbjet, ka skenar me FMN dhe është parashikuar një rritje e çmimit të energjisë?

Gjiknuri: FMN thotë sektori energjitik nuk duhet të jetë pjesë e buxhetit. Çmimi i energjisë nuk është taksë, është tarifë e një malli. Ky mall u shitet sot shqiptarëve pak më lirë se e ka koston për shkak edhe të keqmenaxhimeve të kaluara. Plani jonë është që në 2018 sektori të mbajë vetveten.

Mund të ketë rishikim të faturave në 2016 me tendencë rritje të çmimit?

Gjiknuri: Gjithë plani ynë për rimëkëmbjen e sektorit bazohet në këto tarifa.

Keni një plan për privatizimin e OSHEE?

Gjiknuri: Në këtë mandat jo. Duam që të bëjmë aspektet menaxheriale private, një lloj bashkëmenaxhim me kompani të specializuar. Po përgatiten dokumentat për tenderin, besoj se brenda këtij viti do ta mbyllim.