Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BE akordoi fondin, ARMO nuk punon

Kompania “ARMO” ka abuzuar me fondet e Bashkimit Europian për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve ujore në Rafinerinë e përpunimit të naftës në Ballsh.

Departamenti i Informacionit në “Channel One” gjatë hulumtimit për abuzimet në rafinerinë “ARMO” që administrohet nga një kompani azere zbuloi se impianti për mbetjet ujore nuk është vënë në punë, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore, që ka rrezikuar jetën e banorëve dhe ka kontaminuar tokat bujqësore në këtë rajon.

Gazetarët e “Channel one” ju drejtuan disa herë delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë për të sqaruar pozicionin e tij rreth këtij skandali me kosto afro 1.8 milionë euro.

Pas këmbenguljes tonë, Delegacioni i Bashkimit Europian deklaroi se për ndërtimin e impiantit të mbetjeve ujore në Ballsh janë dhënë afro 1.8 milionë euro nga paketa e ndihmës së BE-së për Shqipërinë përmes përmes programeve CARDS 2002 – 2005.

Faza e parë e zbatimit të projektit u krye kur ARMO ishte ndërmarrje shtetërore. Faza e dytë u krye kur ARMO ishte ndërkaq e privatizuar.

“Pajisjet u instaluan dhe u vunë në provë në shtator 2009 me ngarkesë pune dhe analiza e ujit pas testit ishte e kënaqshme. Pas instalimit, impianti shfaqi probleme keqfunksionimi, që sipas ARMO ishin shkaktuar nga defektet e instalimit.

Sipas kontraktorit të Delegacionit të BE-së, kishte dëme të shkaktuara nga operimi dhe mirëmbajtja e papërshtatshme e impiantit.

Në vitin 2011 palët nuk arritën t’i përcaktonin plotësisht përgjegjësitë tyre dhe Delegacioni i BE-së e informoi qeverinë se nëse impianti nuk vihej në punë deri në vitin 2012, Delegacioni i BE-së do t’i kërkonte qeverisë shlyerjen e fondeve.

Në vitin 2012 ARMO kontaktoi me kontraktorin me qëllim që t’i riparonte dëmet e vlerësuara me shpenzimet e veta. Rrjedhimisht, pajisja që ndan ujërat nga nafta u riparua dhe u vu në punë”.

Por Channel One fakton të kundërtën. Impianti që në fakt njihet me emrin “Objekti numër 43” është ky që po shihni në pamje. Impianti nuk ka funksionuar asnjë ditë.

Banorët e zonës janë të rrezikuar seriozisht për jetën e tyre nga uji i përzier me naftë që kalon mes për mes rafinerisë.

Kompania ARMO mashtron jo vetëm shtetin shqiptar por dhe delegacionin e Bashkimit Europian që është investitor i këtij projekti.

Channel One do të vijojë investigimin për të zbardhur të vërtetën e këtij skandali që vazhdon të fshihet pa u ndëshkuar.

Sqarimi i plote i delegacionit te BE

Subjekti: Kërkesë për informacion nga televizioni Channel One mbi fondet e BE-së

Ref: Letra juaj e datës 21 janar 2015
I dashur z. Laze,

Bashkimi Evropian e ka ndihmuar rafinerinë e Ballshit përmes programeve CARDS 2002 dhe 2005. Janë nënshkruar dy kontrata në vitin 2005 dhe 2008 respektivisht, kur ARMO ishte ende një ndërmarrje shtetërore, e para në shumën 868 500 EURO me Iren Acqua Gas Spa dhe e dyta në shumën 903 564 EURO me Prominent Italiana Srl.

Faza e parë e zbatimit të projektit (2006-2008) konsistonte kryesisht në punime botore për pastrimin dhe riparimin e rezervuarëve në impiantin e trajtimit të ujit; punime botore për ndërtimin e tri vendgroposjeve për mbetjet e naftës, mbeturinat e ndërtimeve, shkarkimin e katalizatorëve; punime botore për rehabilitimin e stacionit të pompimit; shembjen e pajisjeve të vjetruar; projektimin e sistemit të tubacioneve dhe sistemit elektrik; instalimin e tubacioneve dhe matësve; si dhe instalime elektrike.

Faza e dytë e zbatimit të projektit (2009-2011) konsistonte në furnizimin, instalimin dhe vënien në provë të pajisjeve (ruspa, pompa, pajisje për ngjeshjen e ajrit) në impiantin e trajtimit të mbetjeve ujore me qëllim reduktimin e ndotjes nga uji.

Faza e parë e zbatimit të projektit u krye kur ARMO ishte ndërmarrje shtetërore. Faza e dytë u krye kur ARMO ishte ndërkaq e privatizuar.

Pajisjet u instaluan dhe u vunë në provë në shtator 2009 me ngarkesë pune dhe analiza e ujit pas testit ishte e kënaqshme. Pas instalimit, impianti shfaqi probleme keqfunksionimi, që sipas ARMO ishin shkaktuar nga defektet e instalimit. Sipas kontraktorit të Delegacionit të BE-së, kishte dëme të shkaktuara nga operimi dhe mirëmbajtja e papërshtatshme e impiantit.

Në vitin 2011 palët nuk arritën t’i përcaktonin plotësisht përgjegjësitë tyre dhe Delegacioni i BE-së e informoi qeverinë se nëse impianti nuk vihej në punë deri në vitin 2012, Delegacioni i BE-së do t’i kërkonte qeverisë shlyerjen e fondeve. Në vitin 2012 ARMO kontaktoi me kontraktorin me qëllim që t’i riparonte dëmet e vlerësuara me shpenzimet e veta. Rrjedhimisht, pajisja që ndan ujërat nga nafta u riparua dhe u vu në punë.

Qeveria është përgjegjëse për garantimin që investimi i financuar nga BE-ja të përdoret për qëllimin e synuar dhe pajisja ku është bërë investimi të punojë siç duhet. Qeveria është angazhuar që ta garantojë këtë. Delegacioni i BE-së do të vazhdojë ta ndjekë çështjen dhe rezervon të drejtën t’i reklamojë fondet nëse nuk përdoren sipas objektivave të projektit.

Shpresoj që ky informacion të jetë i dobishëm për ju.

Ora News,  25.03.2015