Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ferizaj përfiton nga investimi i KEDS

KEDS ka rritur kapacitetet e rrjetit në qytetin e Ferizajt duke vendosur trafon e re të tensionit të mesëm prej 8 megavolt amperësh. Kjo siguron shërbime më kualitative për mbi 30 për qind të ferizajasve

Një trafo gjigante prej 14 mijë kilogramëve është vendosur gjatë vikendit në qytetin e Ferizajt. Ky investim i KEDS-it në rrjetin e shpërndarjes ka eliminuar mbingarkesat në qytetin më të madh të Anamoravës. Nga instalimi i trafos së re të tensionit të mesëm kanë përfituar direkt mijëra konsumatorë.

Ky investim rregullon shërbimet me energji elektrike për qytetarët në këtë pjesë të vendit.
“Trafoja e vendosur është e madhësisë 8 MVA (megavolt amper). Instalimi i saj ka rritur kapacitetet e shpërndarjes në Nënstacionin Ferizaj III nga 12 në 16 megavat. Kjo siguron energji elektrike të mjaftueshme për këtë qytet”, tha Korab Zymeri, Menaxher i Mbrojtjes Rele në KEDS.

Qytetarët ferizajas janë shprehur të kënaqur me këtë investim. “Po, është mirë. Jemi të lumtur që po rriten kapacitetet”, thonë ata, teksa vëzhgojnë vendosjen e trafos së re.
Të gjitha punët rreth vendosjes së trafos janë kryer nga vetë punëtorët e KEDS-it. Ata kanë përgatitur vendin dhe kanë punuar intensivisht që ajo të vendoset sa më parë në mënyrë që konsumatorët të mos mbesin kohë të gjatë pa energji elektrike. “Falë angazhimit, punët janë kryer në afatin më të shkurtër të mundshëm. Gjithçka eci sipas parashikimeve dhe tashmë konsumatorët kanë shërbime më kualitative”, tha Zymeri.

Pos investimeve në tensionin e mesëm, KEDS po investon fuqishëm edhe në rregullimin e tensionit të ulët. Kompania ka identifikuar 236 vendbanime me rënie të tensionit dhe menjëherë ka nisur sanimin e kësaj gjendje të trashëguar nga koha, kur Rrjeti i Shpërndarjes ishte aset publik. Afro 10 për qind e tyre tashme janë në finalizim.

Nga projektet e mbetura, 114 do të realizohen nga KEDS-i, përkatësisht nga ekipet e mirëmbajtjes dhe prishjeve, kurse pjesa tjetër me kontraktorë.Këto projekte do të rregullohen sivjet dhe të gjitha vendbanimet me rënie të tensionit do të kenë shërbime kualitative.

KEDS menjëherë kishte nisur investimet. Ato ishin përshpejtuar vitin e kaluar, kur janë realizuar mbi 200 projekte. Kjo kishte stabilizuar tensionin dhe ka rritur kualitetin e shërbimeve për dhjetëra- mijë konsumatorë.

Rregullimi i tensionit është pjesë e investimeve të parashikuara nga kompania në shumën prej 110 milionë euro në pesë vitet e ardhshme dhe një shumë prej më shumë se 300 milionë euro në periudhën 15- vjeçare.

energjia.al 24.03.2015