Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP rregjistron kompanitë që ofrojnë shërbime

TAP-i ka nisur një proces regjistrimi për kompanitë që janë të interesuara të marrin pjesë në zinxhirin e furnizimit të TAP-it duke ofruar shërbime/furnizime/punë si nënkontraktorë të kontraktorëve kryesorë të TAP-it.

Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, TAP sqaron se, synimi i këtij procesi është të përmirësojë dukshmërinë e kompanive të interesuara për të qenë nënkontraktorë duke krijuar një bazë të dhënash me detajet e tyre dhe duke e ndarë atë me ofertuesit e parakualifikuar të TAP-it.
Shembulli në vijim ilustron mënyrën se si do të funksiononte ky proces: Një restorant përgjatë gjurmës së TAP-it në afërsi të Fierit është i interesuar t’u ofrojë shërbime kateringu kompanive që punësojnë punonjës ndërtimi dhe që punojnë për Gazsjellësin Trans Adriatik. Pronarët apo menaxherët e restorantit mund të regjistrojnë interesin e tyre si dhe detajet përkatëse të kontaktit me TAP-in përmes instrumentit të regjistrimit. Pasi TAP-i të ketë identifikuar ofertuesit e parakualifikuar që do të tenderojnë për kontratat për ndërtimin e gazsjellësit në këtë zonë në vitin 2016, TAP-i do të ndajë me ofertuesit bazën e të dhënave në të cilën janë renditur detajet e kontaktit të pronarëve/menaxherëve të restorantit. Tashmë ofertuesit e parakualifikuar janë në dijeni të restorantit dhe secili prej tyre mund të vendosë nëse duan ta punësojnë/kontraktojnë restorantin si nënkontraktor për të ofruar shërbimin e kateringut për punonjësit e tij.
 Pas fazës së Parakualifikimit për kompanitë që ofrohen, të dhënat e mbledhura do të ndahen me ofertuesit e parakualifikuar. Që nga ai moment ofertuesit e para-kualifikuar mund të kontaktojnë kompanitë e regjistruara drejtpërsëdrejti nëse kanë dëshirë të konsiderojnë mundësitë e përfshirjes së këtyre kompanive në zinxhirin e tyre të propozuar të furnizimit.
Në mënyrë që të regjistrohen në bazën e të dhënave, kompanitë duhet të plotësojnë një formular i cili gjendet në internet dhe duhet të pranojnë termat dhe kushtet përkatëse.
TAP-i njofton se, nuk po organizon një proces përzgjedhjeje për nënkontraktorë. Asnjë kontratë nuk do t’i jepet në mënyrë të drejtpërdrejtë një nënkontraktori përmes këtij procesi regjistrimi. Procesi i regjistrimit për kompanitë e interesuara për t’u bërë nënkontraktorë është mbi baza vullnetare.
Përdorimi i bazës së të dhënave apo hyrja në një kontratë është fakultative për ofertuesit e parakualifikuar të TAP-it, po ashtu edhe për kompanitë e interesuara për të qenë nënkontraktorë.
TAP-i nuk do të promovojë apo të garantojë cilësinë dhe performancën e kompanive të regjistruara në bazën e të dhënave tek ofertuesit e tij të parakualifikuar. Ofertuesit e parakualifikuar të TAP-it do ta kryejnë vetë procesin e tyre të përzgjedhjes dhe do të tregojnë vetë kujdes përsa i përket marrëdhënieve me nënkontraktorët e tyre.
Me kërkesën e tyre, TAP-i do të heqë nga baza e të dhënave kompaninë e regjistruar dhe informacionin e tyre.
Revista Monitor,  16.03.2015