Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Operatorët energjitikë shpëtojnë nga përmbaruesit

“Te porta e ligjit është roja”. Kjo frazë e Franz Kafkës me të cilën nis tregimi “Para ligjit”, i shkon shumë përshtat situatës së kompanive private që paguajnë përmbaruesit gjyqësorë për të marrë lekët që u detyrohet qeveria. Por, nuk arrijnë të përfitojnë nga ligji. Dje, në Kuvend, u miratua me procedurë të përshpejtuar një ligj që i shpëton përfundimisht tri ndërmarrjet publike të energjetikës, KESH-in, OSHEE-në dhe OST-në, nga përmbaruesit. Projektligji “Për një shtesë në ligjin Nr..48/2014, “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore tregtare””, i miratuar mes zhurmës së opozitës në sallën e Kuvendit, përjashton këto ndërmarrje nga detyrimi për të respektuar në afat kontratat. Këtij ligji, i shtohet një fjalë, që në fakt është një shigjetë në zemër të sipërmarrësve privatë që bëjnë transaksione tregtare me koorporatat energjetike shtetërore Në nenin 2 të ligjit, te përjashtimet, shtohen edhe “detyrimet që rrjedhin nga shitja, blerja dhe faturat e shërbimit të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike”. Por, përmbaruesit kishin gjetur një derë tjetër për të hyrë te “kështjella e ligjit”. Ligjvënësi e kishte barazuar individin me kompanitë, duke e trajtuar si titull ekzekutiv detyrimin që mund të kishin kompanitë e sektorit energjetik, njësoj siç trajtohet fatura e energjisë elektrike. Edhe këtë portë e mbyll rojtari. Ligji nr.10486, datë 26 nëntor 2011, “Për një ndryshim në ligjin ‘Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike’”, u shfuqizua dje nga Kuvendi.

Zinxhiri i borxheve

Sipas relacionit të qeverisë që shoqëronte këtë projektligj, një nga shkaqet që e kanë çuar sistemin në gjendje të vështirë financiare është edhe mosshlyerja e detyrimeve ndaj operatorëve privatë që veprojnë në sektorin elektroenergjetik.

“Për shkak të detyrimeve të shumta të prapambetura që shoqëritë publike kanë ndaj pjesëmarrësve të tjerë të tregut, vazhdon të jetë problematike shlyerja e faturave korrente të detyrimeve të ndërsjella”, theksohet në analizën e qeverisë.

Ky zinxhir i borxheve të krijuara e ka fillesën nga konsumatorët fundorë, që nuk paguajnë furnizuesin me pakicë, dhe, si rezultat, furnizuesi nuk ekzekuton detyrimin ndaj shoqërisë së shpërndarjes, shoqërisë së transmetimit dhe furnizimit me shumicë, ndërkohë që furnizuesi me shumicë (KESH) nuk paguan prodhuesit privatë të energjisë apo shoqëritë tregtare, të cilat i shesin energji elektrike nga importi. “Për sa kohë që KESH-i s’ka asnjë mundësi financiare për të paguar faturat e prapambetura, përmbaruesit e aktivizuar nga kompanitë koncesionare mbajnë të bllokuara llogaritë bankare të KESH-it e, për rrjedhojë, nuk lejojnë ushtrimin e aktivitetit normal të kësaj shoqërie”, theksohet në argumentin e projektligjit. KESH-i vazhdon të jetë në një gjendje të vështirë financiare e krijuar si rezultat i mosshlyerjes në vlerë të plotë nga ana e ish-CEZ Shpërndarje, sh.a., (tani OSHEE sh.a.) për detyrimet që rrjedhin nga furnizimi me energji elektrike nga KESH, sh.a.-ja për konsumatorët tariforë sipas përcaktimeve dhe rregullave të sanksionuara në Modelin e Tregut të Energjisë. Për këto arsye, në mënyrë të vazhdueshme nga ana e shoqërisë KESH, sh.a., është kërkuar një mbështetje financiare nga qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Financave, ndërmjet të tjerave edhe për të përballuar detyrimet e papaguara ndaj HEC-eve të vegjël. Bllokimi i llogarive bankare të KESH kryhej në bazë të ligjit “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”, që konsideronte si tituj ekzekutivë, përveç faturave të konsumit të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve fundorë, tashmë edhe faturat e shitjes, blerjes dhe faturat e shërbimit të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike. Pra, mbi këtë bazë, ekzekutimi i faturës për këto shërbime bëhet i detyrueshëm në bazë të titullit ekzekutiv që lëshohet në përputhje me Kodin e Procedurës Civile. Si të tilla konsiderohen edhe faturat e shitjes së energjisë elektrike ndërmjet shoqërisë KESH, sh.a., si furnizues publik me shumicë dhe shoqërive koncesionare, që i hapin rrugë ndërhyrjes së menjëhershme të përmbaruesve privatë në rast mospagimi nga çdo aktor tregu (KESH, OSHEE, OST dhe tregtarë të ndryshëm).

Parashikimi i mësipërm tashmë ishte përforcuar me hyrjen në fuqi të ligjit të qeverisë socialiste “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”. Ky ligj ka për synim të rregullojë çështjen e kryerjes me vonesë të pagesave që rrjedhin nga transaksionet tregtare, duke trajtuar në mënyrë specifike rregullimin e pasojave kundrejt subjekteve që janë në vonesë në pagesat e tyre duke përmirësuar në këtë mënyrë “klimën” e likuiditeteve të sipërmarrjeve tregtare. Ndërmjet të tjerave, ky ligj përcakton se detyrimet monetare, të lindura nga veprimet juridike tregtare, të cilat nuk janë shlyer brenda afatit të pagesës së bashku me kamatëvonesën, përbëjnë titull ekzekutiv dhe vihen në ekzekutim nga përmbaruesi gjyqësor, pavarësisht vlerës.

KESH dhe OSHEE: Na shpëtoni nga bllokimet

Gjatë viteve 2013-2014, pjesa dërrmuese e prodhuesve të pavarur dhe të vegjël të energjisë elektrike kanë vënë në ekzekutim të detyrueshëm titujt ekzekutivë (faturat tatimore të shitjes së energjisë) pranë shoqërive të ndryshme përmbarimore). Sipas KESH-it, aktivizimi i procedurave përmbarimore nga ana e këtyre prodhuesve i ka shkaktuar këtij institucioni vështirësi serioze financiare dhe operative për realizimin e veprimtarisë së tij ekonomike si pasojë e bllokimit sistematik të llogarive pranë bankave tregtare të nivelit të dytë. Për shkak të kësaj situate, KESH-i nuk ka mundur të garantojë as radhën e preferimit në pagesa, që nga detyrimet ndaj organeve tatimore e deri në pagesat për pagat e punonjësve të vetë shoqërisë. Megjithëse, gjatë fundit të vitit 2014 dhe fillimit të vitit 2015, KESH, sh.a-ja, ka përmirësuar ndjeshëm pagesat, shumë shoqëri vijojnë me bllokimin e llogarive të shoqërisë. “Këto bllokime dëmtojnë procesin edhe për shkak të kostove shtesë që krijojnë përmbaruesit gjyqësorë në financat e KESH, sh.a-së, që logjikisht zvogëlojnë fondet e KESH-it, në dispozicion për pagesat e prodhuesve të energjisë elektrike”, justifikohet qeveria në relacionin dërguar Kuvendit. Në një situatë të ngjashme vijon të mbetet edhe OSHEE-ja.  Në një shkresë të datës 12 shkurt 2015, OSHEE i ka ngritur qeverisë shqetësimin e zbatimit të ligjit “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”. Duke zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, operatorët privatë kanë filluar bllokimin e llogarive bankare të shoqërisë OSHEE, duke qenë se kjo shoqëri është shoqëria që mbledh të gjitha të ardhurat e sistemit. “Ky veprim mund të çojë në një bllokim të veprimtarisë së kësaj shoqërie dhe, si rrjedhojë, edhe cenim të furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike”, argumenton qeveria. Nga ana e OSHEE-së, ndërmjet të tjerave, argumentohet se në bazë të marrëveshjes së huas, të datës 3 nëntor 2014, me BERZH-in, është detyrim i OSHEE-së që në një institucion financiar të depozitojë të ardhurat për të paguar shpenzimet e transmetimit dhe të blerjes së energjisë në përputhje me një grafik të caktuar. Si i tillë, çdo bllokim i llogarive bankare të OSHEE-së do të çonte në një shkelje të kushteve të marrëveshjes së huas. Me anë të këtij projektligji, nënvizon relacioni, do të realizohet që shoqëritë publike të mos bllokohen për shkak të mospagesave në kohë të faturave të lëshuara nga subjektet private.

Gazeta Shqip,  13.03.2015