Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Letra e Ministrisë së Kulturës drejtuar OST-së

Prej ditës kur përfaqësues nga Ministria e Kulturës dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) shkuan në Koman dhe deklaruan se linja që prekte sitin arkeologjik do spostohej, çdo gjë mbeti në heshtje. Mbas gëzimit të parë, fundshkurti zgjoi dyshimet se asgjë s’ka ndryshuar, se pas deklaratave në media, munguan shkresat dhe se në fakt, ‘nuk po lëvizej gishti’ në më-nyrë që propozimet e terrenit të merrnin jetë në projektin në letër. Teksa krijohej ideja se gjithë ç’u tha ishte për konsum publik mes të interesuarve për çështjen, jopublikisht pati përplasje; u dërgua shkresë a nuk u dërgua shkresë. “Gazeta Shqiptare” i është drejtuar Ministrisë së Kulturës për të ditur nëse ka një dokument që tregon se komunikimi mes institucioneve për zgjidhjen e problemit ka vijuar.

Ministria e Kulturës përmes Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, drejtuar nga Rudina Zoto, kanë vënë në dispozicion një shkresë që mban datën 4 shkurt 2015 dhe numër protokolli 83. Bëhet fjalë për një letër në të cilën Agjencia e Shërbimit Arkeologjik i drejtohet Operatorit të Sistemit të Transmetimit, drejtorit Engjëll Zeqo (për dijeni ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro e ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri). Në letër, ASHA i kërkon OST-së të sjellë propozimin e vet për zhvendosjen e linjës, në mënyrë që ky spostim të kalojë sërish në KKA (Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë).

Letra:

I nderuar z. ZEQO,

Në vijim të korrespondencës sonë në lidhje me vendimet nr. 366 dhe nr. 367. të datës 12.12.2014 të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, ku janë trajtuar njëkohësisht propozimi për shpalljen e zonave arkeologjike A dhe B Koman, kërkuar nga Instituti i Arkeologjisë (Misioni Arkeologjik Shqiptaro-Francez i Komanit) dhe projekti Ndërtimit të linjës së transmetimit 400 kv Shqipëri- Kosovë (OST). Është kërkuar nga Instituti i Arkeologjisë (Misioni Arkeologjik Shqiptaro-Francez) ndryshimi i projektit të sipërcituar. Lidhur me shtyllat që pozicionohen brenda zonës arkeologjike B të propozuar të Komanit, me qëllim ruajtjen e vendbanimit mesjetar të Komanit, si një përfaqësim i trashëgimisë sonë kulturore.

Vendimi Nr. 367 i KKA për projektin “Ndërtimi i linjës së transmetimit 400 kv Shqipëri-Kosovë”, kërkon kryerjen e sondazheve arkeologjike për të gjitha shtyllat që pozicionohen brenda zonës B të propozuar të Komanit sipas aktmarrëveshjes trepalëshe dhe raporti i tyre të paraqitet në KKA e radhës, për një vendimmarrje objektive.
Në kuadrin e kërkesave për spostimin e Linjës së transmetimit 400 kv Shqipëri-Kosovë”, për shtyllat që pozicionohen brenda zonës B të propozuar të Komanit, me qëllim ruajtjen e vendbanimit mesjetar të Komanit. Siç edhe jeni në dijeni, Ministria e Kulturës si institucioni për-gjegjës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ka iniciuar, organizuar dhe administruar një proces ballafaqimi teknik ndërinstitucional, ku një nga palët pjesëmarrëse ka qenë edhe OST me grupin e saj të ekspertëve, të zhvilluar përmes disa takimeve në institucione si dhe takimin e dt. 3.02.2015. të zhvilluar në Koman.

Si rezultat i këtyre tryezave teknike dhe në përgjigje të shqetësimit në lidhje me ruajtjen e vendbanimit mesjetar të Komanit, nga ana e ekspertëve të OST, u pa i mundur një propozim i cili ka të bëjë me zhvendosjen pjesërisht të një segmenti të linjës përtej zonës arkeologjike B të propozuar, propozim i pranuar nga Instituti i Arkeologjisë (Misioni arkeologjik Shqiptaro-Francez).

Sa më sipër, në vijim të zbatimit të detyrave të lëna nga Vendimi nr.367. i datës 12.12.2014 të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë për kryerjen e sondazheve arkeologjike të shtyllave që pozicionohen brenda zonës arkeologjike B të propozuar të Komanit, do t’ju luteshim të depozitoni pranë ASHA-s propozimin tuaj teknik, lidhur me zhvendosjen e një segmenti të linjës së transmetimit 400 kv Shqipëri-Kosovë, përtej zonës arkeologjike B të propozuar, për të cilin do të vijohet me procedurën administrative të shqyrtimit deri në vendimmarrjen në KKA, për vijueshmërinë e zbatimit të projektit në fjalë.

DREJTOR Rudina Zoto (Vulë dhe firmë)

Gazeta Shqiptare,  06.03.2015