Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kalon afati, bllokohen 20 rafineri

Kalon afati i vënë nga qeveria për plotësimin e kushteve nga rafineritë dhe impiantet e naftës. Duke nisur që nga java e ardhshme, burime nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë deklaruan dje për “Shqip” se, përmes Inspektoratit Qendror Teknik do të pezullojë aktivitetin e mbi 20 impianteve ekzistuese të përpunimit të nënprodukteve të naftës bruto. Këto subjekte, pjesa më e madhe e të cilave ndodhen në Qarkun e Fierit, sipas Ministrisë së Energjisë, rezulton të mos kenë respektuar periudhën tranzitore prej 6 muajsh të caktuar në ndryshimet e fundit në ligjin “Për Përpunimin, Transportimin dhe Tregtimin e Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre”. Ky afat, i cili përfundoi më 23 shkurt, i detyronte të gjitha këto subjekte, deri më tani në një aktivitet gjysmë ilegal, të plotësojnë dokumentacionin e kërkuar dhe të aplikojnë për marrjen e licencës së përpunimit. Një kërkesë e re kjo, e parashikuar në ndryshimet e fundit ligjore me qëllim vendosjen e këtyre subjekteve nën kontroll të rreptë për produktet që përpunojnë, cilësinë e tyre apo ndotjen e mjedisit. Autoritetet shtetërore dyshojnë se pikërisht këto impiante, të cilat ligjërisht deri më tani nuk kishin nevojë të merrnin një licencë të posaçme, përpunonin naftë bruto të cilën e hidhnin në treg në kundërshtim me parashikimet ligjore. Ligji i ri detyron subjektet që nëse kërkojnë të përpunojnë naftë bruto duhet të plotësojnë kriteret e një rafinerie, pasi impiantet mund të përpunojnë vetëm nënprodukte të naftës. Burimet nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë i thanë gazetës “Shqip” se brenda afatit ligjor numri i impianteve ekzistuese që kanë aplikuar për licencë ka qenë shumë i vogël. Paralelisht me aksionin në terren për bllokimin e aktivitetit të këtyre impianteve është bërë ndërprerja e furnizimit të tyre me lëndë të parë nga subjektet e tjera hidrokarbure. “Shqip” disponon një shkresë që Ministria e Energjisë dhe Industrisë ia ka dërguar kompanive të naftës: Albpetrol, Bankers Petroleum, Sherwood Petroleum, Transoilgroup, Phoenix Petroleum dhe Stream Oil & Gas. Përmes letrës, këtyre subjekteve u bëhet e qartë se impiantet e përpunimit të nënprodukteve të naftës janë të ndaluara nga furnizimi dhe përdorimi i naftës bruto për përpunim dhe përfitim të produkteve të gatshme. Në bazë të ligjit, tregtimi i naftës bruto të prodhuar nga shoqëritë që kryejnë veprimtari kërkimi e prodhimi, te subjekte të ndryshme nga ato të përcaktuara në ligj (rafineritë) dënohet me gjobë prej 5,000,000 lekësh.

Gazeta Shqip, 02.03.2015