Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albania Oil, Gas & Energy 2015 Summit

Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha energjitike. Por për të vënë në punë këto potenciale, deri më sot të pashrytëzuara mirë, duhet një punë e palodhur. Në vitin 2006 tregu i energjisë elektrike u ristrukturua dhe për këtë shkak Kompania e Shpërndarjes u pastrua nga borxhet. Pas shtatë vitesh, nga kjo datë, borxhi i kësaj kompanie arriti në rreth 1 miliardë dollarë, barrë kjo për taksapaguesit. Shkak i këtij borxhi ishin debitorët e energjisë, të cilët nuk paguanin dhe hajdutët e saj, të cilët e vidhnin energjinë drejtpërdrejt nga rrjeti, të toleruar nga qeverisja e atyre viteve për përfitime elektorale. Por padyshim, zgjidhja për këtë situatë nuk vonoi. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe me mbështetjen e qeverisë së re, ka ecur në rrugë të mbarë drejt rivendosjes së ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike. Niveli i humbjeve për muajin Janar 2015 u ul në 36.7%. Thënë ndryshe, 10.3% më pak humbje krahasuar me vitin e kaluar dhe 14.4% më pak se viti 2013. Në muajin e parë të këtij viti është mundur të arkëtohen 6,11 miliardë lekë. Kjo do të thotë 57% më shumë të ardhura se sa një vit më parë dhe 128% më shumë se të njëjtin muaj të vitit 2013. Çmimi i energjisë u ristrukturua në fillim të vitit. Përsa i përket rrjetit të shpërndarjes, rreth 80% e tij është e amortizuar, pra për 40 vjet nuk është bërë asnjë investim. Por situata po ndryshon me shpejtësi. Vetë Operatori i Shpërndarjes ka planifikuar vetëm për këtë vit të investojë 4,46 mld lekë në rrjet. Në pesë vite qytetarët shqiptarë do të jenë dëshmitarë të instalimit të 1 milionë matësave inteligjentë të energjisë. Në një këndvështrim më të gjërë makroekonomik, është parë e udhës edhe liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në vitet e ardhshme.

Situata në industrinë e naftës dhe gazit është akoma dhe më optimiste. Bankers është kompania më e madhe eksportuese në Shqipëri, tregues ky i faktit se industria e naftës është një faktor zhvillues i ekonomisë shqiptare. Zbulimi i naftës në Shpirag nga Petromanas në fund të 2013-s rriti interesin e kompanive të huaja për blloqet e nëntokës dhe detit shqiptar, ndërkohë që kompania po kërkon aktualisht ë zonën e Molishtit. Ndërsa projektligji për tregtimin dhe përpunimin e naftës dhe nënprodukteve të saj është një tregues i vullnetit të qeverisë dhe masave konkrete për të vënë këtë treg në shinat e ligjshmërisë.

Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) është një projekt që parashikohet të vihet në përdorim në vitin 2020 dhe mendohet të jetë katalizatori më i madh i ekonomive ku do të kalojë (Greqi, Shqipëri dhe Itali). Investimi është kolosal dhe gazsjellësi ndihmon vendet e rajonit të krijojnë një treg të qëndrueshëm gazi, po ashtu dhe Bashkimin Europian të diversifikojë furnizimin me gaz. Ndërtimi i tij do të punosojë mijëra njerëz dhe do të kontraktojë dhjetëra kompani. Tregu i ardhshëm i gazit në Shqipëri është një potencial i madh ekonomik për investitorët.

Për të folur për të gjitha këto, në datat 17-18 mars, do të mblidhet në Hotel Sheraton Tirana “Albania Oil, Gas & Energy 2015 Summit”. Operatorët më të mëdhenj botërorë kanë konfirmuar ardhjen e tyre në këtë samit, së bashku me Ministrin e Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri, Ministrin e Zhvillimit Ekonomik z.Arben Ahmetaj, Drejtorin e AKBN-së z.Dael Dervishi, Drejtorin e Politikave dhe Zhvillimit të Hidrokarbureve në Ministrinë e Energjisë z.Dritan Spahiu dhe shumë të tjerë. Me një përmbajtje dhe pjesëmarrje kaq ekskluzive këtë event nuk mund ta humbisni. Për të rezervuar vendin tuaj në këtë samit, kontaktoni me organizatorët e eventit në linkun e mëposhtëm:

Albania Oil, Gas & Energy 2015 Summit

energjia.al 02.03.2015