Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Lojë me Termocentrale

Mosvënia në punë e termocentralit të Vlorës dërgon shtetin shqiptar në Arbitrazh me kompaninë kontraktore. Përveç investimeve të humbura deri më tani, shpenzime të tjera e presin shtetin shqiptar, mes konsulencës juridike për t’u mbrojtur dhe asaj teknike për të parë si mund të vihet në punë investimi 92 milionë euro.

Që paratë publike shpenzohen shpesh në formën më të keqe të mundshme, e që shumë koncesione kanë dëmtuar në vend që t’i japin vlerë të shtuar pasurisë sonë, kjo tashmë dihet. Por, dëmi i papërgjegjshmërisë publike vendase e private të huaj arrin kulmin në ndërtimin e Termocentralit të Vlorës. Një projekt gati 1 miliard euro, frytet e të cilit nuk u panë kurrë, e për më tepër, ka shumë dyshime të vlejë ndonjë gjë edhe në të ardhmen. Si një burim alternativ energjie, ai dyshohet në fakt si një gojë e madhe e konsumit të energjisë, që nuk patëm fatin ta verifikonim, pasi një tjetër problem bëri që termocentrali të mos punonte.

Flitet për impiantin defektoz të ftohjes së turbinave. Por, nëse këtu përfundoi aventura e kredive të mëdha miliona euro të marra nga kompania e huaj, në fakt, këtu nis telenovela shqiptare e shpenzimeve gjyqësore, për të arritur në një pikë në fakt, ku çdo koncesionar do të duhej të arrinte përfundimin e projektit. Financave publike u mungon sot një investim, e prodhimi i tij, aq i përmendur nga mbrojtësit e ndërtimit të TEC-it asokohe, për përmirësimin e prodhimit të energjisë në vend. Por jo vetëm kaq. Qeverisë shqiptare i duhet të paguajë edhe disa miliona euro, për të siguruar të drejtat e saj e për të përfunduar projektin. Drejtori i KESH, Agron Hetoja, bën të ditur se kemi kaluar në arbitrazh me kompaninë investitore, e cila nuk e zgjidhi problemin teknik, e për këtë Avokatura e Shtetit po merr konsulentë juridike nga një kompani e huaj. Nga ana tjetër, financat tona, do të shpenzohen edhe për të tenderuar një kompani tjetër të huaj, e cila do të na tregojë pse nuk funksionon impianti i ftohjes, e mundësisht të na e rregullojë atë. Pas kësaj të presim gazsjellësin TAP, për të parë nëse ia vlen barra qiranë të shpenzohen 92 milionë euro teknologji në bregdet, pasi me naftën vendase është e sigurt (pa pasur nevojë për provë) se kostot e prodhimit janë të larta. E nëse do të kujtojmë debatin e madh social, ekonomik e ambiental ku u përfshi ky projekt në fillim, mund të themi shumë zhurmë për asgjë, pasi nuk u prodhua asgjë, por një ekonomist, e as një taksapagues, nuk do t’ia zinte goja… në këtë rast, duhet të themi “asgjë, në këmbim të 1 miliard eurove”

Pse nuk funksionoi TEC Vlora

TEC Vlora është një investim i shtetit shqiptar, i cili që nga janari 2012 nuk është në punë. Arsyeja, sipas drejtorit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, është impianti i sistemit të ftohjes. “Kemi tuba të shtrirë deri në 1500 metra në det që do të duhej të merrnin ujë për të ftohur turbinën. Impianti i ftohjes është i prishur, me defekt dhe ky fakt është relatuar te kontraktori, i cili kishte për detyrë ta përfundonte”, thotë kreu i KESH-it, Agron Hetoja. Por, sipas tij, “për arsye nga më të ndryshmet, të bazuar në kontratë, nuk është bërë e mundur që ky impiant të riparohet e të vihet në punë”. Në kushte të tilla, KESH i është drejtuar rrugës ligjore për ta detyruar kompaninë kontraktore, me vendim gjykate, që të kthehet e të marrë përsipër detyrimet. Por, tashmë pala shqiptare dhe kompania e ndërtimit të TEC-it kanë përfunduar në arbitrazh. “Sapo ka filluar procesi i arbitrazhit dhe ne përfaqësohemi nga Avokati i Shtetit, të cilit i kemi dhënë edhe mundësinë e kontraktimit të një studio ligjore, që ta asistojë me ekspertizë të specializuar”, është shprehur Hetoja, javën e kaluar, në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.

Vetë kompania e prodhimit të energjisë në vend, KESH, po shikon mundësinë e vënies në punë të këtij impianti. Duke shfrytëzuar fondet e tërhequra nga certifikata e garancisë dhe në bashkëpunim me bankat dhe institucionet financiare që kanë dhënë fonde për ta ndërtuar, KESH ka ndërmarrë hapat e parë. Plani i masave për të cilat është rënë dakord përfshin dy aspekte. Së pari, rekrutimi i një firme të specializuar për punimet në det, e cila duhet të vijë e të bëjë një audit funksional e të demonstrojë pse impianti i ftohjes është defektoz dhe në varësi të arsyes dhe shkaqeve të përcaktojë projektin e riparimit ose një zgjidhje tjetër teknikisht të mundshme. Hetoja thotë se, “pritet që brenda muajit shkurt të marrim shprehjet e interesit nga firmat e interesuara dhe të arrijmë të kontraktojmë një studio që të na asistojë në këtë proces”. Sipas tij, përfundimet e kësaj studioje, përveç asistimit në aspektin teknik, do të mund të vlejnë si prova shtesë në arbitrazhin.

Impianti i ftohjes në ofertën fillestare të firmës rezultonte 2.7 milionë euro. TEC i Vlorës është me cikël të kombinuar. Turbinat janë të predispozuara të punojnë me dy mënyra të teknologjisë, por nëse do të funksionojë me gaz, siç është një studim që po bën KESH këto kohë, ka nevojë për disa instalime të vogla. Por, shumica e instalimeve janë të bëra. Impianti i TEC Vlorës është me fuqi të instaluar 97 mega dhe parcela ku është vendosur është e mjaftueshme për të ndërtuar edhe dy HEC-e të tjera. Por interesit të shprehur së fundi mes deputetësh, se një rritje e investimit do të bënte efektive TEC-in nuk gjen mbështetje mes teknikëve. Drejtuesit e KESH vlerësojnë se eficienca e energjisë përmirësohet shumë pak kur kalon nga një modul 97 mega në një modul 271 mega, ndonëse ka një përmirësim të kostove fikse.

TEC-i i Vlorës është ndër projektet më të lakuara e të prezantuara shpesh si zgjidhja alternative që do t’i ofrohej vendit. Në shtator të vitit 2009, drejtuesit e Korporatës Elektroenergjetike thoshin se “një tjetër plan i afërt është vënia në punë e Termocentralit të Vlorës, i cili do të garantojë në treg një prodhim prej 900 mln kWh/vit. TEC-i ka filluar tashmë punë pjesërisht, por në fillim të muajit nëntor, ai do të nisë 100% funksionimin”.

tec vlore.TEC-i i Vlorës, edhe pse u përfundua në fund të vitit 2009, nuk u vu në punë. Pikëpyetja ishte te kostot e larta të përdorimit të lëndës djegëse. Por, kësaj pikëpyetje nuk i është dhënë përgjigje as sot, pasi një tjetër problem, kësaj radhe teknik, pengoi vënien në punë të Termocentralit.

Pikëpyetjet vazhdojnë

Nëse problemi teknik do të zgjidhet, shtetit shqiptar i mbetet një tjetër sfidë e madhe përpara. Shumë vlerësime e nxjerrin si një prodhues me kosto të lartë, e kur burimet e energjisë sa vijnë e shterohen (vendi, eksporton miliona tonë naftë në vit), pikëpyetja me çfarë lënde djegëse do të vihet në punë, dhe sa do të jetë kosto, vazhdon të mbetet. Një shpresë të saj, qeveria shqiptare e ka varur në rrjetin e gazsjellësit TAP, meqë TEC-i mund të funksionojë me gaz, gjithsesi, edhe përdorimi i gazit, ka pikëpyetjet e tij.

Pesë vite më parë, ish-kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, deklaronte se termocentrali punon me sasi të mëdha gazi. Në mungesë të gazit, TEC-i punon me naftë, çka e bën koston e 1 kilovat/orë të prodhuar prej tij shumë më të shtrenjtë se sa ta blesh në tregun ndërkombëtar. Kjo do të thotë se investimi me vlerë 92 milionë euro do të mbahet si burim rezervë në raste emergjente.

“TEC-i i Vlorës përfaqëson një konsumator të rëndësishëm të gazit natyror me rreth 250 milionë metër/kub gaz natyror në vit, si nevojë për prodhimin e energjisë elektrike. E nëse do të mund të shmangnim problemet teknike me vlerë miliona euro, mbetet të presim vitet e nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit, lidhjes së mundshme me TEC-in dhe vetëm çmimet e ardhshme të gazit, do të na tregojnë nëse do të vlejë vënia në punë e tij.

A duhej ndërtuar TEC-i në Vlorë?

Që në fillim të hartimit të projektit, u ngritën me shpejtësi pyetjet nëse duhej ndërtuar ky termocentral. Ambientalistët e kundërshtuan, ndërsa ekspertë teknikë e studio (ndoshta edhe me interesa të tjera) prezantonin vlerësimet e tyre për dobinë dhe dëmet që mund të sillte ndërtimi i HEC-it, studime të tjera u fokusuan tek efektiviteti i funksionimit të këtij projekti.

Për të u organizuan takime të hapura diskutimi midis grupit të punës të ngritur nga qeveria dhe ekspertëve të ndryshëm e palëve të interesuara nga shoqëria civile. Qëndrimet në lidhje me ndërtimin e TEC-it në Vlorë ishin nga më ekstremet, duke filluar që nga kundërshtimi i plotë i ndërtimit, qoftë edhe vetëm i një TEC-i deri në ngritjen e një parku industrial. Sipas Bankës Botërore, financuese e këtij projekti, studimi tregonte se ngritja e TEC-it respekton mjedisin dhe, nga ana tjetër, është i nevojshëm për përmirësimin e situatës energjetike në vend. U tha se madje edhe ministri i Turizmit dhe Kulturës, Rinisë e Sporteve do të jepte dorëheqjen nëse në qytetin e tij do të ndërtohej TEC-i. Ndërsa vetë qytetarët e Vlorës kërkuan referendum, kërkesë e cila u hodh poshtë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Për shkak të nivelit të lartë të diskutimeve dhe ndikimeve në shumë aspekte: mjedis, turizëm, energjetikë etj., Qendra e Kërkimeve “Monitor” në atë kohë, u interesua të dinte opinionin që shprehin shqiptarët. Në vrojtimin e bërë para miratimit të projektit, të anketuarve në krejt vendin iu kërkua të shpreheshin PRO ose KUNDËR ndërtimit të TEC-it në Vlorë. Dhe rezultati i anketave tregonte se, në tërësi, shqiptarët ishin më të interesuar të përmirësonin situatën e prodhimit dhe të furnizimit me energji elektrike për të shpëtuar nga krizat e herëpashershme energjetike që godasin ekonominë e vendit dhe për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për situatën energjetike. Rreth 66.2% e të anketuarve ishin PRO ndërtimit të TEC-it në Vlorë dhe rreth 88% e tyre e argumentonin këtë qëndrim me nevojën për përmirësimin e situatës energjetike në vend. Ndërsa 31.4% e të anketuarve ishin kundër ndërtimit të TEC-it në Vlorë. 42% e tyre e argumentonin këtë qëndrim me nevojën për zhvillimin e turizmit në Vlorë; rreth 39% shprehen se dëmton mjedisin. Ndërsa rreth 7.6% ishin pro ndërtimit të TEC-it, jo në Vlorë, por diku tjetër. Opinioni pro ndërtimit të TEC-it në Vlorëishte mbizotërues pothuaj në të katër rajonet kryesore në të cilat ndahet kampioni i vrojtuar: Tiranë, Qendër e Shqipërisë, Jug dhe Veri. Por, siç pritej, të anketuarit në qytetin e Vlorës ishin 100% kundër ndërtimit të TEC-it në qytetin e tyre.

Revista Monitor,  01.03.2015