Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Po kryhet një reformë e plotë energjitike

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri në seancën e sotme parlamentare:

Faleminderit zoti drejtues i seancës,

Këtu po flitet për një marrëveshje me Islandën, një marrëveshje që normalisht duhej të ishte përshëndetur nga opozita por fatkeqësisht po shfrytëzohet për të bërë sulme që janë jashtë kësaj teme. Detyrohem të jap sqarime që vlejnë edhe për ata investitorë, meqenëse e ngriti dikush dyshimin se si do të investojnë sipërmarrësit islandezë këtu në fushën e energjetikës dhe çfarë po bëhet me këtë sektor.

Disa njerëz këtu, përpara se të flisnin këtu për energjitikën, duhet të kërkonin një ndjesë të madhe për të gjithë ato probleme që kanë shkaktuar, për atë gropë financiare dhe ato çështje me të cilat ne po përballemi sot me guxim dhe kosto. Është normale të kërkonin ndjesë por fatkeqësisht nuk e bëjnë.

Këtu u hodhën disa akuza që meritojnë sqarim. Dëgjova këtu më parë z. Mima në lidhje me katrahurën apo me frikën për investimet private në energji. Më vjen keq sepse kur ishe aty, duhet të kishe mësuar më shumë se si funksionon ky sektor, për aq pak kohë sa ishe. U hodh akuza se HEC-et private po dëmtohen dhe se ne paskemi shpallur luftë me ta. Cila është e vërteta? Po, ka një gjë që e tmerron investitorin dhe normalisht kështu funksionon në një sektor të rregulluar është premtimi bosh. E frikëson superfuqia, piramida e premtimeve për tarifat të cilat nuk i mbulon. E kam thënë dhe dua t’jua them prapë se energjia e prodhuar nga HEC-et private paguhet nga qytetarët shqiptarë. Kjo energji, e cila i bie 10% më shumë se sa importi duhet  të reflektohet në tarifat konsumatorëve. Mungesa e planifikimit, mënyra se si i dha koncesionet pa plan, koncesioni deri në majë të malit që do të dojë edhe nja 10 milion të tjera investime për ta lidhur me linjat e transmesionit dhe për ta sjellë në rrjet, paguhen nga qytetarët shqiptarë. Nuk janë investime që vjen investitori dhe ka riskun e tij. Investitori vjen dhe qeveria në këtë rast duhet që ti përgjigjet sipas modelit të tregut që ishte në fuqi, do të thotë që qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë më shtrenjtë. Kjo është logjika e thjeshtë.

Çfarë bëre ti zotëri për këtë problem?! Cili është realiteti? U urdhërua KESH-i në vitin 2011-2012 me ERE-n që të ulte arbitrarisht çmimin e energjisë për të favorizuar CEZ-in, e zbritën nga 2.8 lek në 2.2 lek. Çfarë ndodhi? HEC-et private 1 terravat energji dhe një pjesë e madhe e kësaj e pareflektuar në tarifë. Kjo krijoi një hendek financiar, krijoi miliona dollarë borxhe. Ndërkohë, shitët edhe 4 hidrocentrale, i shitët batjava, i shitët në mënyrë korruptive. Dhe po jua them, po ka një krim më të madh që është bërë në sistemin energjetik të këtij vendi është shitja e katër HEC-eve me vlerën prej 90 milion dollar ku 30 milion dollarë i bëtë pazare me TVSH-në dhe detyruat KESH-in të harxhojë 18 milion euro çdo vit për të shlyer ato investime. Ti e di shumë mirë! Madje dy nga këto hidrocentrale, Bistrica, e financuar nga qeveria shqiptare me paratë e KFW-së, e rinovuar nga ne dhe vazhdon KESH ti paguajë borxhin. Këtu ju bë një dëm i madh asetit të energjisë kombëtare. E bëtë ju dhe tani kërkoni llogari se çfarë po ndodh me ristrukturimin që po i bëjmë çmimeve të energjisë për hidrocentralet private. Ajo që po bëjmë është gjëja më normale.

Sëfundi bëmë edhe një marrëveshje me ta. U ulëm, diskutuam dhe arritëm në një marrëveshje.  U thamë ky është çmimi i bursës rajonale me të cilën vlerësohet energjia dhe plus një incentivë. Por, kësaj radhe për herë të parë dhe po e them dhe le të dalë këtu me shifra dhe ta kundërshtojë dikush, për herë të parë të mbuluar në tarifë. Pra, tarifa që paguan konsumatori shqiptar mbulon edhe tarifën për HEC-et private, në mënyrë që të mos krijohen më hendeqe.

Këtu u bë edhe një gafë tjetër dhe më vjen keq z.Mima sepse nuk mësove nga aq pak punë sa bëre atje. Thua se nuk ja blenin. Po energjia blihet nga HEC-et private, madje në modelin e ri të tregut, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të blejë energjinë nga HEC-et private dhe teprica do të mbulohet nga importi. Po kjo gjë duhet të bëhet e planifikuar.

Ndërtimi i kapaciteteve të reja duhet të bëhet në mënyrë të planifikuar. Ato kapacitete të reja që jepen duhet të jenë efiçiente, duhet tia vlejë ndërtimi në mënyrë që qytetarët shqiptarë të paguajnë. Shqipëria, nga njëra anë po shkon drejt liberalizimit, do të thotë se nga një anë po ndërtojmë një model tregu të liberalizuar dhe ndërkohë po marrim garanci të vazhdueshme për blerjen e energjisë nga këto investime. Këtu ka një gjë që nuk shkon dhe që kërkon zgjidhje!

Vetëm një model tregu i qëndrueshëm dhe një sektor likuid që grumbullon para do të mund të garantojë investimet, sepse investimet nuk garantohen në letër. Pse mo, investitori mendoni se garantohet vetëm duke marrë një copë letër?! Regjimi juridik kushtetues imponon që Enti Rregullator, në llogaritjen e tarifave, pra tek niveli i tyre duhet të llogarisë edhe paratë për hidrocentralet private. Ne, këtë regjim kemi zbatuar. E kemi vënë në parametra më të pranueshëm të tregut, me bursën rajonale duke dhënë incentivën më të lartë se importi, por shumë më të ulët se sa tarifat e përgjithshme që ishin të pareflektuara në tarifë. Reforma që po bëjmë këtë synon të adresojë, liberalizimin e tregut, garantimin që OSHEE të blejë energjinë nga këta prodhues që përfitojnë incentivën dhe pjesa tjetër do të plotësohet nga importi.

Në fakt, në Shqipëri ka kapacitete edhe pa tarifa të rregulluara dhe ne drejt kësaj rruge duhet të shkojmë. Pra, të japim kapacitete e hidrocentrale të reja pa tarifa të garantuara, ndryshe situata do të kthehet në një barrë të rëndë për konsumatorin shqiptar. Sa më shumë kapacitete të shtohen aq më shumë do të paguajnë qytetarët shqiptarë. Këtu nuk ka ndonjë gjë të keqe, por kjo kërkon një pakt kombëtar, jo nesër të bësh spekulime politike.  Del bën spekulime politike, thua po të isha unë hajde i falim këtu, e hajde i falim aty. Çfarë bëtë me ato falje? E çuat sistemin 1.1 miliard gropë, ju e bëtë. E kishit premtim elektoral dhe ja ku e çuat situatën.

ministri damian gjiknuri kuvend parlament foltoreQytetarët sot po ndërgjegjësohen. Janë të njëjtët qytetarë, sepse nuk ka ndodhur ndonjë mrekulli. Janë mbi 200 mijë qytetarë që lidhin aktmarrëveshje për të shlyer detyrimet ndaj OSHEE-së me një skemë jashtëzakonisht lehtësuese. Vërtet ka probleme, ka fluks njerëzish por po bëhet gjithçka që të përballohet situata. Kapacitetet do të shtohen dhe në fund të fundit kuptohet se kjo është një situatë jo normale.

Po e dëgjoni nga Banka Botërore, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga Komuniteti i Energjisë dhe Bashkimi Evropian: janë duke u marrë hapat e duhur drejt një reforme të plotë energjitike. Janë hapat e duhur që sektori energjitik të kthehet në likuid, pasi vetëm një sektor likuid do mund të garantojë investimet private, jo llafet tuaja për superfuqi energjitike apo vendimet që i bëtë si me hidrocentralin e Ashtës, ku faturën e paguajnë qytetarët shqiptarë.

Nuk e kam specifikisht me zotin Mima, por me çdo parafolës, që kur të vijë në këtë podium duhet së pari të kërkojë falje për gjithë atë katrahurë financiare që i shkaktuan këtij sistemi energjitik dhe sot fatkeqësisht u kthye në rrezikun më të madh për stabilitetin e Buxhetit të Shtetit, faktori më i madh pengues për ekonominë.

Ju e dini shumë mirë, se në vitin 2013 keni qenë nëpër zyra, po të mos u ndihmonte Zoti që të binte shi, ju ishit në rrezik për të mos dhënë dot as rrogat. Me sistemin që ndërtuat dhe me ato tarifa, me mënyrën se si u sollët me sektorin e energjisë elektrike po çonit në kolaps të plotë financiar funksionimin e shtetit dhe ekonominë shqiptare.

Progresi ka nisur. Për një vit kemi 100 milion USD më shumë të ardhura. Vetëm nga ulja e humbjeve me më shumë se 7% është blerë rreth 40 milion më pak energji elektrike. Çmimet mesatare të blerjes së energjisë elektrike kanë rënë, madje sot ke gjashtë kompani që konkurojnë krahasuar me dy kur ju e kishit monopolizuar tregun e blerjes së energjisë.

Nuk ka reformë pa disiplinë financiare. Nuk ka sektor të rregulluar po nuk garantove disiplinën e pagesës, pasi gjitha të tjerat janë fjalë. Janë fjalë si ato me të cilat ju deshet ti mbushnit mendjen vetes dhe të tjerëve sikur po ndërtonit një superfuqi. Realiteti i reformës është se po shkojmë në ato kanale në të cilat kanë shkuar të gjitha vendet e zhvilluara. Po liberalizojmë tregun, po lehtësojmë barrën që e ka mbajtur KESH-i, e kam thënë dhe do e përsëris se e keni bërë Kaskadën e Drinit në kaskadën e eksperiementeve. Nuk do të ketë më eksperimente, ato kapacitete që do të lirohen nga KESH-i do të përdoren në mënyrë të zgjuar për të zgjeruar kapacietetet prodhuese, për të garantuar furnizimin me energji elektrike.

Nga ana tjetër, industria pak nga pak do të nisë të dalë nga tregu, do të përballet me çmimet e liberalizuara. Do të caktohet një tarifë aksesi e pranueshme për ta dhe nga ana tjetër çmimet e energjisë në Evropë do të jenë të lira edhe për shkak të trendit të naftës dhe burimeve të tjera për prodhimin e energjisë.

Do të bëjmë një politikë të studiuar, ku edhe HEC-et private për herë të parë do të kenë një pagesë të garantuar e të mos grumbullohen borxhet. Nga ana tjetër, do të ketë një incentivë të pranueshme e mbi projekte të studiuara. Jo siç u bë ku çdo njeri që zë një përrua e merr një HEC, merr dhe një kontratë dhe kthen duart nga qielli se do na paguajë shteti. Nuk funksionon kështu. Nuk është kjo superfuqia energjitike. Jo çdo përrua mund të bëhet hidrocentral.

Ky personi që do të flasë pas meje është e mira që të kërkojë falje për një eksperiment që u përpoq ta bëjë por nuk i doli siç mendonte dhe la një gropë me borxhe.

Faleminderit,