Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjykata supreme shtyn afatin për Trepçën

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme e ka shtyrë afatin për riorganimizin e Kombinatit Metalurgjik “Trepça”, konform ligjit të ri që ka miratuar Kuvendi i Kosovës më 19 janar 2015, për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të caktuara dhe pasuritë e tyre.

Sipas vendimit të ri, Agjencia Kosovare e Privatizimit, si administratore e Trepçës, tani ka kohë deri më 1 nëntor 2016, që të dorëzojë planin për riorganizimin e kombinatit.

Sipas njohësit të çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, ky vendim është një blerje kohe për Trepçën, por që nuk paraqet ndonjë zgjidhje afatgjatë për kombinatin metalurgjik.

“Kjo është një kohë e mjaftueshme, që së pari Qeveria e Kosovës, por edhe Kuvendi i Kosovës, të ndërtojnë një strategji rreth Trepçës dhe të hartojnë qëllimin e vërtetë ndaj kësaj kompanie, duke e shndërruar atë në një ndërmarrje publike dhe duke marrë mbi vete të gjitha detyrimet, si për zhvillimin e saj, por po ashtu edhe detyrimet ndaj kreditorëve eventualë”, tha Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë.

Sipas Rexhepit, vendimi i Gjykatës Supreme nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket mënyrës së menaxhimit të Trepçës, pasi ajo ende do të mbetet nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Rexhepi mendon se Qeveria e Kosovës, gjatë hartimit të strategjisë për Trepçën, duhet të parashikojë të gjitha format e leverdisshme për funksionalizmin e Trepçës.

“Mirëpo, nëse do të shkohet në privatizim apo jo, kjo duhet të dalë përmes një analize të hollësishme, përmes një strategjie, dhe të shihet se çka mund të shkojë në proces të privatizimit, çka mund të shkojë në likuidim dhe çka mund të mbetet si ndërmarrje publike. Kjo e fundit, me mundësi që pjesërisht disa aksione të saja të shiten, në mënyrë që ajo të jetë një shoqëri aksionare me kapital të përzierë”, tha Ibrahim Rexhepi.

Rexhepi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të presë momentet e fundit të afatit ligjor, për t’i kryer detyrimet e saj për strategjinë dhe ligjin për Trepçën.

Vendimi i marrë nga Gjykata Supreme të enjten, gjatë ditës i është dërguar kryeministrit Isa Mustafa dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Top Channel, 26.02.2015