Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndëshkime edhe brenda OSHEE-së

Nga Mentor Nazarko

Aktiviteti cilësisht intensiv por jo vetëm i tillë i qeverisë në mbështetje të OSHEE-së, Operatorit shqiptar të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është në pikëpamje mediatike, ndoshta njëri nga aktivitetet kryesore të saj në periudhën e fundit. Angazhimet e Kryeministrit, të ministrit të linjës, të autoriteteve të tjera në funksion të shëndoshjes financiare të këtij Operatori kanë prodhuar me siguri absolute pasoja pozitive për Operatorin në fjalë dhe financat publike në përgjithësi. Këto financa kanë qenë dhe mbeten të detyruara ta asistojnë atë për të shmangur falimentimin dhe efektet zinxhirore negative. Edhe ndërrimi i drejtorit të OSHEE ngjan gjithashtu se ka dhënë pasoja pozitive, siç duket nga shtimi galopant i numrit të kontratave të lidhura, përmirësimi i ndjeshëm i mbledhjes së të ardhurave, veçanërisht në rrethet problematike etj.

Por ky është vetëm një kënd i shikimit të këtij angazhimi. Operatori është vërtet një ent publik, por që vepron sipas kushteve të tregut, duke iu nënshtruar në menaxhim rregullave të tij. Ai ka pronësi publike, vepron në një fushë të interesit publik, por në pikëpamje të së drejtës shqiptare ka autonominë në vendimmarrje, personalitetin e vet juridik njëlloj si çdo kompani tjetër private. Ky angazhim masiv i qeverisë nga njëra anë ka sjellë pasoja pozitive, jo thjesht për OSHEE-në, por edhe për kulturën e respektimit të ligjit nga qytetarët, një nga pasojat më të mëdha dhe themelore të këtij angazhimi, së bashku me disa aksione të tjera të qeverisë. Nga ana tjetër, ky angazhim mund të krijojë probleme në perceptimin e rolit të qeverisë nga publiku. Cilat janë këto probleme?

Problemet e krijuara

Në perceptimin e shumë qytetarëve, tashmë ata nuk kanë marrëdhënie me OSHEE-në, por me qeverinë. Pra, OSHEE barazohet me qeverinë dhe shumicën qeverisëse, madje dhe me Kryeministrin Rama. Aksioni i fortë i qeverisë në imagjinatën popullore të shqiptarëve të pamësuar me zbatimin e detyrimeve ndaj operatorëve publikë, dhe në përgjithësi me respektimin e ligjit, po personalizohet deri në atë shkallë sa gjithçka bën OSHEE, drejtorët e saj qendrorë dhe lokalë, menaxherët në territor, i atribuohet Kryeministrit. Brenda traditës së lojës së vet politike, edhe opozita kontribuon në nxitjen e këtij përfytyrimi. A ka në hesap qeveria, Kryeministri që të marrë kosto suplementare në kurriz, ndërkohë që gjendet para zgjedhjeve vendore, që janë testi më i rëndësishëm i saj në thuajse gjysmën e mandatit të vet?

A është OSHEE një operator i madh në të vërtetë, një ent, një ndërmarrje që vepron tërësisht në zbatim të ligjit?

Së pari, problematika e krijuar në marrëdhëniet me qytetarët nuk është tërësisht e lidhur me kohën e funksionimit të kësaj qeverie, por edhe me të tjetrës. Jo vetëm me këtë drejtor të përgjithshëm, por edhe me të tjerët, veçanërisht drejtorin e periudhës tranzitore midis administrimit të çekëve dhe riblerjes së Operatorit kur bilanci u rëndua shumë. Problematika e mbifaturimit, e faturimit aforfe etj. etj, të nxitura jo thjesht nga nevoja e grumbullimit të të ardhurave, nuk janë vetëm të këtyre dy vjetëve qeverisje, por edhe të një periudhe të mëparshme. Jo se ka prerje me thikë të dukurive negative që vazhdojnë me siguri absolute, siç kemi rastin të mësojmë vazhdimisht, por është e imagjinueshme që problemet më të mëdha vijnë prej borxheve të vjetra të akumuluara, pra që i referohen një periudhe të mëhershme.

Së dyti, është krijuar problematikë e re korrupsioni dhe padrejtësie të gjeneralizuar. Nuk është vetëm obsesion i liberalëve, nevoja që shteti të jetë më pak i pranishëm, por është krejt e qartë se përfshirja masive e shtetit dhe qeverisë në sjellje represive si ato që lidhen me OSHEE-në, mjerisht prodhojnë dhe shtim të korrupsionit, duke krijuar hapësira të reja për faturuesit dhe menaxherët lokalë. Kam dëgjuar raste të shumta, mes të cilëve njëri në një drejtori vendore të Shqipërisë së mesme kur nivele të larta të menaxhimit i vendosin gjoba të fshehta biznesit të ndërtimit, që kërkon të lidhet me sistemin duke i ofruar gjoja lehtësira për vendosjen e transformatorëve. Ka plot raste arrogance, ndërprerje të energjisë ndaj familjeve disakurorëshe që jetojnë në ndërtime të paligjëruara, megjithëse disa prej tyre dëshirojnë të lidhen dhe të paguajnë. Gjithçka duke abuzuar me konceptin e përgjegjësisë.

Parë kështu, disa prej lajmeve më të fundit që vijnë nga marrëdhëniet e qytetarëve me OSHEE-në, përfaqësojnë tragjedi që mund të ishin shmangur. Deri më sot, sa kohë që nuk ka përgënjeshtrim zyrtar mjekësor, vetëvrasja e një qytetari nga Novosela, rastet e sëmundjeve të qytetarëve të tjerë në veri të vendit për shkak të mbifaturimit, vetëvrasja e një qytetari në burg, janë ngjarje dramatike jo thjesht të lidhura me OSHEE-në, që duhet të na shtyjnë të mendojmë fuqimisht në linjat që vetëm nisëm të preknim.

Linja e parë, më e rëndësishmja, që nuk lidhet vetëm me imazhin e qeverisë, por edhe me autonominë e një ndërmarrjeje publike, është si të distancohet qeveria nga OSHEE në kufijtë e ligjit. Sa kohë që këtu hyn dhe perceptimi publik, ky distancim nuk duhet të jetë thjesht dhe vetëm institucional, por edhe mediatik. Qeveria do duhet të reagojë me të njëjtën forcë edhe ndaj të korruptuarve brenda OSHEE-së dhe publiku duhet ta kuptojë këtë qartë. Qeveria, Parlamenti duhet të miratojnë akte ligjore ose nënligjore që krijojnë mekanizma disiplinorë brenda Operatorit të transmetimit që të funksionojnë në kushte emergjence si këto që jemi duke përjetuar. Vullneti i qeverisë për të përmirësuar administrimin e OSHEE-së duhet të përçohet njëlloj në të gjitha hallkat e saj, dhe jo të shfrytëzohet për të rritur presionin mbi qytetarët nga ana e kusarëve të veshur me rrobën e OSHEE-së.

Së dyti dhe në vijim të së parës, vetë OSHEE të japë dëshmi transparence të funksionimit të saj. Menaxherët në terren nuk mund të flasin me qytetarët dhe bizneset në emër të disa rregulloreve që nuk njihen dhe që i dinë vetëm ata, por transparenca duhet të rritet, krahas rritjes së ndëshkimeve publike brenda radhëve të punonjësve të OSHEE-së. Kjo klimë e veçantë e shtimit të presionit te qytetarët apo bizneset që s’kanë paguar detyrimet, duhet të shoqërohet me vetëndëshkime brenda sistemit, ashtu edhe me ndjenjë të fortë barazie ndaj qytetarëve. Duhet të shtohet humanizmi në trajtimin e qytetarëve, që mbajnë radhë të gjata për të paguar.

Është krejt e qartë se në kushte emergjence, operacionesh masive si ky, mund të ketë raste padrejtësish të pashmangshme, por ama jo në emër të ligjshmërisë të shtohen paligjshmëritë dhe aq më tepër ngjarjet tragjike.

Gazeta Panorama, 26.02.2015