Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kontrolli i cilësisë së karburanteve

Përmes një urdhri, ministri i Energjisë detyron të gjitha kompanitë e tregtimit të naftës me shumicë të sekretojnë një kampion të produktit që u shesin pikave me pakicë e që më pas duhet të ruhet nga distributori deri në përfundim të shitjes së mallit.

Kjo masë synon të rrisë kontrollin mbi cilësinë e karburanteve që tregtohen në vend, duke mundësuar edhe gjurmimin e subjektit që është burim i hedhjes në treg të produkteve jashtë standardeve. Një nga problemet me të cilat përballen strukturat e kontrollit dhe monitorimit të naftës është pamundësia për të faktuar burimin e mashtrimit me cilësinë e naftës. Subjektet me pakicë të gjendura në shkelje pretendojnë se nuk janë ata abuzuesit, por shoqëritë e tregtimit me shumicë.

Urdhri i ministrit të Energjisë ka për qëllim të rregullojë pikërisht këtë ngërç duke përcaktuar se shoqëritë e tregtimit me shumicë të naftës bruto dhe nënproduktet e saj, në rastin e furnizimit me këto produkte nëpërmjet autoboteve në pronësi ose përdorim të tyre, detyrohen që për çdo furnizim të pajisin me mostër përfaqësuese të sekretuar të gjithë kategorinë e klientëve.

Më tej, personi i autorizuar i blerësit duhet të marrë mostrën dhe ta mbajë deri në përfundimin e sasisë së produktit nga e cila është marrë kjo mostër, por jo më pak se për një periudhë tre mujore. Në rastet kur rezulton se mostra e marrë nga kontrolli në pikën me pakicë nuk është brenda standardit, atëherë inspektoriati analizon edhe mostrën e dhënë nga shoqëria e tregtimit me shumicë, që ka kryer këtë furnizim duke përcaktuar kështu burimin e vërtetë të mashtrimit me cilësinë.

Përgjatë vitit 2014, Inpektoriati Qendror Teknik ka gjobitur rreth 280 subjekte me pakicë prej të cilave 220 për mashtrim me cilësinë e karburantit që u shesin konsumatorëve. Shuma e këtyre gjobave kap në total shifrën e rreth 82 milionë lekëve, por ashtu sikurse në shumë institucione të tjera, kjo vlerë nuk arkëtohet për shkak të ngërçit që has në sistemin gjyqësor pas ankimimeve të subjekteve me pakicë.

Top Channel,  23.02.2015