Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Siguria energjitike për Ballkanin Perëndimor

Siguria e energjisë është një temë gjithmonë e më shqetësuese për shumë vende të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, vende si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Republika e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia, do të mund të luanin rol të rëndësishëm në përmirësimin e sigurisë së saj nëpërmjet investimeve të mundshme në terminalet e gazit të lëngshëm natyror (LNG) dhe tubacionet e reja të gazit. Vetë Ballkani Perëndimor mund të përfitojë nga rrugët alternative për furnizimet me gaz të Europës nga Rusia, Kaukazi dhe madje edhe më larg, nëpërmjet importit të terminaleve LNG. Pozita gjeografike, dalja në det dhe dëshira për të krijuar një kuadër të qëndrueshëm të politikave rregullatore janë ndër faktorët që e bëjnë Ballkanin Perëndimor një perspektivë interesante për investitorët e energjisë. Shumica e vendeve të BE-së e përdorin gazin gjerësisht si një burim i energjisë dhe pjesa e gazit në konsumin total të energjisë arrin deri në 40% në disa prej tyre. Sipas Eurogas, konsumi i përgjithshëm i gazit në 28 vendet e BE-së në vitin 2013 ishte ekuivalent me 462 miliardë metra kub (bcm). Përafërsisht një e dyta ishte konsumuar në Gjermani (89 bcm), Itali (69 bcm), Austri (8 bcm) dhe Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (65 bcm). Të gjitha këto vende do të përballen me vështirësi afatshkurtra dhe afatmesme në rast të trazirave të furnizimit me gaz rus.

Tensionet aktuale gjeopolitike i kanë rritur këto rreziqe sepse shumica e furnizimeve me gaz rus duhet të kalojnë transit në Ukrainë. Ndërsa një e treta e gazit të përgjithshëm të konsumuar në BE vjen nga brenda bllokut, pjesa tjetër importohet. Burimet kryesore të jashtme të furnizimit në 2013 ishin Rusia (27%), Norvegjia (23%) dhe Algjeria (8%). Pjesa e gazit nga Katari, furnizuesi kryesor me LNG të BE-së, ishte 4%.

Mungesa e një tregu të brendshëm efektiv për energji dhe interkonjeksionit të kufizuar në disa rajone e vënë BE në pozita të brishta energjetike ndaj goditjeve të jashtme, duke qenë se asaj mund t’i duhet një periudhë e konsiderueshme kohore për të realizuar opsione alternative të furnizimit, veçanërisht në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE). Në të ardhmen e afërt, skenari mund të përkeqësohet teksa prodhimi vendas në Europë parashikohet të bjerë me 1.4% në vit përgjatë periudhës 2015-2035.

Edhe pse kërkesa për gaz europian po rritet me vetëm 1% në vit dhe është dobësuar disi kohët e fundit për shkak të performancës së dobët ekonomike, Europa po mbështetet gjithmonë e më shumë në gazin e importuar, në veçanti mbi importet neto nëpërmjet tubacioneve. Këto tubacione mund të sigurojnë 51% të kërkesës deri në 2035, nga 37% që është sot. Një rritje e tillë do të mund të nxisë pjesën e tregut të Rusisë dhe, si pasojë, të ushtrojë presion mbi objektivin e BE-së për të promovuar qendrat e tregtimit të gazit të lëngshëm.

Vendet në Ballkanin Perëndimor po përballen me shumë sfida në zhvillimin e furnizimeve të tyre të energjisë. Vitet e nëninvestimit, të kombinuara me përparimin e ngadalshëm në reforma, e kanë frenuar rajonin për të zhvilluar potencialin e tij. Korrupsioni dhe problemet e shtetit ligjor shpesh veprojnë si pengesa për një politikë koherente të energjisë rajonale. Megjithatë, rajoni është perceptuar gjithmonë e më tepër si një rajon transit potencial i furnizimeve me gaz drejt BE-së, me pasoja për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në rajon.

Për të përmbushur hendekun europian të kërkesës dhe furnizimit u planifikuan tre projekte kryesore të gazsjellësit: Nabucco nga rajoni i Detit Kaspik, Rrjedha e Jugut nga Rusia dhe TAP nga Azerbajxhani. Nga këto, vetëm TAP vijon ende të zhvillohet; për Nabucco mungoi financimi dhe kohët e fundit, Rusia njoftoi se nuk do ta mbështesë më projektin Rrjedha e Jugut, kryesisht për shkak se BE-ja ka kundërshtuar faktin që sponsorët rusë nuk përputhen me rregullat e tregut të brendshëm. Kjo mundëson që TAP të vijojë operacionet, projektuar të transportojë rreth 10 bcma gaz natyror nga Azerbajxhani përmes tubacionit të gazit natyror Trans-Anadollian (TANAP), Greqisë dhe Shqipërisë dhe përmes detit Adriatik drejt Italisë. Tubacioni TANAP/TAP ka të ngjarë të rritet në kapacitet pothuajse dyfish me stacionet kompresore. Përveç kësaj, ndërtimi i propozuar prej 5 bcm i tubacionit të detit Jon (IAP) nga Shqipëria, përmes Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës, drejt Kroacisë (IAP do të lidhet me terminalin Krk LNG) do të ketë kapacitet për të shtuar furnizimin e mëtejshëm të tregjeve në CESEE.

Megjithatë, BE-ja ende mund të përballet me një hendek në furnizimin afatmesëm. LNG-së mund t’i duhet të luajë një rol, teksa vëllimi në rritje mund të mbërrijë nga Lindja e Mesme dhe potencialisht SHBA kur terminalet e eksportit të gazit të jenë gati për të filluar punën nga 2015 e tutje. Ballkani Perëndimor do të mund të shfrytëzojë kërkesën potenciale për kapacitetin e importit LNG, nëpërmjet projekteve në vijim: Ndërtimit të një terminali LNG në Kroaci: Ndërsa kjo është diskutuar për shumë vite, ngjarjet e fundit në Ukrainë e kanë bërë projektin Krk LNG edhe më të vërtetë se më parë. BE-ja e vlerëson projektin në interes të përbashkët të bllokut dhe, sikundër referoi komisioneri për energji në vizitën e tij të fundit në Kroaci, KE ka vendosur ta mbështesë atë. Objekti i propozuar do të ketë një kapacitet të mundshëm prej 15 bcma dhe si i tillë do të sigurojë shumicën e atij gazi për eksport, teksa konsumi vjetor i Kroacisë është vetëm rreth 3 bcm. Ekzistojnë tashmë lidhje tubacioni midis Kroacisë dhe Hungarisë, dhe Kroacisë dhe Sllovenisë. Sipas Ligjit kroat mbi Projektet e Investimeve Strategjike, i cili hyri në fuqi në nëntor të vitit 2013, qeveria mund të veprojë shpejt dhe të përshpejtojë zbatimin e projektit.

Megjithatë, aktualisht çmimet LNG drejtohen nga vendet me rritje të lartë në Azi dhe, për këtë arsye, ato janë 30% më shtrenjtë se tregjet europiane, që do të thotë se ky gaz, me shumë gjasa, do të përmbushë një rol margjinal dhe nuk mund të rezultojë në rritjen e energjisë elektrike me gaz në rajon.

Duke shfrytëzuar burimet potenciale në det të hapur: tenderët e fundit të burimeve natyrore janë zhvilluar në Kroaci dhe Mal të Zi. Kroacia hapi raundin e parë të ofertimit në det të hapur në vitin 2014, me ofertat që do të jepen në fillim të 2015-s.

Tenderi ka tërhequr interes të konsiderueshëm, me më shumë se 30 kompani të naftës dhe të gazit të pranishme. Mali i Zi hapi raundin e saj të parë të ofertimit në det të hapur në vitin 2013 me tre konsorciume ndërkombëtare të naftës dhe gazit që iu përgjigjën tenderit. Kompanitë private, përfshirë Petromanas Energy dhe Royal Dutch Shell, aktualisht janë gjithashtu duke eksploruar prodhimin e naftës dhe gazit në zonën në det të hapur të Shqipërisë, duke kryer testet e shpimit. Megjithatë, mungesa e provuar e rezervave nënkupton se burime të tilla do të luajnë rol vetëm në një periudhë afatgjatë.

Revista Monitor,  15.02.2015