Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Thaçi: Trepça është e Kosovës

Zëvendës kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi gjatë fjalimit të tij në OKB, se gjiganti metalurgjik, Trepça është pasuri dhe përgjegjësi e Kosovës.

“Institucionet e Kosovës kanë marrë një vendim që të gjejnë zgjidhje në përputhje me ligjet e Kosovës dhe me pëlqimin e Kombeve të Bashkuara. Trepça është e jona dhe ne vendosim për Trepçën”, ka deklaruar ai, transmeton Zëri.

Në fjalën e tij para përfaqësuesve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, zëvendëskryeministri Thaçi prezantoi zhvillimet kryesore politike dhe ato që kanë ndodhur në Kosovë, jo vetëm në tre muajt e fundit, por në shtatë vitet e pas pavarësisë.

“Më lejoni të ritheksoj se në këto 7 vite, Republika e Kosovës, falë vullnetit dhe përkushtimit të popullit, politikës dhe komunitetit ndërkombëtar, ka ndërtuar shoqëri multietnike dhe institucione demokratike, të qëndrueshme dhe si rezultat i kësaj, Kosova është bërë faktor i paqes dhe eksportues i stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, ka theksuar Thaçi.

Ai më tej ka shtuar se përvjetori i shtatë i pavarësisë, e gjen Kosovën si shtet të konsoliduar, brenda dhe jashtë, derisa procesi i njohjes ka treguar se shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe një faktor i domosdoshëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka informuar përfaqësuesit e shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit edhe për organizimin e samitit të radhës të Ballkanit Perëndimor, ku në muajin mars Republika e Kosovës do të jetë mikpritëse e 6 ministrave të jashtëm të Ballkanit, përfshirë të Serbisë, ku do të flitet për projekte të përbashkëta investive. Ai ka folur edhe për implementimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ku ka pas disa përparime të prekshme.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Thaçi ka akuzuar Serbinë për vonesat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe kjo tregon se Serbia ende nuk ka hequr dorë nga synimet dhe ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës. Po ashtu, Thaçi ka përmendur edhe raportin e botuar javën e kaluar nga organizata e famshme serbe, Fondi për të Drejtën Humanitare, që akuzon shefin e tashëm të ushtrisë serbe për krime mizore në Kosovë gjatë vitit 1999 dhe për fshehje të trupave të civilëve kosovarë të vrarë nëpër varreza në Serbi.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbetet fuqishëm e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë dhe për vazhdimin e dialogut që synohet të finalizohet më njohjen e ndërsjellë.

“Kosova, si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe zonës Euro-Atlantike, do të vazhdojë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian si prioritet shtetëror në funksion të zhvillimit dhe transformimit shoqëror, ekonomik dhe politik të Kosovës”, ka theksuar ai.

Dëshmi kryesore e suksesit të brendshëm të Kosovës, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, është përfundimi me sukses i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

“Është ky pranim i përparimit substancial që Kosova ka bërë në rrafshin e ekonomisë, demokracisë dhe të sundimit të ligjit. Jemi përkushtuar për një agjendë dinamike legjislative dhe ekzekutive që duhet ta dërgojë vendin drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, ka shtuar Thaçi.

Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Thaçi ka kërkuar sërish ridefinimin e rolit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

“Duke vlerësuar arritjet e Kosovës në fushën e sigurisë dhe të stabilitetit ekonomik, social dhe politik, si dhe duke theksuar marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, i nderuar zoti President, është koha që Këshilli i Sigurimit të konsiderojë mundësinë për një UNMIK të transformuar, që duhet ta ndihmojë Kosovën për t’u anëtarësuar në Agjencitë e Specializuara dhe kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit të ndihmojë Republikën e Kosovës në realizimin e aspiratave për t’ju bashkuar Kombeve të Bashkuara në të ardhmen”, ka theksuar Thaçi.

Gazeta Zëri,  07.02.2015