Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Laborator europian për kontrollin e naftës

Konsumatorët shqiptarë të karburanteve do të kenë mundësi të përdorin në vijimësi, vetëm produkte të kontrolluara për cilësinë dhe standardet e tyre. Inspektorati Qendror Teknik e mundëson këtë, nëpërmjet një laboratori modern e bashkëkohor analizash të lëndëve djegëse, i rikonstruktuar dhe kompletuar së fundmi me pajisje të reja. Në këtë laborator janë investuar mbi 35 milionë lekë nga Buxheti i Shtetit dhe 20 milionë të tjera nga partneriteti publik-privat.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në godinën e rikonstruktuar të IQT-së dhe në këtë laborator të dimensioneve europiane për nga teknologjia, ku ofrohen 58 metoda analizimi të akredituara në aparatura të certifikuara dhe të njohura ndërkombëtarisht. Në këtë mënyrë, laboratori jep garanci të plotë në zbatimin e standardeve europiane të ndjekura nga Shqipëria.

Kryeministri u njoh nga stafi i punonjësve me aparaturat dhe proceset që po kryheshin aktualisht aty. “Vitin e kaluar kemi pasur rreth 6275 analizime ne laboratorin tonë. Gjithçka kryhet brenda standardit europian. Këtu bëjmë distilimin e gazoilit dhe të benzinës, ndërsa në anën tjetër kemi dhe aparaturat për matjen e squfurit për lëndët djegëse dhe për lëndët e rënda që është solari, mazuti, etj, “ shpjegoi njëri prej tyre.

Drejtorja e Inspektoriatit Ejana Xhixha informoi se gama e ekzaminimeve që ofrohen në këtë laborator është shumë e gjerë dhe se nuk bëhet fjalë vetëm për naftën dhe benzinën, por edhe për lëndët e tjera djegëse, si dhe për vajrat lubrifikantë, gjë që ka sjellë rritjen e interesit, për bashkëpunim, nga vende të tjera të rajonit. “Ne jemi në procesin e akreditimit ndërkombëtar, dhe do të jemi laboratori i parë në Ballkan që do të marrim këtë lloj akreditimi. Ka pasur interesim nga partnerë rajonalë për bashkëpunim me ne, për shkak të gamës së gjerë të analizimeve që kryejmë, të cilat nuk i kryejnë dot në laboratorët e tyre shtetërorë. Jemi në bisedime dhe marrëveshje me laboratorë shtetërorë rajonalë, por edhe përtej Ballkanit ka pasur interes për t’u futur në marrëdhënie bashkëpunimi me laboratorin tonë. Një element tjetër, sa i takon mostërmarrjes së 2014-tës rezulton se vetëm 1.5 e këtyre produkteve kanë rezultuar me shkelje jashtë standardit,” u shpreh ajo.

Ndërsa Ministri Gjiknuri theksoi se laboratori është një shembull i mirë i funksionimit të partneritetit publik-privat, duke qenë se një pjesë e investimeve për teknologjinë e tij janë kontribut edhe këtij bashkëpunimi. “Sot ka kërkesa nga Maqedonia e Kosova, madje edhe nga shtete të tjera, që do ta kthejnë këtë laborator në shërbim të shumë vendeve, duke i kthyer në këtë mënyrë prestigjin që u ka munguar shumë institucioneve në Shqipëri.”

Gjithashtu ministri Gjiknuri bëri të ditur se muaji shkurt do të jetë afati i fundit për impiantet përpunuese të nënprodukteve të naftës, për t’ju nënshtruar procesit të licencimit duke shmangur informalitetin e deri tanishëm. “Konsumatori shqiptar duhet të jetë i sigurt se të gjitha standardet e hidrokarbureve do të respektohen. Impiantet që deri tani kanë operuar jashtë standardit ligjor, në muajin shkurt kanë skadimin e afatit. Kush do të funksionojë si impiant përpunues hidrokarburesh, ose do të licencohet si i tillë, ose përndryshe do të mbyllet. Afati i fundit është muaji shkurt. Pas shkurtit këto do të konsiderohen impiante ilegale dhe do të veprojë ligji mbi to.”

Sistem i prodhimit, i përpunimit dhe i shpërndarjes së naftës nuk do të jetë më një katrahurë, siguroi Kryeministri Edi Rama, ndërsa e konsideroi tejet të rëndësishëm përfitimin që do të ketë konsumatori i përditshëm i naftës dhe i benzinës, i cili do të shohë dhe do të ndjejë në vijimësi një përmirësim rrënjësor të cilësisë dhe të kontrollit nga ana e shtetit, në të gjitha pikat e shpërndarjes së karburantit: “Ajo që ka rëndësi besoj është në funksion të konsumatorit të përditshëm të naftës dhe të benzinës, i cili do të shohë dhe do të ndjejë në vijimësi një përmirësim rrënjësor të cilësisë dhe një përmirësim rrënjësor të kontrollit nga ana e shtetit, në të gjitha pikat e shpërndarjes së karburantit.

Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm se çfarë katrahure ka qenë ky sistem i prodhimit, i përpunimit dhe i shpërndarjes së naftës. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se kemi një punë të konsiderueshme për të bërë, për ta vënë të gjithë sistemin në funksion të konsumatorit dhe në funksion të standardeve më të mira europiane. Por, ama investimi në këtë laborator na siguron që të kemi një strukturë shumë kompetente dhe shumë të efektshme për të luftuar çdo manipulim dhe çdo spekulim me cilësinë e naftës së ofruar ndaj qytetarëve. Është një hap shumë i rëndësishëm përpara në këtë drejtim dhe bashkë me një sërë hapash të tjerë që janë planifikuar dhe do të hidhen njëri pas tjetrit, në muajt në vijim nga Ministria e Energjisë, për të vendosur kontrollin online të të gjitha pikave të karburantit dhe për të shmangur kështu, qoftë evazionin e jashtëzakonshëm, qoftë edhe manipulimin me cilësinë.

Ne jemi të bindur se në fund të këtij viti do të mund t’u themi shqiptarëve se makina e tyre nuk është më e kërcënuar nga shkatërrimi gjatë gjithë këtyre viteve, për shkak të mungesës së cilësisë së karburanteve. Nga ana tjetër të kemi më shumë të hyra në buxhetin e shteti nga kjo industri, e cila më në fund po vihet në binarë pas një dekade të tërë rrënimi dhe transformimi në një industri të korrupsionit më mafioz, që ka njohur Shqipëria në 10 vjeçarin e fundit.”

energjia.al  29.01.2015