Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rama: Po mbroni hajdutët e energjisë

Vijon seanca parlamentare dhe debatet mes mazhorancës dhe opozitës për energjinë, taksat dhe atë që u bë temë e ditës në Kuvend, rrëzimi i një helikopteri me 1 ton hashash në Spanjë, që drejtohej nga një major shqiptar.

Kryeministri Edi Rama ka debatuar ashpër sot me deputetin e Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i cili akuzoi qeverinë për reformën e energjisë, rritjen e taksave dhe shlyerjen e borxhit ndaj CEZ-it. Kreu i qeverisë deklaroi se nuk mund t’u ulen taksat atyre personave të cilët nuk paguajnë taksa, ndërsa akuzoi opozitën se vazhdon të mbrojë hajdutët e energjisë elektrike:

“Profesor, ju si i fushës duhet të jeni i qetë, pasi unë s’jam i fushës. Ç’është kjo 1 milion shqiptarë të pa punë. Si mund t’iu ulim taksat atyre që s’paguajnë. Për ata që nuk paguajnë, nuk ka se si të thuash pse s’ua ke ulur taksat. Ne ua kemi ulur taksat të gjithë shqiptarëve që i paguajnë dhe janë as më shumë e as më pak se 97 % e tyre.

Ne nuk mburremi dot me atë që e keni lënë vendin më volumin më të lartë të punës në të zezë. Ishim të gatshëm të konkurronim me vende të botës së tretë. Ne në një vit e kemi rritur numrin e taksapaguesve me 81 mijë. Këta janë në librin e shtetit. Këta në kohën tuaj ishin skllevër që paguheshin në të zezë. Merrnin vetëm një lëmoshë dhe do të shikoni këtë vit sa do të shkojë numri i tyre”.

Kreu i qeverisë tha se janë rritur taksat e kompanive, taksa e naftës, duhanit, dhe “kjo është thikë pas shpine për të dashuruarit me duhanin”.

“Kemi rritur taksat e depozitave, po kush janë këta, kjo është logjika e thjeshtë e gjërave”, u shpreh Rama.

Kryeministri ironizoi Spahon kur deklaroi se janë 500 mijë shqiptarë që harxhojnë më pak se 300 kw në orë:

Rama: Profesori thotë se janë 500 mijë shqiptarë që harxhojnë më pak, vazhdon t’i marrësh të mirëqenë hajdutët e energjisë elektrike. E di që jeni profesor i ekonomisë, vajmedet për ekonominë dhe ata që marrin mësime nga ju. Me qenë se po më kujtoni etikën, unë po ju them mos më ndërprit, jeni prof i ekonomisë!

Spaho: Jo..

Rama: Atëherë nuk po ju ngatërroj me profesorin. Të numërosh 500 mijë shqiptarë se janë për t’u mbrojtur, do të thotë të mbrosh edhe atë figurën tuaj me shtëpi 3-katëshe që kishte sahat me 300 kw në kat të parë e të dytë. Ka me mijëra si këta që janë futur në kushte të reja konsumi. Që e keni lënë ibret Shqipërinë, kjo dihet, po jo kaq keq,

Rama: Sot shqiptarët paguajnë më pak energji

Kryeministri Edi Rama Tha në Kuvend se sot shqiptarët po e paguajnë energjinë elektrike me çmim më të ulët se në kohën e qeverisjes së djathtë.

“Çmimi i energjisë elektrike është sot për qytetarin 9.6 lekë dhe jo 10.5 lekë sa ishte çmimi mesatar në qeverisjen e djathtë”, tha ai. Pas fashës mbrojtëse prej 300 kV, fshiheshin spekulantë dhe hajdutë të qeverisë, theksoi kryeministri. Ai akuzoi opozitën se e rriti borxhin me 200 milionë dollarë, si dhe rrezikoi pensionet e qytetarëve, duke krijuar një borxh prej 160 milionë dollarësh në buxhetin e sigurimeve shoqërore. Sipas tij, përmes taksës së sheshtë përfituan 97 % e qytetarëve shqiptarë. “Më thoni cila taksë i është rritur policit, apo mësuesit”, iu drejtua ai opozitës. Rama foli edhe për borxhin e qeverisë së kaluar ndaj biznesit. “Biznesi iu përgjigj thirrjes së qeverise për të investuar, duke marrë edhe kredi në banka, ndërsa qeveria nuk i pagoi ato për punët publike të kryera”, tha Rama.

Gazeta Shekulli, 29.01.2015