Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH, OST dhe OSHEE, 20 mld USD investime

Rikthimi i investimeve me rreth 20 miliardë lekë në sistemin elektroenergjetik këtë vit nuk pritet të sjellë në binarë rrënimin disavjeçar që ka akumuluar 900 milionë dollarë borxhe dhe një rrjet tërësisht të amortizuar.
Por pas pesë vitesh rinisin investimet në sistemin e shpërndarjes, pavarësisht se, shifrat e miratuara në planet e kompanisë janë shumë më të ulëta se deklarimet e zyrtarëve të sektorit.

Të tria kompanitë shtetërore të energjisë, të cilat dominojnë edhe tregun, Operatori i Shpërndarjes (OSSHE), i Prodhimit (KESH) dhe i Transmetimit (OST) kanë planifikuar të investojnë rreth 20 miliardë lekë më 2015 sipas planeve të dorëzuara dhe të miratuara nga Enti Rregullator i Energjisë. Por vlerat më të ulëta të investimeve i ka OSSHE, me vetëm 5.5 miliardë lekë, pavarësisht se nevojat e sektorit, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, janë rreth 800 milionë dollarë.

Investimet në OST do të përqendrohen kryesisht në linjat e transmetimit me brenda dhe jashtë vendit. Pjesa më e madhe e investimeve 18 milionë euro do të shkojnë për ndërtimin e linjës së transmetimit me Kosovën dhe 12 milionë euro për linjën unazore të Jugut. Kompania KESH pritet të investojë 6 miliardë lekë, të cilat do të shkojnë kryesisht për sigurinë e digave.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë do të kryejë investime kryesisht në sistemin e shpërndarjes në rajonin e Tiranës ku është e përqendruar edhe pjesa më e madhe konsumit. Nga kjo shumë, 2.2 miliardë lekë janë nga burime të brendshme, 3.3 miliardë lekë nga financimet e huaja. Me një pjesë të këtyre fondeve do të përfshihet në remont nënstacioni i qendrës dhe do të rindërtohet dhe një nënstacion i ri në Tiranë.

Janë planifikuar të instalohen rreth 53 mijë matës, nga të cilat 13 mijë në zonën e Bathores dhe Paskuqanit dhe pjesa tjetër prej 40 mijë matësish, në rajonet e tjera të vendit. Deri në fund të vitit 2016 do të instalohen mbi 300 mijë matës, të cilët do të blihen nga kredia e Bankës Botërore. Kjo do të bëjë të mundur që të gjithë konsumatorët të pajisen me matës të rinj që të matin saktë. Do të ketë investime në rrjetin e shpërndarjes me kabllo. Atje ku janë të dëmtuar për shkak të ndërhyrjeve abuzive në tensionin e ulët, do të ketë investime nga ana e OSHEE-së. Por Ministria e Energjetikës pretendon se, për të sjellë në parametra normalë rrjetin e shpërndarjes, i duhen afërsisht 1 miliard dollarë.

Operatori i Shpërndarjes aktualisht është në një vlerë negative aksionesh prej 72 miliardë lekësh nga rreth 15.6 miliardë lekë që ishte tre vjet më parë kur u bë privatizimi i tij. Pra, dëmi që është bërë është rreth 90 miliardë lekë dhe nga ana tjetër, humbja e trashëguar nga mosrealizimi i të ardhurave, pra nga mosmbulimi i shpenzimeve me të ardhurat, shkon rreth 62 miliardë lekë. Në total, dëmi i shkaktuar midis asaj që ka munguar dhe asaj që ka humbur arrin në total 150 miliardë lekë.

Revista Monitor, 29.01.2015