Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rama në “Shqip” për çmimin e naftës

Rudina Xhunga: Sot (dje) ka pasur një protestë, një protestë të rëndësishme dhe shumica e pyetjeve në facebook dhe twitter kanë të bëjnë me naftën, me rritjen e çmimit të naftës. Domethënë përtej shqetësimit të opozitës, nëpërmjet protestës, ka një shqetësim të rritur publik për rritjen e çmimit të naftës…

Kryeministri Rama: Për sa i përket protestës, edhe unë kam marrë pjesë në protestë, për shkak se duke u kthyer nga Durrësi, ku shkuam për një aktivitet në doganë, u bllokova bashkë me të tjerët. Besoj që kjo është forma më e ulët e protestës, që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, pasi mjaftojnë pak njerëz për të bllokuar gjithë të tjerët. Pavarësisht se opozita i ka mundësitë të bëjë protesta edhe të mëdha në numër, në këtë rast ka numëruar me pahir si protestues edhe shumë të tjerë që kanë qenë në rrugë për punët e tyre. Pa llogaritur edhe vështirësinë e madhe që është krijuar për shërbimin e urgjencës. Për sa i përket naftës është një debat mjaft i stisur dhe me një dozë të madhe hileje brenda, sepse çmimi i naftës në Shqipëri ka rënë 20%. Edhe dje, ka regjistruar një ulje tjetër. Ka rënë 20% krahasuar me një vit më parë. Sigurisht, kjo lidhet me konjunkturën ndërkombëtare, padyshim. Por nga ana tjetër, kur koniunktura ndërkombëtare ishte e favorshme në të shkuarën për të bërë ulje të çmimit, ulja e çmimit nuk ka ndodhur ndonjëherë. Kështu që, unë nuk besoj se është një debat që bën sens, pasi sot shqiptarët e paguajnë naftën më pak, falë koniunkturës ndërkombëtare. Ndërkohë, nëse në çmimin aktual të naftës në Shqipëri, nuk do të ishte e përfshirë në strukturën e çmimit dhe taksa e qarkullimit, të cilën e ka futur qeveria e PD në vitin 2012 në strukturën e çmimit…

Rudina Xhunga: Ju nuk e keni rritur?

Kryeministri Rama: Po ta përsëris, në qoftë se taksa e qarkullimit do të ikte nga struktura e çmimit dhe do të merrej nga xhepi i qytetarëve në një formë tjetër, siç merret në vendet e rajonit, asnjë vend i rajonit nuk e ka në strukturë taksën e qarkullimit, asnjë vend i rajonit nuk e ka në strukturë taksën e karbonit dhe mbi të gjitha, llogarinë duhet ta bëjmë edhe në një drejtim tjetër, mbi kontributin e përgjithshëm nga taksat në prodhimin e përgjithshëm të vendit, që Shqipëria e ka më të ulët sesa vendet e tjera të rajonit. Pra, është një llogari e bërë tërësisht pa hanxhinë.

Rudina Xhunga: Domethënë shqiptarët që pyesin sot në rrjetet sociale, pyesin në rrugë a do ulet çmimi i naftës, çfarë përgjigje do të kenë nga Kryeministri?

Kryeministri Rama: Çmimi i naftës është ulur. Shqiptarët duhet të kuptojnë se krahasimi me vendet e tjera të rajonit nuk vlen në mënyrë të drejtpërdrejtë për sa kohë shqiptarët brenda çmimit të naftës paguajnë edhe taksën e qarkullimit, edhe taksën e karbonit, të cilat në vendet e tjera të rajonit paguhen jashtë strukturës së çmimit. Në këndvështrimin tim, vendim i marrë nga qeveria paraardhëse me propozim të Ministrit të atëhershëm të Financave ka qenë i drejtë, për ta përfshirë taksën e qarkullimit në strukturën e çmimit. Madje, në rajon ka disa lëvizje që shkojnë në këtë drejtim për ta integruar në strukturën e çmimit, duke qenë se çmimi ka rënë në mënyrë të ndjeshme.

Rudina Xhunga: Domethënë nuk do bëni asnjë ndryshim. Çfarë ka bërë qeveria Berisha në lidhje me taksën e qarkullimit, nuk do bëni asnjë ndryshim?

Kryeministri Rama: Jo, nuk ka. Në këtë rast, përfshirja e taksës së qarkullimit në strukturën e çmimit është diçka e duhur. Shqiptarët duhet të kuptojnë se llogaria duhet bërë me çfarë nxjerrin nga xhepi. Nëse në vende të tjera të rajonit qytetarët paguajnë taksë qarkullimi dhe taksë karboni jashtë strukturës së çmimit, në vendin tonë është brenda strukturës së çmimit.

Rudina Xhunga: Pse është rritur taksa e qarkullimit, është një tjetër pyetje?

Kryeministri Rama: Nuk është rritur taksa e qarkullimit. Ju kujtohet që ne bëmë një rritje në vitin 2013. Bëmë edhe një tjetër në vitin 2014, në një masë minimale, për të mos ngarkuar barrën fiskale të të gjithë qytetarëve dhe duke e konsideruar ndërhyrjen në strukturën e çmimit të naftës si një ndërhyrje që është edhe në funksion të gjithë atyre parametrave shëndetësore dhe mjedisore që kihen parasysh kur vendoset një taksë tek nafta. Por, po jua përsëris edhe një herë tjetër, për të katërtën herë, që çdo krahasim me vendet e rajonit apo me vendet e tjera është tërësisht abuziv. Sepse, në vendet e tjera të rajonit taksa e qarkullimit paguhet jashtë strukturës së çmimit të naftës. Konkretisht, në Maqedoni ajo varion nga 100-400 euro, në varësi nga lloj i makinës, ndërkohë që në të përgjithshmen e tyre shqiptarët paguajnë më pak taksa, si kontribut i drejtpërdrejtë për buxhetin, sesa të gjithë të tjerët në rajon.

Rudina Xhunga: Nafta për bujqësinë?

Kryeministri Rama: Për naftën për bujqësinë e kemi thënë dhe e përsërisim; Ne jemi gati dhe rimbursojmë çdo litër naftë e cila vjen nga puna formale. Ne nuk kemi premtuar të shpërndajmë naftë obshe, për të shkuar pastaj nafta në rrugët e abuzimit dhe të korrupsionit si në të shkuarën, por kemi thënë dhe e përsërisim që çdo fermer që kërkon rimbursim nafte të bazuar në një prodhim të formalizuar me faturë, merr rimbursimin e naftës.

Rudina Xhunga: Dua t’i largohem kësaj teme. Dua t’i largohem me një pyetje të fundit. Njerëzit që thonë nuk e përballojmë dot..

Kryeministri Rama: Çfarë nuk përballojnë?

Rudina Xhunga: Që thonë nuk e përballojmë dot makinën me këtë çmim naftës. Ju i thoni mbyll makinën dhe ec në këmbë?

Kryeministri Rama: Njerëzit sot, janë po ata që deri para një viti e paguanin naftën me 192-195 lekë/litër dhe sot e paguajnë me 160-157 lekë/litër. Pra, kemi një ulje shumë të konsiderueshme të çmimit të naftës. Nga ana tjetër po kaq e rëndësishme politika në tërësi tek nafta është një politikë e cila mban parasysh domosdoshmërinë për të kontribuar në të njëjtën kohë për shoqërinë, sepse nga përdorimi i makinës vjen ndotja, nga përdorimi i makinës vjen mbingarkesa në qarkullim, nga përdorimi i makinës nuk vijnë vetëm të mira. Në vend se të taksojmë në drejtime të tjera dhe në vend se të taksojmë ata të cilat e kanë të pamundur të kenë një makinë, atëherë ne preferojmë që të ndjekim këtë logjikë. Por për të pestën herë e përsëris, shqiptarët nuk mund t’i marrë njeri për budallenj dhe as nuk mund t’i bëjë njeri budallenj. Sot ata paguajnë 20% naftën më lirë se një vit më parë, falë koniunkturës ndërkombëtare dhe nga ana tjetër, sot përmes çmimit të naftës ata paguajnë detyrime, të cilat në vende të tjera, paguhen, paguhen edhe më shumë, por paguhen veç. Është fare e thjeshtë llogaria.

Rudina Xhunga: Unë dua t’i largohem kësaj pyetje, por jam e sigurt se do të ketë mijëra pyetje të tjera do të vazhdojnë lidhur me naftën, për shkak të krahasimit me vendet e tjera të rajonit dhe me xhepat e shqiptarëve.

Kryeministri Rama: Edhe njëherë tjetër, krahasimi me rajonin nëse i marrim çmim për çmim është abuziv, është hileqar dhe nuk ka asnjë të vërtetë, sepse në rajon qytetarët paguajnë taksën e qarkullimit, paguajnë taksën e karbonit, madje paguajnë edhe detyrime të tjera lidhur me makinën, që në Shqipëri janë të përfshira në strukturën e çmimit të naftës.

Kryeministri Rama: Më falni, unë nuk kam makinë, por nëse do të kisha do të thosha ky nuk është problem im, është problem juaj, ndajeni.

Rudina Xhunga: Po çfarë do të fitojnë njerëzit nëse e ndajmë?

Kryeministri Rama: Do të paguajnë më pak. Atëherë le ta shpjegojmë. Njerëzit paguajnë 10 lekë. Këtu i paguajnë nga një xhep, në rajon i paguajnë 5 nga xhepi i majtë, 5 nga xhepi i djathtë dhe kanë dyfish ngarkesë burokratike, dyfish ngarkesë kohe, e kështu me radhë.

Rudina Xhunga: Atëherë ata që thonë mos na trajtoni për budallenj, ky është shpjegimi. Njerëzit fillojnë e ulërijnë, thonë: Zoti Kryeministër mos na trajtoni për budallenj, është rritur nafta.

Kryeministri Rama: Nafta nuk është rritur, nafta është ulur. E paguanin 192-195 lekë, e paguajnë, 160-157 lekë. Pra, kjo është rritje apo ulje? Thonë që është rritur nga koniunktura ndërkombëtare. Patjetër! Nuk është qeveria që uli çmimin. Ne dimë këtë që ju thamë që ditën e parë kur u tha ‘meqë ju po shtoni një 10 lekësh taksë për karbonin në paketën fiskale, këtu do të bllokohet Shqipëria, nuk do të lëvizin makinat, nuk do të vijnë anijet, nuk do të punojnë furrat e bukës’, ne e thamë dhe janë të regjistruara, që çmimi i naftës nuk do të rritet, çmimi do të shkojë në ulje. Sigurisht që, ne kishim analizat tona.

Rudina Xhunga: Analizat nuk kanë të bëjnë me monopolet, kanë të bëjnë me..

Kryeministri Rama: Nuk ka situatë monopol në tregun e naftës sot. Po jua përsëris, mjafton të shikojmë strukturën e kostos dhe çmimin për të kuptuar se nuk kemi të bëjmë me spekulim, por kemi të bëjmë, për të gjashtën herë po jua përsëris, me faktin që në Shqipëri, nëpërmjet naftës, nëpërmjet çmimit të naftës paguhen edhe të tjera detyrime. Në vende të tjera të rajonit këto detyrime janë jashtë strukturës së çmimit.

Rudina Xhunga: Pra, do paguajnë detyrimet?

Kryeministri Rama: Është njësoj vetëm se atje i paguajnë në 2-3 drejtime të ndryshme, këtu paguhen vetëm në një drejtim. Po ju përsëris që detyrimet në rajon janë më të larta sesa këtu. Po shtoj që po të marrim kontributin e përgjithshëm nga taksat të qytetarëve shqiptarë në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar është më i ulët sesa kontributi nga taksat e të gjitha vendeve të tjera të rajonit.

Top Channel, 27.01.2015