Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Komuniteti i Energjisë: Mbështetje për reformën

Në kuadër të tryezës “Reforma në sektorin energjetik në Shqipëri”, Ministria e Energjisë dhe Industrisë paraqiti para publikut reformat kryesore të ndërmarra dhe hapat e ardhshëm për rimëkëmbjen e sektorit.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri deklaroi se në vitin e parë u mundësua ndalimi i spirales së rënies, sepse sektori po shkonte drejt falimentimit. “Disa rezultate të para të këtij viti janë impresionuese, për faktin që ndaloi kjo spirale dhe fillon të kemi dritë në fund të tunelit. Do të thotë që masat e para kanë filluar të japin rezultat dhe premisat janë të mira që çdo reformë e mëtejshme strukturore apo ligjore do të ketë mundësi që të zbatohet siç duhet në mjedisin shqiptar”, vlerësoi ministri.

Ministri deklaroi se në kaq kohë u bë e mundur rritja me 100 milion USD e arkëtimeve dhe reduktimi rekord me 7.2% i nivelit të humbjeve. Ai vlerësoi edhe reformën tarifore e cila mundi të luftojë abuzimin dhe i hapi përspektivën sektorit.

Z.Gjiknuri tha se në Kuvend tanimë është ligji i ri për sektorin e energjisë elektrike. “Përmes këtij ligji do të mund të marrë rrugë liberalizimi i tregut të energjisë elektrike duke nisur që prej vitit 2015 për një pjesë të klientëve të kualifikuar”, tha ai.

Ministri sqaroi se do të miratohet brenda 6 mujorit të parë ligji për energjitë e rinovueshme dhe ligji për eficiencën e energjisë. Gjithashtu do të punohet për përfundimin e Planit të Dytë Kombëtar për mbështetjen e burimeve të rinovueshme të energjisë. Po në këtë vit, do mund të hartohet Strategjia e re e Sektorit të Energjisë Elektrike.

Duke ju referuar investimeve private në gjenerime të reja, ministri deklaroi se publikut nuk i duhet fshehur e vërteta por qeveria të jetë transparente. “Duhet kuptuar se çdo investim privat në energjinë elektrike, duhet të reflektohet në tarifa, pra do të jetë konsumatori i cili për shkak të çmimeve më të mira të qëndrueshme në terma afatgjatë, për shkak të investimeve që ka nevojë ky sektor, do duhet të paguajë më shumë në terma afatshkurtra. Këto tarifa duhet të marrin parasysh të gjitha këto investime, gjë që fatkeqësisht nuk u bë vitet e fundit, u fsheh dhe u krijua një hendek i madh financiar, një akumulim borxhesh, të cilët ne jemi duke adresuar”, tha Z. Gjiknuri.

Drejtori i Sekretariatit të Komitetit të Energjisë Z. Janez Kopac deklaroi se në muajt e fundit shihen përmirësime në sektorin e energjisë në Shqipëri. Sipas tij, vendi është duke e marrë rolin drejtues në rajon për energjinë pikërisht për shkak të masave të ndërmarra.

“Për shumë vite ka patur një gjendje pezull në këtë sektor. Hapat e marra në muajt e fundit, veçanërisht në reformat e axhustimit të tarifave, mbledhja e faturave të energjisë dhe ulja e humbjeve kanë qenë shumë pozitiv. Po përgatitet tanimë transpozimi i paketës së tretë rregullatore në legjislacionin vendor. Janë ndërmarrë hapa të mëdha dhe unë besoj se i gjithë komuniteti ndërkombëtar është prezent në këto përpjekje”, theksoi Kopac.

Në gjykimin e tij, masat e ndërmarra për mbledhjen e faturave nuk sjellin vetëm të mirën për shtimin e likuiditetit në sektor dhe për kryerjen e investimeve shumë urgjente por shërbejnë për të krijuar edhe një rregull që jep efektet edhe në sektorët e tjerë.

Duke ju referuar ligjit të ri për sektorin energjitik, Kopac tha se ai adreson edhe problemet me zotërimin e infrastrukturës e cila në fakt mund të çojë në role monopolistike e keqpërdorimi nëse nuk adresohet siç duhet.

“Madje edhe nëse zotërohet nga shteti, edhe nga private ka gjithmonë një keqpërdorim të një roli të tillë. Ndaj, është me rëndësi që të ketë një balancë të ruajtur mes infrastrukturës dhe ajo të ketë mbikqyrjen nga Enti Rregullator. Kjo çështje ka një vend të rëndësishëm edhe në ligjin e ri të energjisë në Shqipëri”, u shpreh Kopac. Një tjetër element sipas tij i trajtuar në ligj është edhe çështja e konkurencës. “Konkurenca ndihmon dhe sjell përfitime për të gjithë konsumatorët dhe qytetarët shqiptarë. Reforma që po ndërmerret ka një efekt pozitiv tek qytetarët përtej thjesht transpozimit të legjislacionit evropian për energjinë”, tha Kopac.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore Z.Arturo Salvador Riviera deklaroi se ky institucion ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë për reformat që po ndërmerren në sektorin energjetik.

Sipas tij kishte masa që duheshin marrë me urgjencë dhe që janë adresuar siç duhet ndërsa ligji për energjinë paraqet një tjetër zhvillim në kuadër të reformave që Shqipëria duhet të ndërmarrë.

Z.Riviera sqaroi komponentët e projektit me Bankën Botërore ku vlera më e konsiderueshme shkon për sektorin e shpërndarjes. “Pas shumë vitesh pa investime janë shumë të domosdoshme investimet në sistemin e shpërndarjes dhe matjes së energjisë”, theksoi ai. Duke ju referuar projektit për rimëkëmbjen energjetike, Riviera insistoi se është pjesë e një programi të plotë dhe jo një projekt i vetëm.

Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese Z.Eduard Shalsi ftoi të gjithë aktorët dhe grupet e interesit që të bëhen pjesë e debatit në Kuvend për ligjin e ri. “Në një vend ku gjysma e popullsisë nuk paguante energjinë, çdo lloj politike tjetër, qoftë me energjinë e rinovueshme apo politika të tjera për sektorin do të ishte komplekt pa kuptim sikurse ka qenë në Shqipëri. E dimë se është masë dhe reformë edhe antipopullore nëse doni që ta themi. Pas shumë kohe heshtje dhe injorim është ndjekur tanimë një rrugë tejet e guximshme dhe kurajoze por e domosdoshme për ta futur këtë sektor në binarë. Është krijuar një premisë tejet positive dhe bazë për një fillim të ri”, vlerësoi Shalsi.

Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë Z.Petrit Ahmeti deklaroi se një nga perspektivat më të mira të zhvillimit të tregut është liberalizimi i tij. “Projektligji ka zhvillime cilësore, ka edhe zhvillime ambicioze që kërkojnë angazhim shumë të madh të institucioneve dhe organizmave që lidhen me sektorin e energjisë dhe gazit natyror. Harmonizimi I tyre mund të çojë tek implementimi me sukses i direktivave dhe ligjit që do të miratohet në parlament”, tha ai.

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri në tryezën me temë “Reforma në Sistemin Energjetik në Shqipëri”

Së pari ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen. Në këtë tryezë kemi përfaqësuesit e Komunitetit të Energjisë, drejtorin z. Kopac dhe zv.drejtorin. z. Buschle. Siç e shikoni, pjesë e diskutimit për reformën në energjetikë janë bërë edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe donatorëve të tjerë që ndodhen në këtë takim.

Është një moment i mirë për të diskutuar në lidhje me projektligjin, i cili ka kaluar tashmë në qeveri. Këtu kemi edhe Kryetarin e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese që është përgjegjës për sektorin e energjisë dhe është momenti për të hapur një debat, për të marrë kontributet dhe për të diskutuar në lidhje me perspektivën e zbatimit të këtij ligji. Në vetvete ligji nuk është gjithçka, por është një premisë e mirë ku vendosen rregullat e lojës dhe me rëndësi është se si do të zbatohet ky ligj në praktikë. Ky është momenti i duhur për të marrë kontributet e gjithsecilit, sidomos gjatë procesit parlamentar.

Gjej rastin të falënderoj Komunitetin e Energjisë për gjithë mbështetjen që ka dhënë në hartimin e këtij projektligji. Ai synon të implementojë paketën e tretë të direktivës së Bashkimit Evropian dhe ia arrin në pjesën më të madhe të saj. Patjetër që do të dojë shumë kohë derisa ajo të bëhet plotësisht e zbatueshme, pasi edhe reformat strukturore në sektorin e energjisë do të duan kohën e tyre. Pavarësisht se dëshirat janë të mëdha dhe gjërat duam ti realizojmë shpejt, bëhet fjalë për një sektor i cili ka ardhur nga një situatë shumë e vështirë dhe tashmë të gjithë e dimë këtë fakt. Gjatë këtij viti të parë ndaluam spiralen e rënies sepse sektori po shkonte në një spirale vdekje. Disa rezultate të para të këtij viti janë domethënëse për faktin se ndaloi kjo spirale dhe filloi të kemi dritë në fund të tunelit. Do të thotë që masat e para kanë filluar të japin rezultat dhe premisat janë të mira, që çdo reformë e mëtejshme strukturore apo ligjore do të ketë mundësi që të zbatohet siç duhet në mjedisin shqiptar.

Për të dëshmuar faktin se ku e morëm sektorin, na mjaftojnë dy-tre shifra dhe nuk ka nevojë për shumë koment. Unë jam nga ata njerëz që nuk kam dëshirë ti kthehem historisë, matja bëhet me atë çka po bën tani dhe çfarë mund të bëjmë më mirë më vonë. Por, dy-tre elementë nuk kemi pse të mos i themi pasi janë domethënës, për të kuptuar progresin kur kthen kokën pas.

Në vitin 2013, humbjet në Shqipëri arritën 45% dhe në vitin 2012 ishin 46%. Ishim shumë larg kuotave që duhet të arrinim por sot që flasim, pra për vitin 2014 janë mbi 100 milion dollarë më shumë të arkëtuara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Kemi një reduktim historik të humbjeve vjetore me mbi 7%. Nga 45% që ishte mesatarja e vitit 2013, në vitin 2014 këto humbje u ulën në 37.8%. Kjo do të thotë se progresi ka qenë i dukshëm dhe vetëm kjo, e konvertuar në para do të thotë nga humbja është 45 milion dollarë më pak për Operatorin e Shpërndarjes.

Këto tregues kuptohet se kanë ndikuar në përmirësimin e situatës financiare në sektor. Vitin e fundit, Enti Rregullator dhe qeveria shqiptare ndërmorën një reformë të rëndësishme tarifore. Pra, heqja dorë e fashave dhe e blloqeve të cilat kanë qenë një mënyrë abuzimi, një mënyrë jo e drejtë e shpërndarjes së barrës në të gjithë konsumatorët, mbi të gjitha një mënyrë e gabuar që vazhdimisht gjeneronte humbje për sektorin e energjisë elektrike.

Këtë detyrë, për të mbrojtur shtresat në nevojë e ka marrë shteti ashtu siç e ka të parashikuar edhe direktiva, siç është praktika mbarëevropiane ku qeveritë përgjigjen për shtresat sociale duke marrë masat mbrojtëse. Pjesa tjetër duhet të jetë gjithçka komerciale, kuptohet në një sektor të rregulluar, por sektor i cili duhet të gjenerojë të ardhura të mjaftueshme që të mbajë veten. Një sektor që duhet të ketë mundësi të hapë edhe perspektivat e zhvillimit të sektorit energjetik të Shqipërisë, sidomos përsa i përket investimeve.

Shqipëria ka patur një sfidë të madhe edhe përsa i përket investimeve në sektorin privat të energjisë. Ka mundur të tërheqë sipërmarrës bazuar në një program nxitës për investimet në sektorin energjetik, pra për ndërtimin e hidrocentraleve. Por, një e vërtetë nuk ju tha publikut nga qeveria e mëparshme  dhe këtë duhet ta pranojmë. Sëbashku edhe me aktorët e terrenit, jemi duke u përpjekur që të gjejmë një mënyrë që të jetë sa më transparente dhe të ketë perspektivë që këto investime të jenë të qëndrueshme.

Dihet dhe këtu duhet të ja themi publikut të vërtetën; çdo investim privat në energjinë elektrike duhet të reflektohet në tarifa. Pra, do të jetë konsumatori i cili për shkak të çmimeve më të mira e të qëndrueshme në terma afatgjatë dhe për shkak të investimeve që ka nevojë ky sektor do duhet të paguajë më shumë në terma afatshkurtra.

Që të kemi cilësi shërbimi, që të kemi prodhim të mirë të brendshëm, këto tarifa duhet të marrin parasysh të gjitha këto investime, gjë që fatkeqësisht nuk u bë vitet e fundit, u fsheh dhe u krijua një hendek i madh financiar, një akumulim borxhesh, të cilët ne jemi duke adresuar edhe në këtë periudhë. Kemi shlyer një pjesë të mirë të detyrimeve që kemi ndaj prodhuesve privatë dhe shpresojmë se brenda këtij viti të shlyejmë dhe pjesën tjetër. Fatmirësisht për këtë klimë të mirë jep një kontribut të madh edhe Operatori i Shpërndarjes përmes arkëtimeve më të mira.

Vetëm në vitin 2014, për shkak të masave që u morën, sidomos në periudhën e tetor-nëntor-dhjetor me fillimin e angazhimit më të madh të agjencive ligjzbatuese janë nënshkruar mbi 72 mijë aktmarrëveshje nga debitorë të energjisë.

Kjo skemë po jep lehtësira për gjithë konsumatorët dhe e shikojmë që numri i tyre po rritet dita ditës. Shpresojmë se deri në fund të shkurtit, një pjesë e mirë e konsumatorëve shqiptarë të cilët kanë akumuluar detyrime, të bëhen pjesë e kësaj skeme duke krijuar një të ardhur normale për kompaninë, por njëkohësisht dhe një lehtësi për shlyerjen e detyrimeve në terma afatgjatë. Kjo patjetër do të sjellë më shumë stabilitet financiar në sektor.

Nëse ka një element që i kërcënon investimet është mungesa e likuiditetit, mospagesa. Nuk ka rëndësi çfarë regjimesh kontraktore bën aty dhe sa premtime të bukura jep në letër, ajo që e kërcënon një investim është mungesa e likuiditetit, pra mospagimi. Sektori nuk gjeneron para të mjaftueshme për të mbajtur vetveten dhe njëkohësisht sjelle probleme të falimentimit.

Qeveria shqiptare nuk do që të shkojë më tek kjo spirale dhe prandaj kemi vendosur të jemi transparent me publikun, me të gjithë aktorët e sistemit. Kemi vendosur që edhe me legjislacionin të ndryshojmë të gjithë modelin e tregut në Shqipëri, qoftë edhe përsa i përket rolit që duhet të marrë Operatori i Shpërndarjes, pasi ti kalojë edhe furnizimi publik me shumicë do të jetë ai përgjegjës për blerjen e energjisë të prodhuesve privat.

Kaskada e famshme e Drinit deri tani është përdorur si liqeni eksperimenteve, ku çdo lloj eksperimenti politik energjetik i vishej KESH-it derisa e çoi në falimentim. E dini shumë mirë që çdo eksperiment financiar i kaloi KESH-it dhe përfundimi doli që kompania gati falimentoi. Prej vitesh është detyruar qeveria shqiptare të garantojë me qindra miliona dollarë garanci sovrane, garanci financiare nga shteti shqiptar, në vend që këto para të shkonin në sektorët e tjerë të ekonomisë, sepse supozohet që sektori energjetik duhet të mbante veten.

Reforma e re e sektorit të energjisë elektrike po kryhet dhe me mbështetjen e Bankës Botërore me të cilën kemi një projekt ambicioz përsa i përket investimeve, por të fokusuara në etapa të caktuara. Perspektiva është që siç edhe e kemi deklaruar, deri në vitin 2018 sektori të jetë në gjendje të mbajë vetveten. Çfarë do të thotë?! Që të kemi një reduktim të vazhdueshëm në një normë të pranueshme të humbjeve, reduktojmë humbjet 5% në vit dhe njëkohësisht të rrisim nivelin e arkëtimeve në sektorin e shpërndarjes.

Përmes ligjit të ri do mund të vihet në jetë liberalizimi i tregut duke e filluar deri në fund të këtij viti me klientët e lidhur deri në 35 kilovolt dhe duke vazhduar deri në vitin 2018 që pjesa e tensionit 10, 20, deri në 35 të ketë dalë nga tarifat e rregulluara. Kjo do të bëjë që Operatori i Shpërndarjes të përmirësojë rrjetin që është më shumë tek pjesa e popullatës në nivelet e ulëta të konsumit, të cilët kanë edhe për disa kohë nevojë të jenë pjesë e tarifave të rregulluara. Do tu krijojë një rritje kërkese nga ana e sektorit privat dhe shpresojmë edhe investime të tjera të nevojshme në industri do kenë nevojë për energji, gjë që në vetvete do të sjellë nevoja edhe për konsum energjie. Do të lind nevoja për furnizim me energji nga operatorët, investitorët privatë në sektorin e energjisë elektrike, të cilët do të gjejnë një treg të qëndrueshëm. Mbi baza tregu tashmë, jo mes një skeme përjetësisht të rregulluar, ku shteti merr rolin e një rregullatori, do blejë energji dhe do shesi, unë e kam thënë është skemë e mirëfilltë socialiste. Ekonomitë socialiste e kanë treguar veten që nuk ecën për një kohë të gjatë. Planifikimet gjithmonë kanë çaluar, por mbi të gjitha çalon në investim dhe këto investime vazhdimisht mbeten jo të qëndrueshme. Prandaj mendojmë që liberalizmi do të jetë në drejtimin e duhur.

Qeveria shqiptare po angazhohet në investimet në infrastrukturën bazë, pra që janë lidhjet e Shqipërisë me rajonin. Kjo është shumë e rëndësishme sepse ka edhe investitorë të cilët i shfrytëzojnë burimet ujore shqiptare, por janë të merakosur për tregun. Evropa Juglindore ka nevojë për energji por patjetër Shqipëria duhet të ketë lidhje. Investime po bëjmë për lidhjen me Kosovën dhe gjej rastin të falenderoj KfV-në e cila ka dhënë një mbështetje shumë të madhe. Më vonë me lidhja me Maqedoninë, dhe lidhjet aktuale e bëjnë Shqipërinë plotësisht të ndërlidhur. Duke qenë e ndërlidhur bëhet pjesë e një tregu rajonal, rriten mundësitë për tregtimin e energjisë, shkëmbimin e energjisë, çmime më të qëndrueshme. Të gjitha këto janë investime që normalisht duhet ti bëjë shteti, sepse janë investime të karakterit infrastrukturor, por këto krijojnë premisat e mira për çdo investim privat për tregun në të ardhmen.

Dua ta them që ne do të vazhdojmë edhe politikën e ligjzbatimit në sektorin energjetik. Ka mbaruar ajo periudha e faljeve, apo të tregtimit politik. Sa herë afroheshin zgjedhje bëheshin thirrje për mospagesë energjie dhe të tjera si këto, të cilat e çuan sistemin aty ku e çuan. Mendojmë se vetëm një disiplinë financiare është shpresa më e mirë që çdo reformë do të implementohet me sukses në Shqipëri.

Mendojmë që ky vit do të ketë rezultate akoma më të mira. Ne do ti qëndrojmë atij plani që e kemi bërë publik për reduktimin e humbjeve dhe për rritjen e arkëtimeve, që ky sektor të bëhet një burim i mirë për investime të huaja, sidomos në prodhimin e energjisë pasi Shqipëria ka nevojë për to. Çelësi i suksesit është pikërisht ecuria e këtyre reformave dhe likuiditeti në sektor.

Nuk dua të zgjatem më tej, ligji i ri është tashmë në parlament. Unë i ftoj të gjithë grupet e interesit që të kenë një komunikim aktiv me komisionet parlamentare përkatëse. Z.Shalsi e kemi këtu dhe jam i sigurt se ai është shumë i gatshëm të zhvillojë komunikime. Ligji parashikon edhe masa të tjera pozitive për klientët në nevojë.

Gjithashtu, ligji fillon dhe i trajton kompanitë ashtu siç duhet të jenë, koorporata dhe jo më si segmente zgjatimesh shtetërore që vazhdimisht është luajtur politikisht. Zbatimit i këtij ligji do të pasohet më vonë me ligjin për gazin dhe ligjin për energjitë e rinovueshme i cili mbeti në një ngërç për shkak të problemeve që kishte sektori energjetik në përgjithësi. Pa kaluar ligjin për energjinë elektrike nuk mund të bënim operacionet e nevojshme dhe në pjesën e energjive të rinovueshme.

Shqipëria edhe në atë drejtim ka mundësi më të mëdha. Kemi disa plane kombëtare që shpresoj shumë shpejt do ti arrijmë, por një pikëpyetje do të mbetet për të ardhmen dhe këtu duhet të gjejmë harmoninë mes këtij ligji të sektorit dhe ligjit për energjitë e rinovueshme. Çdo të bëjmë me nevojat, me kapacitetet që ka nevojë Shqipëria, përtej planeve për energji të rinovueshme, kapacitete të nevojshme për prodhime të reja dhe çfarë skemë do të gjejmë që këto investime ti bëjmë të qëndrueshme? Kjo mbetet një sfidë, do ta them për herë të fundit: çelësi i suksesit është ecuria financiare e sektorit.

Pagesa, disiplina e pagesës, likuiditeti janë të vetmit garantues të kontratave dhe investimeve në sektorin e energjisë elektrike.

Edhe njëherë dua t’ju falënderoj për pjesëmarrjen, sidomos përfaqësuesit e komunitetit të energjisë, të gjithë të ftuarit këtu.

Ju faleminderit të gjithëve!

energjia.al 27.01.2015