Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pse taksa mbi naftën duhet të rritet

Nga Rita Strakosha

Së fundmi ka pasur reagim të fortë të shoqërisë civile dhe politikës mbi rritjen e taksës mbi naftën. Rritja e taksës do të shtojë kostot e jetesës së qytetarëve dhe kostot e bizneseve.

Por rritja e taksës mbi naftën ka anë pozitive, dhe mund të realizohet pa shtuar barrën fiskale të qytetarëve.

Shfrytëzimi i burimeve natyrore sot, përfshirë naftën, dhe burimet fosile, është i paqëndrueshëm. Shfrytëzojmë shumë më tepër burime seç mund të furnizojë Toka në mënyrë të qëndrueshme për dekadat që vijnë. Zhvillimi i qëndrueshëm, një fjalë që ka hyrë rëndom në zhargonin politik, por që pak kuptohet, synon ruajtjen e burimeve natyrore dhe për brezat e ardhshëm. Që këto burime natyrore të mbeten të shfrytëzueshme për brezat e ardhshëm, duhet ti kursejmë sot. Një rol kyç në arritjen e këtij zhvillimi të qëndrueshëm luan sistemi tatimor. Komisioni Europian ka njohur këtë rol dhe ka parashikuar në strategjinë e tij mbi ekonominë kursimtare se sistemi tatimor duhet të reformohet duke rritur taksat mbi burimet energjitike (ku përfshihet dhe nafta) dhe duke pakësuar taksat mbi punën (si tatimi mbi të ardhurat nga punësimi dhe sigurimet shoqërore).

Aktualisht 27% të shpenzimeve për pagën e përbëjnë sigurimet shoqërore, kurse të ardhurat mbi 30,000 lek tatohen me 13% tatim mbi të ardhurat. Kjo barrë fiskale mbi punësimin rrit kostot e punësimit mbi bizneset, rrit papunësinë, prandaj pakësimi i saj do të ishte i mirëpritur, sidomos për shtresat e ulëta. Rritja e taksës mbi naftën do të mundësonte pakësimin e këtyre taksave pa ndryshuar buxhetin total.

Ekonomistët e shquar mjedisorë si Herman Daly prej vitesh propozojnë reformim të sistemit tatimor, në drejtimin tashmë të pranuar dhe nga Komisioni Europian.

smog cars pollution fuel ndotje ambjenti mjedisi ajri makina karburantNjë arësye tjetër për rritjen e taksës së naftës është përfshirja e eksternaliteteve negative në çmimin e saj. Me mijëra persona në vit sëmuren nga smogu i automjeteve. Shtresa e pasur në qytete zakonisht jeton në periferi të tyre, në zona të gjelbërta dhe me ajër të pastër. Por automjetet e përdorura prej saj ndotin qendrat e qyteteve, ku shtresa e varfër qarkullon me këmbë a biçikleta, apo jeton në apartamente shumëkatëshe të ngjeshura me njëra-tjetrën dhe trafikun. Kostot e kujdesit shëndetësor për sëmundjet e shkaktuara nga smogu e zhurma e automjeteve (si sëmundje mushkërish, zemre etj.) i ngarkohen kësaj shtrese të varfër. Është parim universal në të drejtën civile që dëmin e shkaktuar tjetrit gjatë përdorimit të pronës tënde, duhet t’ja paguash. Rritja e taksës së naftës dhe kalimi i të ardhurave nga kjo taksë për shërbimin shëndetësor publik do të sillte më shumë drejtësi sociale për shtresat e prekura nga përdorimi i automjeteve.

Përtej pasojave imediate në ndotjen e mjedisit, nafta sjell në afatgjatë ndryshimet klimatike, pasojat e të cilave po ndjehen në gjithë botën. Vendosja e një takse karboni dhe rritja e saj gjatë viteve dhe dekadave për të përfshirë kostot në rritje të ndryshimeve klimatike, është një strategji afatgjatë ndërkombëtare e cila është pranuar dhe po aplikohet nga vendet më të zhvilluara në botë.

Aspekti i fundit, pak i debatuar në media, është se nafta është burim i fundëm. Prodhimi botëror i saj do të jetë në pakësim në dekadat në vijim. Në pakësimin e këtij prodhimi do të ndihmojnë dhe çmimet e ulëta aktuale të naftës, të cilat nuk mbulojnë kostot e prodhimit të një pjese të konsiderueshme të naftës që nxirret sot. Në kontekstin kur nafta do të na lërë, edhe nëse nuk duam ta lëmë ne, taksat e larta sot mbi naftën ndihmojnë ekonominë që të ristrukturohet larg naftës. Një naftë e shtrenjtë sot nxit ekonominë dhe politikën të investojë në trena, infrastrukturë për biçikleta, në energji të rinovueshme për transportin etj. dhe e përgatit ekonominë për të ardhmen pa naftë. Nëse kënaqemi me çmimet e ulëta të naftës e nuk realizojmë tranzicionin larg saj shumë vite përpara se nafta të na lërë, ndryshimet e papritura në furnizimin e shoqërisë me energji mund të sjellin kriza të forta ekonomike e trazira.

Ekolëvizja, 22.01.2015