Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Trepça, sot vendoset për grevën

Ahmet Tmava, menaxher i Kombinatit “Trepça”, foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” mbi grevën e qindra minatorëve të ngujuar në minierë.

Ai u shpreh se sot rreth orës 10:00 parashikohet një reagim që do të përcaktojë edhe fatin e grevës.

Pandi Gjata: Si është gjendja e minatorëve, të cilët ndodhen qindra metra nën tokë?

Ahmet Tmava: Minierës e Trepçës është sinonim i prodhimit e i zhvillimit. Për fat të keq greva ka zgjatur më shumë nga ç’duhej, megjithatë përkushtimi i bënë minatorët të mos dorëzohen ndaj lodhjes. Vendosmëria e minatorëve është absolute dhe ne mendojmë se do të arrijmë qëllimin, të cilin dëshirojmë ta harmonizojmë edhe me qeverinë dhe institucionet qendrore dhe të reflektojmë interesat për vendin dhe për të gjithë qytetarët e saj.

Pandi Gjata: A janë njohur minatorët me letrën e Kryeministrit Mustafa dhe cili ka qenë reagimi i tyre i parë? A pritet që të ndërpritet greva?

Ahmet Tmava: Kemi zhvilluar takime të shumta edhe sot një delegacion prej 5 vetash është pritur nga Kryeministri dhe zëvendëskryeministri, ku kemi diskutuar edhe detajet më të vogla duke prezantuar kërkesat dhe gjendjen e minatorëve, nevojën e emergjencës dhe arsyeja e grevës. Për fat, Kryeministri dhe qeveria në përgjithësi e reflektoi përgjegjësinë institucionale. Ne kërkuam që drejtimi ndaj minatorëve të jetë në formë të shkruar dhe kemi dorëzuar atë shkresë, e cila tashmë është te grevistët. Për shkak të peshës dhe të përgjegjësisë, ata nuk dëshirojnë të bëjnë ndonjë veprim të përshpejtuar. Gjatë gjithë natës do të diskutohet dhe sot rreth orës 10:00 parashikohet një reagim që do të përcaktojë edhe fatin e grevës.

Pandi Gjata: Për te kuptuar edhe thelbin e kërkesave, çfarë ndryshon nga shtetëzimi i minierës dhe administrimi i saj nga agjencia kosovare e privatizimeve?

Ahmet Tmava: Kërkesa e vetme është ndryshimi i statusit, i cili nënkupton ruajtjen e karakterit publik, duke i dhënë mundësi projekteve zhvillimore. Trepça ka mbijetuar prej 15 vjetësh me një zhvillim, por me rrethana dhe kushtet jo të favorshme. Duke qenë nën administrim të AKP, nënkupton se nuk ka investime, duhet të përgatitet privatizimi dhe se është një mungesë totale e perspektivës. Kjo kërkesë e vetme na jep ne si minatorë të marrim të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë për të reflektuar interesin e vendit dhe të qytetarëve në përgjithësi.

Pandi Gjata: Çfarë parashikonte për Trepçën administrimi i agjencisë kosovare të privatizimeve?

Ahmet Tmava: Kompetenca e vetme është përgatitja e një ndërmarrje shoqërore për privatizim. Ne kërkojmë fillimin e një epoke të re, e cila reflekton zhvillim dhe progres për vendin në aspektin pozitiv.

Pandi Gjata: Kjo epokë e re, sipas jush, hapet përmes shtetëzimit të minierës së Trepçës apo privatizimit të saj?

Ahmet Tmava: Miniera kalon në ndërmarrje publike. Kjo është një formë e karakterit publik që do t’i japë mundësi edhe partneritetit publiko-privat, në mënyrë që të gjitha repartet e Trepçës të rrisin shkallën e finalizimit të resurseve, ku është edhe interesi ekonomik.

Pandi Gjata: A lidhet kjo edhe me faktin që Trepça po diskutohet se do të jetë edhe pjesë e bisedimeve me Serbinë për ndarjen e pasurisë, e cila dikur quhej si pjesë e përbashkët e pasurisë së ish-Jugosllavisë?

Ahmet Tmava: Jo, pasi këtë nuk e lejon as Kushtetuta. Resurset minerare të Kosovës, sipas Kushtetutës, janë asete shtetëror dhe asnjë institucion nuk ka të drejtë të privatizimit të resurseve minerare.

Pandi Gjata: Cila është vlera strategjike e Trepçës? Ç’pasuri ka kjo minierë deri sa kemi kaq përplasje?

Ahmet Tmava: Trepça si nocion është shumë kompleks, është ekonomi, është zhvillim, histori, reflektim social, është gjithçka. Për këto arsye është normale që reflekton emocion dhe qëndrueshmëri të shtetit, por çdo herë duke dhënë mundësi që Trepça ta reflektojë fuqinë ekonomike reale. Prandaj ka edhe elemente shantazhuese nga Beogradi, duke inskenuar borxhe të paqena. Unë mendoj se derisa të tjerët janë të mobilizuar për të na penguar, te ne vlen motivi tjetër, ai i mobilizimit për punë.

Pandi Gjata:  Do ta dëgjoni apo do t’i besoni qeverisë “Mustafa”?

Ahmet Tmava:  Institucionet e Kosovës janë legale, të zgjedhura në mënyrë demokratike, prandaj nuk do të shfaqim mosbesim, derisa nuk kemi argumente kundërshtues. Ne besojmë se interesi, sa është i yni është edhe i institucioneve tona.

Top Channel,  22.01.2015