Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Si funksionon matësi inteligjent i energjisë

OSHEE-ja pritet të testojë këtë vit matësit inteligjentë të konsumit të energjisë elektrike. Teknologjia që hyn për herë të parë në vendin tonë është shumë e re edhe për vendet e zhvilluara të Europës. Sistemi inteligjent, i quajtur AMI (Advanced Metering Infrastructure), realizon matjen dhe transmetimin e të dhënave në kohë reale, informacion për cilësinë e energjisë (ngarkesa, tensioni etj.), ndërprerjen dhe rilidhjen e energjisë në distancë, komunikimin në dy drejtime për në qendrën ku ndodhet sistemi i faturimit dhe opsione të tjera që janë në dëshirën e klientit.

Plani i investimit

Burime nga OSHEE-ja i thanë gazetës “Shqip”, se për vitin 2015 është miratuar plani për furnizimin dhe vendosjen e 53 mijë aparateve inteligjente të tipit “IIB AMI”. Vlera totale e blerjes dhe vendosjes së këtyre matësve është 742 000 000 lekë. Nga këta, 13 mijë copë aparate inteligjentë do të vendosen në Babrru, Paskuqan dhe Bathore, ndërsa 40 mijë janë planifikuar të vendosen në zona të tjera të vendit që kanë probleme me pagesën e faturave të energjisë. Nga kjo shumë, 445 200 000 lekë janë financim i Bankës Botërore, ndërsa pjesa tjetër me të ardhura të vetë operatorit. Ndërkaq, janë 610 847 000 lekë që planifikohen për vendosjen e një sistemi të ri qendror “Billing System” që do të komunikojë me matësit inteligjentë. Sistemi i monitorimit dhe faturimit kushton 338 250 000 lekë. Kjo shumë do të shërbejë edhe për blerjen e një serveri të ri qendror, sisteme dixhitale për arkivim të dhënash, pajisje rrjeti, kompjuterë etj. Një investim që duhej bërë prej kohësh është siguria fizike e kabinave. Në 11 mijë kabina do të vendosen kamera dhe sisteme alarmi.

Matësi inteligjent

Aparati smart, që do të vendoset në shtëpitë dhe bizneset e vogla në Shqipëri, sipas burimeve nga OSHEE-ja, është i tipit “IIB AMI”, një pajisje elektronike që regjistron në kohë reale dhe raporton konsumin e energjisë elektrike në intervale të cilat i cakton operatori (p.sh. çdo një orë), duke mundësuar monitorimin dhe faturimin. Këto aparate kanë komunikim të dyanshëm (marrje dhënie) me sistemin qendror. Aparatet e sistemit AMI përfshijnë reagimin në kohë reale, njoftimin e ndërprerjeve të energjisë, si dhe monitorimin e cilësisë së rrymës. Në Shqipëri, këto aparate do të komunikojnë përmes teknologjisë celulare me drejtoritë rajonale të OSHEE-së dhe me klientët, të cilët do të mund të parapaguajnë energjinë.

Teknologjia

Më 1972, Theodore George “Ted” Paraskevakos, duke punuar me kompaninë “Boeing” në Alabama (SHBA), zhvilloi një sistem monitorimi që përdorte transmetimin dixhital për sigurinë, zjarrin dhe sistemet e alarmit mjekësor. Kjo teknologji ishte e ngjashme me sistemin e sotëm automatik të identifikimit të linjës telefonike, e njohur si “Caller ID”. Në 1974, Paraskevakos iu njoh patenta amerikane për këtë shpikje. Në vitin 1977, ai filloi punë në kompaninë “Metretek Inc.”, e cila nisi prodhimin në seri të matësve në distancë dhe të menaxhimit të ngarkesës së energjisë elektrike. Ky sistem i parapriu përdorimit të internetit për komunikimin me matësit inteligjentë. Problemi kritik teknologjik i sistemit AMI është komunikimi. Çdo aparat matës duhet të jetë në gjendje që në mënyrë të besueshme dhe të sigurt të komunikojë informacionin e mbledhur deri në një vend qendror. Ndër zgjidhjet e propozuara janë: përdorimi i ndërlidhjes celulare, satelitore, me radio, përmes rrjeteve wireless, ose kombinime të tyre, konfigurime që përdorin Wi-Fi dhe rrjeteve të tjera të internetit të lidhura. Aplikimi në zonat rurale ka probleme shumë të ndryshme të komunikimit nga shërbimet urbane apo shërbimet e vendosura në rajonet malore ose zona të pambuluara nga kompanitë celulare dhe interneti. AMI bën të mundur që komandat të dërgohen në drejtim të shtëpisë për qëllime të shumëfishta, duke përfshirë kohën e përdorimit, informacion për çmimin, veprimet kërkesë-përgjigje apo shkëputjet e shërbimit nga distanca. Konsumatorët mund të përdorin informacionin e dhënë nga sistemi për të ndryshuar modelet normale të tyre të konsumit, (në disa vende mund të përfitosh nga çmime më të ulëta në orë të caktuara të ditës. Çmimet e larta në disa vende përdoren për të frenuar rritjen e konsumit në orët e pikut). Ky lloj matësi ofron përfitime potenciale për familjarët. U jepet fund mbifaturimeve, të cilat janë një burim i madh i ankesave për shumë konsumatorë; ndihmohet konsumatori për të menaxhuar më mirë përdorimin e energjisë.

Italia

Numri më i madh në botë i matësve inteligjentë të energjisë është vendosur nga kompania “Enel”, ndërmarrja dominuese në Itali me më shumë se 30 milionë konsumatorë. Ndërmjet viteve 2000 dhe 2005 “Enel” ka pajisur të gjithë konsumatorët me këtë matës. Matësit që ka vendosur Italia janë plotësisht elektronikë dhe smart, me komunikime të integruara dydrejtimëshe, bëjnë matjen e energjisë dhe menaxhojnë rrjetin, software i kontrollueshëm mund të bëjë shkëputjen dhe rilidhjen nga distanca. Këto aparate komunikojnë gjatë linjës së tensionit të ulët të energjisë, duke dërguar të dhënat në kompjuterët e serverëve të filialeve të “Enel”-it. Kështu, Italia demonstron një shembull të komunikimit të këtyre aparateve pa nevojën e rrjeteve wireless, që kritikohen se gjenerojnë rrezatim.

Projektet, Nga Australia në Francë, instalimi i matësve “smart”

Nga viti 2006 deri në mes të korrikut 2013, në Australi ka pasur një projekt të financuar nga qeveria për vendosjen e detyrueshme të aparateve për 2.6 milionë klientë.

Holanda

Në vitin 2007, qeveria holandeze propozoi që të gjithë familjet duhet të kenë një matës inteligjent deri më 2013-n. Më 7 prill 2009, qeveria holandeze u tërhoq, pasi grupet e konsumatorëve ngritën shqetësime për shkeljen e privatësisë. U vendos që përdorimi i këtyre sahateve të jetë vullnetar.

Spanja

Bazuar në dekretin mbretëror, në Spanjë ka një plan zëvendësim të sahateve me një detyrim për të instaluar matës inteligjentë për të gjithë konsumatorët nën 15 kW deri në vitin 2018.

Angli

Në dhjetor 2009, Departamenti i Energjisë dhe i Ndryshimit të Klimës në Mbretërinë e Bashkuar njoftoi synimin për të pasur matës inteligjentë në të gjitha shtëpitë në deri në vitin 2020.

Franca

Një projekt pilot i sistemit AMI, i quajtur “Linky”, është duke u kryer në Francë dhe përfshin 300 000 klientë të furnizuar nga 7000 transformatorë të tensionit të ulët. Eksperimentimi filloi në mars të vitit 2010.

Neni, Projektligji i energjisë: “Smart” të vendosen deri në vitin 2025

Implementimi i sistemeve matës inteligjentë është subjekt i një vlerësimi paraprak ekonomik, i cili duhet të marrë në konsideratë të gjitha kostot afatgjata dhe përfitimet që do të ketë tregu e klientët, duke përfshirë gjithashtu edhe formën e matjes inteligjente që do të përzgjidhet, e cila duhet të jetë ekonomikisht më efektive dhe me afatin kohor më të përshtatshëm për implementimin e këtij sistemi matjeje. Në bazë të këtij vlerësimi, ministria përgatit një kalendar për implementimin brenda një periudhë 10-vjeçare të sistemeve inteligjente të matjes.

Marrëveshja, OSHEE garanton praktikat dhe punësim për kursantët

U firmos dje marrëveshja ndërmjet administratorit të OSHEE-së, Adrian Çela, dhe ministrit të Mirëqenies Sociale e Rinisë, Erjon Veliaj, për realizimin e praktikave profesionale të nxënësve në sektorin e energjisë elektrike. Të dhënat e fundit flasin për një numër punonjësish të OSHEE-së, prej 47% që janë të moshës mbi 51 vjeç dhe 11% i përkasin moshës mbi 60 vjeç. Duke pasur parasysh moshën e daljes në pension, KEMP-in, si dhe masat administrative, largimet etj., parashikohet që brenda pesë viteve të lirohen rreth 1500 vende pune pranë strukturave të OSHEE-së (inxhinierë, elektricistë etj.).

Gazeta Shqip, 19.01.2015