Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ballkani tërheq kinezët për qymyrin

Europa po e braktis qymyrin. Këtë e tregojnë ndryshimet radikale që kanë ndodhur vitet e fundit. Në 2013, rreth 19% e kapacitetit prodhues në BE ishte me qymyr, në krahasim me 25% në vitin 2000, pra në ulje. Midis viteve 2000 dhe 2013 19 gigawat termocentrale me qymyr janë mbyllur. Gjatë këtyre viteve janë mbyllyr më shumë termocentrale me qymyr se sa janë ndërtuar. Shumë nga termocentralet e planifikuara për tu ndërtuar përpara 2008, nuk janë ndërtuar.

Në Gjermani, nga 37 termocentrale të planifikuara për tu ndërtuar, 21 janë braktisur nga 2007, kurse 5 të tjera janë pezulluar për vite, 2 kanë filluar të punojnë. Një raport nga konsulentët Poyry në vitin 2013 konkludon se asnjë termocentral I ri me qymyr nuk pritet të ndërtohet në të ardhmen e afërt në Gjermani, Spanjë dhe Hollandë.

Madje dhe në Rumani, jo shumë ambicioze në këtë drejtim, termocentralet e vjetra po mbyllen, centralet e reja janë kryesisht me erë dhe diellore. Energjia e erës dhe diellit kanë pasur një zhvillim spektakolar në vitet e fundit. Kapaciteti total i energjive të rinovueshme është rritur nga 1% në fillim të viteve 2000 në 23 % sot (pa përfshirë HEC-et e mëdhaja).

Këto transformime po ndodhin sepse drejtuesit politikë I kanë kuptuar rreziqet e ndryshimeve klimatike dhe kanë vendosur rregulla të forta për përdorimin e energjisë. Për më tepër, gjatë 2014 institucionet më të mëdha financiare në botë deklaruan se nuk do të financojnë më qymyrin, burimin më ndotës fosil. Ndër to ishin dhe Banka Europiane e Investimeve, BERZH, dhe Banka Botërore.

Ishulli I Ballkanit

Për shkak të mungesës së fondeve nga Europa për financimin e qymyrit, Ballkani I është drejtuar investitorëve kinezë. Disa vende të Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të kenë plane për ndërtimin e termocentraleve të reja me qymyr në vitet e ardhshme, derisa të bëhen anëtarë të BE-së dhe të zbatojnë rregullat e këtij të fundit. Gjatë dhjetorit në një samit në Beograd, udhëheqësit e vendeve të Europës Jug-Lindore nxorrën tapetin e kuq për kinezët dhe I ftuan të investonin në rajon.

Nga hekurudhat, tek rrugët, turizmi, bujqësia, IT, komunikimet dhe energjia u përmendën. Asnjë sektor nuk u la pa përmendur gjatë takimit, ku kryeministri kinez Li Keqiang ishte I ftuar nderi.

Ndërkohë që fokusi kryesor I samitit ishte infrastruktura e transportit, si dhe u përfshinë në axhendë ndërtimi I urës Zemun-Borca mbi Danub nga Korporata Kineze e Rrugëve dhe Urave, si dhe dy marrëveshje për modernizimin e linjës hekurudhore Beograd-Budapest, në ceremoninë përfundimtare të nënshkrimeve u përfshinë dhe 2 marrëveshje për shtim kapaciteti në termocentralet me qymyr.

Kur shumica e vendeve europiane po heqin dorë nga ndërtimi I termocentraleve të reja me qymyr, Bosnje Hercegovina dhe Serbia po planifikojnë të marrin kredi nga Banka Ex-Im kineze që të ndërtojnë respektivisht termocentralet me linjit Tuzla 7 dhe Kostolac B3.

Planet për Kostolacin janë në fazë të avancuar, kurse për termocentralin e Tuzlës për momentin ka vetëm një memorandum mirëkuptimi. Megjithë fanfarat në Beograd, ka ende rrugë të gjatë përpara se këto projekte qymyri të bëhen realitet

Arsyeja kryesore: kanë shumë parregullsi, të cilat janë të papëlqyeshme për gjykatat e këtyre vendeve, BE-në dhe investitorët kinezë. Pak I njohim ne europianët institucionet kineze dhe politikat e tyre, por bankat shtetërore, që po përfshihen me qymyrin në Ballkan, kanë normat dhe rregullat e tyre, përfshirë rregulla mjedisore, dhe jo domosdoshmërisht ndjehen entuziaste për investimet që kundërshtojnë objektivat e BE-së. Si investitorë pragmatistë e dinë se mospërputhshmëria me objektivat e BE-së mund të sjellë kosto shtesë gjatë zbatimit.

Qymyri I Ballkanit do të jetë nën vëzhgim më të afërt nga BE në vitet në vijim. Kjo pjesërisht për shkak të Komunitetit të Energjisë, një organizëm që synon të krijojë treg të lirë të energjisë midis BE-së dhe fqinjëve të saj, si dhe për shkak se akuisi mjedisor dhe ai I energjive të rinovueshme zbatohet ose do të zbatohet së shpejti dhe në vendet ballkanike jo anëtare të BE-së. Kandidatët per BE si Serbia duhet të zbatojnë akuisin, si psh Direktivën e Emetimeve Industriale dhe atë të ndihmës shtetërore, sot për projektet e reja të cilat do të jenë në punë kur Serbia të futet në BE. Projektet e miratuara me kaq gëzim në Beograd kundërshtojnë akuisin dhe do të sjellin kosto të larta financiare për këto vende kandidate të zhytura në borxhe.

Probleme të tjera më qymyrin në Ballkan

Nuk është vetëm akuisi që sjell probleme për termocentralet me qymyr në Ballkan.

Gjatë vitit të kaluar Serbia pati përmbytje të rënda që përmbytën miniera, duke mbuluar makineritë e tyre me baltë dhe ndaluar punën për kohë të gjata. Errësira mbuloi hapësira të mëdha në Serbi. Pas kësaj katastrofe ka qenë shumë e vështirë për autoritetet të pretendojnë se qymyri ofron furnizim të sigurtë me energji.

Shtesa e re në termocentralin e Kostolacit nuk respekton legjislacionin mbi VNM-të dhe mbi konsultimin me vendet fqinje që mund të preken nga ndotja prej tij, çka mund të sjellë probleme ligjore dhe protesta në të ardhmen.

Sa më shumë I afrohen vendet ballkanike BE-së, aq më shtrenjtë do të jetë për to të operojnë termocentrale që janë në kundërshtim me akuisin. Për termocentralin e ri në Tuzla, Bosnje Hercegovinë, rentabiliteti I tij duket I dyshimtë. Sipas një analize të fundit, ky investim mund të mos jetë rentabël nëse do të ketë shpenzime shtesë sado të vogla për kreditë, për linjitin apo për investimet. Në projekte të tilla gjithmonë ka shpenzime të paparashikuara. Është e dyshimtë nëse ndihma shtetërore, e cila mund të mos jetë e ligjshme, e premtuar nga qeveria për këtë projekt, do të realizohet. Një rezervuar që do të furnizojë me ujë termocentralin ka probleme me stabilitetin e digës, dhe konkurrencë me përdoruesit e ujit të pijshëm, si dhe nuk ka një vendgrumbullim të garantuar për mbetjet e hirit, çka mund të sjellë proçese gjyqësore.

Së fundmi, janë llogaritur kostot shëndetësore në zonën e Tuzlës, që vijnë nga përdorimi i qymyrit. Një studim I fundit ka gjetur se termocentralet me qymyr rreth Tuzlës, pritet të shkaktojnë kosto shëndetësore prej rreth 810 milion eurosh dhe humbjen e 39,000 viteve jetë në periudhën 2015-2030.

Kostolac B3 dhe Tuzla 7 nuk janë të vetmet termocentrale që mund të financohen nga bankat kineze. Termocentrali 300 Mw Stanari në Bosnje Herzegovinë, financohet nga Banka Kineze e Zhvillimit dhe është në ndërtim. Me shumë mundësi investitorëve kinezë do u ofrohet financimi I termocentralit Ugljevik III, po ashtu në Bosnje, e termocentralit Banovici në Tuzla, e termocentralit Pljevlja II në Mal të Zi, dhe e termocentralit Rovinari n Romania.

Të gjithë këto projekte kanë probleme ekonomike si dhe ligjore. Për momentin politikanët ballkanas mendojnë se mund ti realizojnë këto projekte sepse vendet e tyre nuk janë ende në BE dhe ndoshta mendojnë se kinezët janë më moskokëçarës. Nganjëherë këto projekte bëhen për të përfituar korrupsion.

Por sa më shumë vendet ballkanike I afrohen BE-së, aq më shtrenjtë do u kushtojë përdorimi I termocentraleve me qymyr që nuk zbatojnë akuisin. Në kontekstin e sotshëm europian termocentralet me qymyr janë bomba me sahat që do të duhet të çaktivizohen herët ose vonë. Investitorët kinezë nuk janë zgjidhje për çdo problem: ata do të investojnë vetëm atje ku ka interes, dhe qymyri është një biznes gjithmonë e më pak fitimprurës në Europë.

Ekolëvizja, 15.01.2015