Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sheikët, si po ndryshon ekonomia e naftës

Ekonomitë e naftës kanë ndryshuar. Disa biznese janë destinuar të falimentojnë, por tregu do të jetë më i shëndetshëm

Portofoli zyrtar i OPEC-ut thekson se qëllimi i grupit është ‘stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare të naftës’. Ai nuk ka bërë një punë shumë të mirë. Në qershor, çmimi për fuçi i naftës, asokohe pothuajse 115 dollarë, filloi të bjerë; ai tani është afër 70 dollarë.

Kjo rënie prej afro -40%, ka ardhur pjesërisht si pasojë e ekonomisë së ngadaltë botërore, e cila po konsumon më pak naftë se sa kishin parashikuar tregjet dhe pjesërisht nga vetë OPEC-u, i cili ka prodhuar më shumë se sa prisnin tregjet. Por fajtorët kryesorë janë naftëtarët e Dakotës së Veriut dhe Teksasit. Gjatë katër viteve të fundit, teksa çmimi varionte rreth 110 dollarë për fuçi, ata vendosën të nxjerrin naftë nga formacionet e shistit argjilor, të konsideruara më parë të paqëndrueshme. Shpimi maniak i tyre – ata kanë përfunduar ndoshta 20,000 puse të reja që nga 2010, më shumë se dhjetë herë rekordi i Arabisë Saudite – rriti prodhimin e naftës së Amerikës me një të tretën, në gati 9 milionë fuçi në ditë. Kjo është vetëm 1 milion fuçi më pak se prodhimi i Arabisë Saudite. Gara mes tyre dhe sheikëve e ka shpërblyer botën me suficit nafte, nga mungesë që ishte më parë.

Konsumi i karburantit

Një naftë më e lirë duhet të veprojë si adrenalinë ndaj rritjes globale. Rënia prej 40% e çmimeve zhvendosi rreth 1.3 trilionë dollarë nga xhepat e prodhuesve në ato të konsumatorëve. Shoferi tipik amerikan, i cili shpenzonte 3,000 dollarë në vitin 2013 nëpër benzinata, mund të kursejë gati 800 dollarë në vit – ekuivalente me një rritje page prej 2%. Vendet e mëdha importuese të tilla si Eurozona, India, Japonia dhe Turqia po shijojnë veçanërisht të papritura të mira të mëdha. Duke qenë se këto para ka të ngjarë të shpenzohen në vend që të grumbullohen në ndonjë fond të pasurisë kombëtare, PBB-ja globale duhet të rritet. Çmimi në rënie i naftës do të reduktojë inflacionin tashmë – të ulët akoma dhe më tej, dhe kështu ka të ngjarë të inkurajojë bankierët drejt politikave më të lira monetare. Rezerva Federale do të shtyjë për më vonë rritjen e normave të interesit; Banka Qendrore Europiane do të veprojë më me guxim për të shmangur deflacionin, duke blerë obligacione kombëtare.

Natyrisht që do të ketë humbës. Vendet prodhuese të naftës, buxhetet e të cilave varen nga çmimet e larta, janë në vështirësi të veçantë. Rubla ka rënë së fundmi, teksa perspektivat e Rusisë u ‘errësuan’ edhe më tej. Nigeria ka qenë e detyruar të rrisë normat e interesit dhe të zhvlerësojë naira-n, monedhën vendase.

Venezuela duket gjithnjë e më pranë pamundësisë për të shlyer borxhin e saj. Spektri i dështimeve dhe shpejtësia dhe shkalla e rënies së çmimeve kanë tensionuar tregjet financiare. Por efekti i përgjithshëm ekonomik i një nafte më të lirë është qartësisht pozitiv. Se sa pozitiv, kjo do të varet nga sa kohë çmimi do të qëndrojë i ulët. Ky është subjekti i një përleshje të vazhdueshme mes OPEC-ut dhe shpuesve të shistit argjilor. Disa anëtarë të kartelit janë pro reduktimit të prodhimit të tij, me shpresën se kjo lëvizje do ta rrisë sërish çmimin.

Por Arabia Saudite, në veçanti, duket e ndërgjegjshme rreth përvojës së viteve 1970, kur një ndryshim i madh në çmim nxiti investime të mëdha në fusha të reja, duke çuar drejt një suficiti dhjetëvjeçar. Në vend të kësaj, sauditët duket se po përdorin taktikë tjetër: t’i lënë çmimet të bien dhe t’i nxjerrin prodhuesit me kosto të lartë nga biznesi. Kjo së shpejti duhet të tkurrë furnizimin, duke shkaktuar rritje të çmimeve. Ka shenja se një eliminim i tillë është tashmë në proces. Çmimet e aksioneve të firmave që specializohen në naftën e shistit argjilor po zbehen. Shumë prej tyre janë mbytur në borxh. Edhe para se çmimi i naftës të fillonte të binte, shumica po investonin më shumë në puse të reja se sa po nxirrnin nga ekzistueset. Tashmë, me rënien e shpejtë të të ardhurave të tyre, ata do të gjenden shumë ngushtë. Ka gjasa të fillojë një erozion falimentesh. Kjo, nga ana tjetër, do të njollosë reputacionin e naftës së shistit argjilor në mesin e investitorëve.

Edhe të mbijetuarit mund të mos munden të operojnë për pak kohë në treg, duke i detyruar ata të frenojnë shpenzimet e tyre në mënyrë që të vlerësojnë cash-in që gjenerojnë nga shitja e naftës. Duke qenë se puset e naftës së shistit argjilor janë jetëshkurtër (prodhimi mund të bjerë me 60-70% në vitin e parë), çdo ngadalësim në investimin shpejt do të përkthehet në rënie të prodhimit.

Ky eliminim do të jetë i dhimbshëm. Por në terma afatgjatë, e ardhmja e industrisë së shistit argjilor duket e sigurt. ‘Fracking’, një përzierje e ujit, rërës dhe kimikateve injektohet në formacionet e shistit argjilor për të çliruar naftë, është një teknologji relativisht e re dhe ende vijon të prodhojë fitime të mëdha me eficencë.

IHS, një firmë kërkimore, llogarit se kostoja e një projekti tipik ka rënë nga 70 dollarë për fuçi të prodhuara në 57 dollarë në vitin e kaluar, teksa naftëtarët kanë mësuar se si të shpojnë puse më shpejt dhe të nxjerrin më shumë naftë nga çdo pus.

Firmat që do të përballojnë stuhinë aktuale do të kenë masa të shumta të shistit argjilor për të shfrytëzuar. Shpimi është vetëm në fillim (dhe tanimë ka të ngjarë të reduktohet sërish) në formacionin e Niobrara në Kolorado, për shembull, dhe Mississipian Lime përgjatë kufirit mes Oklahoma dhe Kansas.

Nafta e shistit argjilor nuk është një fenomen unik amerikan: ka një gjeologji të ngjashme në të gjithë botën, nga Kina deri në Republikën Çeke. Edhe pse asnjë vend tjetër nuk ka të njëjtin kombinim të investitorëve të etur, naftëtarëve me përvojë dhe burokratëve elastikë, pasuritë në dispozicion duhet të nxisin përfundimisht eksplorimin e naftës së shistit edhe gjetkë.

Më e rëndësishmja nga të gjitha, investimet në naftën e shistit argjilor rezultojnë me një rritje të vogël. Fushat e mëdha tradicionale të naftës që nuk janë shfrytëzuar ende, priren të gjenden në terren tepër të vështirë, thellë nën oqean, lart në Arktik apo në të dyja.

Exxon Mobil e Amerikës dhe Rosneft e Rusisë kohët e fundit shpenzuan dy muaj dhe 700 milionë dollarë në shpimin e një pusi të vetëm në detin Kara, në veri të Siberisë. Edhe pse ata gjetën naftë, për zhvillimin e saj do të duhen vite dhe kosto prej miliarda dollarësh. Në të kundërt, një pus i naftës së shistit argjilor mund të shpohet në më pak se një javë, në një kosto prej 1.5 milionë dollarësh. Firmat e shistit argjilor e dinë se ku ndodhen depozitat e shistit argjilor dhe është shumë e lehtë të marrësh me qira makineri të reja; pyetja e vetme që mbetet është se sa puse duhen shpuar. Kështu ky biznes ngjan pak a shumë me prodhimin e pijeve: kurdo që bota është e etur, vihet në lëvizje fabrika e shisheve.

Dështimi i sheikëve

Pra, ekonomitë e naftës kanë ndryshuar. Tregu do të vazhdojë të jetë subjekt i goditjeve politike: lufta në Lindjen e Mesme apo kolapsi i vonuar i kleptokracisë së Vladimir Putinit do të nxiste rritjen e çmimeve. Por, në mungesë të një ngjarje të tillë, çmimi i naftës duhet të jetë më pak i ndjeshëm ndaj goditjeve apo manipulimit. Edhe në qoftë se shtesa prej 3 milionë fuçive në ditë që Shtetet e Bashkuara pompojë aktualisht përbën një pjesë të vogël të 90 milionë fuçive në ditë që konsumon bota, shisti argjilor i Amerikës është një rival i vërtetë për Arabinë Saudite si prodhuesi margjinal i botës. Kjo mendohet të reduktojë luhatshmërinë jo vetëm të çmimit të naftës, por edhe të ekonomisë botërore. Nafta dhe financat kanë dëshmuar të jenë të vetmet industri të afta për ta udhëhequr botën drejt recesionit. Të paktën një prej tyre, në të ardhmen, duhet të jetë pak më e qëndrueshme./The Economist

Revista Monitor, 20.12.2014