Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Beteja për energjinë e paguar

Beteja për faturat e papaguara të energjisë duhej të kishte filluar që në agun e kësaj qeverisje të re, ndoshta nga tetori apo nëntori i vitit të kaluar. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë. Detyrimi i paguar ndaj një malli aq jetësor për mënyrën tonë të jetesës, sikurse është energjia elektrike, na jep shpresa si qytetarë, se kjo Shqipëria jonë, ky shteti ynë edhe mund të bëhet. Sa herë kemi parë komshiun t’i vejë një tel sahatit të vet, për të faturuar më pak energji, apo ta “ketë grurë” me faturistin, duke i dhënë para nën dorë, që t’i faturojë më pak, dhe kemi thënë të zhgënjyer: ”Eh,ky Shteti ynë nuk bëhet, jo…”.

Zhgënjimi shpesh na ka arritur në humbjen e shpresës. Por ja që shpresa është e vështirë të vdesë dhe ajo po rigjallërohet pak nga pak. Një studjues ekonomie tha se, sipas një arësyetimi ekonomik me sasinë e paguar dhe të vjedhur, ata që vidhnin energjinë elektrike ishin shumë më pak se sa qytetarët e ndershëm që e paguanin. Mirëpo vjedhja e tyre ishte aq e madhe, sa mbulonte me herë pagesat e të ndershëmve. Duam ta besojmë këtë ekonomist, pse boll kemi dëgjuar të fajësohen qytetarët në masë, gjoja se “jemi një popull i mësuar me vjedhjen, që vjedhjen dhe qëndrimin në paligjshmëri e ka mënyrë jetese”.

Jo! Kjo nuk është e vërtetë. Qytetarët e ndershëm të këtij vendi janë me herë më shumë se të pandershmit dhe abuzuesit e këtij vendi. Muaji i parë i veprimit të Shtetit me shumë vendosmëri ndaj abuzuesve, nëntori 2014, solli rritjen e energjisë së paguar me 41 milionë dollarë. Mbi 7 mijë familje lidhën marrëveshje me Shtetin, me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë, duke paguar tërësisht detyrimin që kishin. Tani, më në fund, edhe tek ne në Shqipëri, është bërë po aq e vështirë të vjedhësh energjinë elektrike, sa në Maqedoni, Mal të Zi, apo në çdo shtet tjetër normal të rajonit.

Nuk mund të thuhet se abuzuesit u zhdukën si me magji, po, të paktën vjedhjet dhe abuzimet me energjinë elektrike ranë njëzetfish. Kjo është një betejë jo vetëm për energjinë, por për gjithë shtetin e së drejtës tek ne. Qeverisë nuk mund t’i falet të lodhet rrugës dhe të ulë kërkimin e llogarisë.

Po e bëri, ka dështuar në reformën më të thellë që ka ndërmarrë ndonjë qeveri shqiptare në 25 vite demokraci. Në këtë betejë ka edhe viktima të bujshme, si zëvendësministrja që s’kish paguar energjinë e shtëpisë së dytë në plazh dhe u shkarkua. Shenjë se kjo qeveri e ka marrë seriozisht ta vendosë shtetin ligjor, të paktën në tregun më të rëndësishëm, po aq sa ai i bukës, ushqimeve bazë dhe karburanteve, në tregun energjitik. Ky treg lëviz mbi 1 miliardë dollarë në vit dhe nuk mund të falej më që mbi 340 milionë nga këto para, thjesht të abuzoheshin apo vidheshin, e të mos përfundonin në Buxhetin e Shtetit.

rradhe ne sportelet e osheeDora e fortë e Shtetit arriti të ulë, kursejë energjinë e abuzuar, që shpenzohej pa hesap. Nuk kemi më oborre e parcela në fshat, që llamburinin gjithë natën nga dritat e papaguara. Çdo biznes, i madh apo i vogël, që harxhonte energji elektrike pa hesap, pse ose e vidhte me linjë paralele, ose paguante një të dhjetën me faturistin e paguar nën dorë, tani i bën hesapet ndryshe. Të paktën nuk abuzon më si më parë, edhe pse ende mund të arrijë të vjedhë. Disiplinimi i shpenzimit të energjisë elektrike tek ne është real dhe shumë i dukshëm.

Ai duhet të na ngjallë besim se Shteti tek ne edhe mund të bëhet. Polici rrugor tani është më pak abuzues, të kërkon më rrallë para nën dorë. Polici i lagjes nuk përton të të këshillojë fëmijët që janë pak harrakatë. Le të shpresojmë që edhe mjeku e arsimtari publik të ndryshojnë dalëngadalë, duke mos të parë vetëm tek dora që fut në xhep për ta paguar përtej rrogës që merr në shtet. Shpresa po kthehet si një pemë e ndaluar dhe po nis e hedh rrënjë, të cilat janë tani shumë delikate. Duhet t’i ujisim të gjithë nga pak këto rrënjë, pse mund të shndërrohen në të ardhmen e shpresuar për fëmijët tanë në Shqipëri.

Shqiptarja.com 19.12.2014