Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mospagimi i energjisë nuk ka justifikim

Kryeministri Edi Rama falenderoi dje, pasi e shkarkoi nga detyra zëvendësministren e Mjedisit, Diana Bejko. Me një vendim zyrtar, Këshilli i Ministrave vendosi dje, nën drejtimin e zv/kryeministrit Niko Peleshi lirimin nga detyra të zv/ministres Bejko, pasi ajo rezultoi debitore e energjisë. Në një postim në rrjetin social, “Facebook”, kryeministri Rama shkroi dje nga Beogradi se për mospagesën e energjisë nuk do të tolerohet askush. “E falënderoj znj.Bejko për kontributin si zv/ministre, por në mospagesën e energjisë s’do pranohet asnjë justifikim për askënd! As për 1 lek!”, shkroi kryeministri Rama në postimin e tij, duke mos e kthyer vendimin e shkarkimit, edhe pse Bejko ka sqaruar se ka qenë gjithmonë e rregullt me pagesat dhe borxhi ndaj OSHEE ishte mospërfillës, për shtëpinë e pushimit që ajo ka në Velipojë. Zëvendësministrja reagoi për mediat, duke thënë se ka shlyer detyrimin pas njoftimit sot nga Ministria e Mjedisit dhe nuk është debitore ndaj OSHEE. Ndërkaq, mësohet gjithashtu se në Kryeministri është ngritur një ekip i posaçëm që ndjek në kohë reale verifikimin e hollësishëm që OSSHE po i bën me urdhër të kryeministrit, çdo libreze të punonjësve të shtetit. Diana Bejko erdhi në detyrën e zv/ministres pasi u rreshtua me PS-në në listën e deputetëve të Shkodrës, si prurje e shoqërisë civile. Kreu i qeverisë ka bërë të qartë se asnjë nga punonjësit e shtetit nuk do të tolerohet për mospagesa të energjisë, në një kohë që në të gjithë Shqipërinë prej kohësh ka nisur një aksion. Urdhrin për shkarkimin e Bejkos, Rama e ka dhënë pikërisht nga Beogradi, sapo ka marrë njoftimin se ajo figuron në listën e debitorëve. Në të gjitha institucionet ka nisur një valë kontrollesh për verifikimin e çdo punonjësi që është pjesë e administratës që rezulton debitor apo që vjedh energjinë elektrike. Ministria e Drejtësisë ishte e para që shkarkoi 131 punonjës të Burgjeve, të cilët rezultuan debitorë. Rama është shprehur në të gjithë daljet e tij publike se nuk do të tolerojë asnjë rast abuzivizmi në administratë. Për të njëjtën arsye janë shkarkuar edhe 234 punonjës të kompanisë së energjisë OSHEE, gjatë ditëve të shkuara. Në listën e borxhlinjve të energjisë janë edhe emrat e një pjese të mirë të komunarëve të vendit, të cilët janë shoqëruar në polici. Masat e rrepta, për debitorët e energjisë u vunë nga qeveria, për shkak se ky sektor rezultonte me humbje. Në disa deklarata publike të tij, kryeministri ka bërë të qartë se do të futen në burg të gjithë ata që vjedhin energjinë. Madje, do të dënohen deri në 3 vjet. Ndërsa bashkëpunëtorët e tyre do të dënohen deri në 5 vjet. Kryeministri u tregua i prerë kur lajmëroi se nuk do të ketë asnjë falje kamatash. Vetëm ata që do të paguajnë menjëherë kamatëvonesat do t’u falet 80% e tyre. Ndërkohë në sportelet e OSHEE ka pasur dyndje të mëdha qytetarësh që paguajnë.

Gazeta Shqiptare, 18.12.2014