Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta dhe rrugët e mbyllura të abuzimit

Lëvizje të fuqishme kanë ndodhur muajt e fundit në fushën e importimit dhe tregtimit të naftës dhe të nënprodukteve. Qeveria Rama ka vendosur të ndryshojë thuajse në themel ligjin për nr. 8450, datë 24.2.1999, “për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”.

Në ligjin e ri për produktet e naftës dhe gazit, sikurse citohen burimeve të MEI-t, janë bërë ndryshime rrënjësore që nga ndarja e rafinerive nga impiantet e përpunimit, përgjysmimi i lejes për ushtrimin e aktivitetit të impianteve, largimi i pikave të shitjes me pakicë të gazit të lëngshëm nga pikat e tregtimit të karburanteve, ndalimi i shitjes së këtyre produkteve pranë atyre false etj.

Licensë përpunimi për hidrokarburet!

Sipas MEI-t, më parë, ndërtimi i rafinerive të reja të naftës bëhej vetëm me leje të posaçme të Këshillit të Ministrave, pasi të ishte plotësuar paraprakisht dokumentacioni i përcaktuar nga ministria. Ligji i ri për shitjen dhe transportin e naftës dhe gazit përcakton qartë gjithashtu se impiantet e përpunimit ushtrojnë veprimtari në fushën e përpunimit të nënprodukteve të naftës dhe ndërtimi e funksionimi i tyre do të bëhet pasi ato të jenë pajisur me “Licencë përpunimi”, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet, sipas procedurave dhe kushteve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Impiantet e përpunimit e zhvillojnë veprimtarinë e shitjes së prodhimeve të tyre vetë ose nëpërmjet një shoqërie tjetër tregtimi me shumicë, vetëm pas marrjes së licencës së tregtimit, sipas legjislacionit në fuqi. Impiantet e përpunimit kanë të drejtë të tregtojnë prodhimet e tyre vetëm te shoqëritë e tregtimit me shumicë, shoqëritë e tregtimit me pakicë dhe konsumatorët e mëdhenj. Ndërsa subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e transportimit të naftës dhe nënprodukteve të saj, me naftësjellës, janë të detyruara që çdo pesë vjet të hartojnë një plan të detajuar për mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese, si dhe të bëjnë shfrytëzimin e instalimeve, në përputhje me rregullat dhe standardet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.

Informacion për të ndalur abuzimet…

Por qeveria nuk ka ndalur këtu. Urdhri nr 389, datë 25.11.2014 i ministrit të MEI-t, i detyron të gjithë aktorët e tregut të hidrokarbureve, që nga rafineritë, kompiantet e përpunimit të nëprodukteve të naftës, naftësjellësit, shoqëritë e tregtimit me shumicë etj. të dërgojnë informacione dhe të dhëna, si dhe parashikime për treguesit kryesorë të biznesit të tyre.

Kështu, rafineritë në Shqipëri nuk do të mundim më të mos kenë mbi tavolinën e tyre (por edhe të ministrisë) sasinë e naftës bruto, vendase apo të importuar, që do të mund të përpunojnë. Kjo i jep fund edhe ngjarjeve si ajo e javës së kaluar kur autoboti i naftës i një kompanie shkarkonte naftën bruto dhe “ngarkonte” ujin, në raporte 8 me 2 (!). Por nuk do t’i shpëtojnë rafineritë vendase as raportimit për produktin e përpunuar si dhe sasitë e shituara në vend dhe eksport, duke respektuar standardin shtetëror për këto nënprodukte.

Por edhe “kalimatësat” nuk do të jenë të panevojshëm për të bllokuar abuzimet e vërejtura gjatë kësaj periudhe. Aq e “thellë” është kjo teknikë kontrolli, sa tani do të duhet të raportohen (brenda datës 31 janar të çdo viti) edhe kapacitetet e depozitimit, vendndodhjet e tyre dhe forma e pronësisë.

Impiantet e përpunimit të naftës dhe vetë naftësjellësit do të mund të identifikojnë në mënyrë permanente, së bashku me shoqëritë e tregtimit me shumicë, treguesit e mësipërm, duke i dhënë fund kaosit të 24 viteve të fundit.

Jo vetëm raportim, por edhe sekretim!

Tregu i karburanteve, i anatemuar në të gjithë kohrat në Shqipëri për mungësë të cilësisë dhe mosplotësim të standardeve, do të mundet, më në fund, të tregojë se cilët janë abuzuesit. Edhe pse nën hetim të thelluar, edhe pse nën mijëra kontrolle të cilësisë të realizuara nga Inspektorati Qëndror teknik, edhe pse janë vendosur dhe ekzekutuar me miliona lekë gjoba ndaj atyre që janë identifikuar si shkelës së standardeve, serish nuk u arrit që në Shqipëri të ndryshojë perceptimi se nafta shqiptare është “e pastër” dhe cilësore.

Kufizimet ligjore të vërejtura në ligjin e mëparshëm të IQR, që nuk lejonin identifikimin me emër të përveçëm të kompanive abuzuese në tregun e shitjes me pakicë, duket se do t’i zgjidhë përfundimisht urdhri nr 415, i datës 09.12.2014, i formosur nga ministri Gjiknuri.

Sipas këtij urdhri, do të sekretohen të gjitha mostrat përfaqësuese gjatë furnizimit nga shoqëritë e tregtimit me shumicë, me naftë bruto dhe nënproduktet e saj.

Çfarë do të thotë sekretim i naftës?

Kompanitë e furnizimit do të detyrohen që për çdo furnizim të pajisin me mostër përfaqësuese të sekretuar të gjitha kategoritë e klientëve që furnizojnë. Në ketë tabelë sekretuese duhet të shënohet nga lloji i produktuktit, sasia, emri i shoqërisë së tregtimit, i blerësit e deri tek targa e mjetit që bën transportin dhe numri i faturës së shitjes. Por edhe do të firmoset kjo tabelë e sekretimit!

Po gjithashtu, sipas urdhrit në fjalë, shoqëritë e tregtimit me shumicë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj, detyrohen që, për çdo furnizim, të pajisin me certifikatë cilësie të gjithë kategoritë e klientëve që furnizohen me këto produkte.

Kjo masë e fundit e qeverisë dhe përcaktimi i rrugëve për respektimin e saj, duket se do të sjellë një “model” të ri në fushën e kontrollit të cilësisë dhe të standardeve të naftës e nënprodukteve të saj, kontroll i cili, edhe pse aktiv, nuk kishte mundur asnjëherë, në dy dekadat e fundit, të përmirësonte imazhin e kompanive që importojnë, tregtojnë apo prodhojnë këtë produkt.

Vetëm pak kohë më parë Z Gjiknuri ka firmosur masën e pezullimit të aktivitetit tregtar të 37 shoqërive të tregtimit me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, (ndërkohë që IQT vendosi në muajin nëntor masën e gjobës për 14 subjekte, që u gjetën me shkelje të standarteve të cilësisë së tregtimit. Sipas IQT-së, gjobat e vendosura variojnë nga 150.000-200.000 lekë). Veprimi është marrë në kuadër të masave për monitorimin e standardeve të cilësisë dhe tregtimit të hidrokarbureve, me propozim të Inspektoratit Qendror Teknik (IQT).

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet e Inspektoratit Qendror Teknik janë përqëndruar tek treguesit e cilësisë dhe sigurisë së tregtimit të naftës e gazit, ashtu sikurse edhe tek respektimi i detyrimeve ligjore që subjektet tregtare kanë ndaj shtetit. Por edhe duke garantuar opinionin publik për vendosmërinë e saj për të kontrolluar në vijimësi tregun e hidrokarbureve me qëllim mundësimin e një furnizimi cilësor dhe të sigurtë të konsumatorëve shqiptare me naftë, gaz dhe nënproduktet e tyre.

Shoqëritë e tregtimit me shumicë, ndaj të cilave është marrë masa e pezullimit përbëjnë rreth 20% të totalit të këtyre shoqërive që ushtrojnë aktivitet në këtë fushë.

Ndryshimet ligjore si dhe dy urdhrat e fundit duket se konkretizojnë dëshirën e mirë dhe kërkesën, jo vetëm të qeverisë, por edhe të konsumatorëve të këtyre produkteve për cilësinë dhe standardin e tyre në treg.

Shqiptarja.com 18.12.2014